Nisi me lëshimin në qiell të disa tollumbaceve të bardha me shkrimin “Rama ik”, por përfundoi në një skenar të organizuar dhune kundër policisë me shpërthime në breshëri të mjeteve piroteknike me të cilat shënjestruan forcat e uniformave blu vendosur për garantimin e sigurisë tek Kryeministria dhe Parlamenti. Protesta e shtatë kombëtare e opozitës joparlamentare kundër qeverisë u mbyll me dhunë!
Protesta nisi në 19:00 dhe u përmbyll në orën 22:00 me një fjalim në selinë blu të liderit demokrat Lulzim Basha i cili paralajmëroi një protestë të radhës më 8 qershor edhe më të dhunshme, nëse kryeministri Edi Rama nuk largohet nga pushteti për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakoshme.
“Ne nuk do të hedhim asnjë hap pas, e sotmja është dita e fundit që unë i drejtohem me forcën e argumenteve pasi fjalët po mbarojnë. Në protestën e ardhshme nuk do të ketë më fjalë. Largohu, ose ndryshe ndjeja zërin popullit në protestën e ardhshme”, tha Basha, ku pas një mbledhje në PD pas proteste u vendos që tubimi i radhës të mbahet më 8 qershor.
Nën udhëheqjen e liderit demorkat Lulzim Basha, ish kryeministrit Sali Berisha dhe ish-deputetëve të PD-së dhe LSI-së, pa praninë e Monika Kryemadhit, tubimi nisi tek kryeministria dhe më tej u zhvendos tek Parlamenti. Në të dyja institucionet militantët lëshuan breshëri kapsollësh në drejtim të policisë, duke lanë të plagosur 10 efektivë dhe 3 protestues. Njëri prej protestuesve pësoi lëndime të rënda në këmbë pasi u godit nga vetë protestuesit me një mjet shpërthyes.
Pas më shumë se dy orësh nga protesta, rreth orës 21:30, Policia e Shtetit u detyrua të hedhë gazin lotsjellës tek Parlamenti, pasi militantët nisën të sulmojnë në mënyrë të organizuar efektivët duke i shpërthyer kapsollët dhe fishekzjarrët në drejtim direkt ndaj policisë, duke i shënjestruar si të kishin armë. Përdorimi i gazit lotjsellës erdhi pas shpërfilljes nga organizatorët, të thirrjes që Policia bëri për vetëpërmbajte, që ndryshe nga protestat e tjera, këtë radhë ju drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë Lulzim Bashës.
Edhe Presidenti Ilir Meta bëri thirrje për vetëpërmbajtje, ndërkohë që ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli për një financim të qëllimshëm nga ana e opozitës për të blerë mjete shpërthyese për të goditur policinë. Ai tha se “militantët e Lulzim Bashës do të mbajnë përgjegjësi”.
Ora 23:27
‘Protestuesit janë plagosur nga plumba’, Bardh Spahia del bllof
Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia ka ngritur pretendimet se protestuesit sot janë plagosur nga plumbat. Por pas publikimit të grafisë së tij, e cila vërteton se ai është plagosur nga një fishkezjarre, ai është penduar dhe ka ndryshuar postimin. Më pas ai ka ndryshuar postimin duke hequr fjalët “Nga gazi lotsjellës në plumba”.
Ora 23:05
Shifrat ZYRTARE + EMRAT/ 10 efektivë të plagosur nga shpërthimi i mjeteve piroteknike dhe 3 protestues (VIDEO)
13 të lënduar në protestën e opozitës morën ndihmën mjekësore në kohë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se pranë Spitalit Universitar të Traumës, mbrëmjen e sotme janë paraqitur 10 punonjës të policisë, me plagë dhe dëmtime të shkallëve të ndryshme, të shkaktuara nga goditjet prej lëndëve piroteknike.
Po prej lëndëve piroteknike, kanë mbërritur në urgjencë dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore edhe 2 qytetarë në spitalin e Traumës, pjesëmarrës në protestë.
Ndërsa 1 protestues po merr trajtimin e duhur mjekësor në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Disa efektivë mbetën të plagosur nga shpërthimi i kapsollave dhe fishekzjarreve, duke marrë dëmtime në kokë dhe trup. Të tjerë u goditën me mjete të forta.
Ekipet e Urgjencës Kombëtare dhe spitaleve universitare kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë të gjithë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme.
Dy efektive të dëmtuar tek Kuvendi duke marrë ndihmën e shpejtë
Oficerët e policisë të plagosur:
1. A.Ç 31 vjeç lënduar në kokë dhe afër syrit
2. E.B 32 vjeç, lënduar në shpatull
3. I.A 23 vjeç
4. GJ.GJ 26 vjeç
5. ZH.B 37 vjeç
6. J.C 38 vjeç
7. N.S 27 vjeç
8. F.M 32 vjeç
9. G.M 31 vjeç
10. S.B 37 vjeç
Protestuesit e plagosur:
1. E.P 29 vjeç, lënduar në këmbën e majtë
2. J.M 42 vjeç
Ora 23:01
Ish-deputeti demokrat deklaratë kontradiktore nga spitali: Policët nuk janë plagosur, bëjnë show
Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia bëri një deklaratë kontradiktore nga spitali i Traumës ku tha se policët janë lënduar për shkak se janë vënë në protestë pa veshje mbrojtëse ndërsa nga ana tjetër deklaroi se ata nuk ishin dëmtuar vërtetë por kanë bërë një shfaqje para ministrit Lleshaj.
“Si e keni pas rastin ta shini policët vihen përballë një turme protestuesish të revoltuar. Dalin të paveshur me veshje mbrojtëse. Shumica e policëve sapo ka ikur ministri kanë dalë nga krevatet. Plagët e tyre nuk ishin të rënda. Protestuesit janë të plagosur seriozisht, janë persona që kanë vuajtur në kurriz sulmet me urdhër të Lleshajt dhe Ramës. E vetmja mënyrë për të përballuar këtë situatë është revolta e cila sa vjen dhe shtohet. Kjo qeveri i ka orët e numëruara, Revolta njeh një përshkallëzim të jashtëzakonshëm. Qytetarët shqiptarë që kanë humbur shpresën kanë zgjedh të përballen dhe revolta është pak. Nëse nuk vendosin të reflektojnë përgjigjen do e marrin nga qytetarët e thjeshtë”, tha Spahia.
Ora 22:51
Lleshaj viziton policët e plagosur në spitalin e Traumës: Basha të distancohet nga dhuna
Nga spitali i Traumës, ku ka vizituar të plagosurit në protestën e sotme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka bërë thirrje liderit demokrat Lulzim Basha që të distancohet nga dhuna.
“Sapo përfundova një vizitë te punonjësit e policisë dhe protestuesit e plagosur. Është për të ardhur keq për këtë sulm të dhunshëm ndaj policisë. Përpjekja për të krijuar dhunë është e dështuar. I bëj thirrje edhe Bashës, si personi i cili ka prodhuar 4 të vrarë dhe dhjetra të plagosur, të distancohet nga dhuna, ta izolojnë atë. Të gjithë të plagosurit kanë mbetur të lënduar nga mjetet piroteknike”, tha Lleshaj.
Ora 22:48
Zbulohet data e protestës së ardhshme të opozitës
1559506576_himni.jpg
Opozita do të mbajë protestën e ardhshme, ditën e shtunë në datë 8 qershor, ora 19:00.
Shqiptarja.com