Deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, Ralf Gjoni ka hedhur dritë mbi disa çështje shumë të diskutuara. Gjoni ka zbuluar arsyen e prishjes së marrëdhënies me Ilir Metën. Ai e mohon që vendimi për t’u futur në Kuvend u mor si shenjë hakmarrjeje ndaj faktit që Ilir Meta e vuri të 11-tin në listën e Tiranës, në një pozicion të pamundur, në zgjedhjet e vitit 2017.
I pyetur se çfarë i tha Meta kur i prezantoi atë renditje Gjoni rrëfen se shefi i tij asokohe e kishte siguruar se ‘do të ishte në parlament”. Meta, shton ai “priste që PD të mos futej në zgjedhje”. Kjo do t’i jepte mundësi LSI-së që të kapte 11 apo 12 vende që zakonisht i shkojnë demokratëve në listën e Tiranës.
Deputeti i pavarur pranon megjithatë se 2017-a ka qenë momenti më zhgënjyes për të në karrierën politike. “Merre emrin tim nëse të duhet për listën”, tregon Gjoni se i tha Metës.
Sa i takon vendimit për të dalë kundër forumeve të LSI dhe për të pranuar vendin e deputetit, ai thotë se e ka bërë për një parim. I njëjti parim që e shtynte atë të kritikonte publikisht Erion Veliajn për betonin që po hidhte te Parku, edhe kur “Meta dhe Kryemadhi ishin të dashuruar me Lali Erin”.
“Më kërkuan që të shkoja në parti dhe të plotësoja një formular ku të dorëzoja të drejtën time për të qenë deputet. Një letër pa asnjë vlerë juridike. U thashë që nuk ka shanse. Eshtë vendimi im, jo i partisë. Nëse vendimi është i partisë, KQZ le t’i drejtohet partisë, dhe jo mua”. Ky ka qenë shkëmbimi mes Gjonit dhe ‘njerëzve në LSI’ që i telefonuan, sipas rrëfimit të vetë ish-këshilltarit të Metës në Ministrinë e Jashtme.