Një dasmë e improvizuar u organizua të dielën e fundit të sezonit “Portokalli”, ku vetë aktori në rolin e Ylvi Bakërrit ishte ftuar bashkë me Genën të këndonin në dasmën e Gaz Pajës. Por edhe pse nuk kishte bërë publike një datë të ceremonisë së vërtetë të martesës me partneren e tij Ira Seferi, “Panorama Plus” mëson se dasma VIP e shumëpërfolur organizohet sot në mbrëmje në ambientet e hotelit luksoz “Plaza” në qendër të Tiranës.
Të ftuarit kishin disa ditë që morën ftesat e babait të njohur, Luftar Paja, dhe nënës së tij, ku mbi 300 miqtë e përzgjedhur i ftojnë të marrin pjesë në dasmën e djalit të tyre me bionden shumë simpatike, një vajzë e panjohur në publik. Edhe pse artisti është përpjekur që t’i mbajë deri diku diskrete detajet e ceremonisë luksoze me shumë personazhe të famshëm të të gjitha fushave, “Panorama Plus” ka zbuluar se do të jetë një mbrëmje e gjatë që do t’i ngjasojë një koncerti, pasi në dasmën e Gazit do të performojnë disa këngëtarë.
Nuk dihet nëse në kulmin e dasmës, dhëndri më i ri në qytet do të marrë mikrofonin dhe të performojë këngët e tij të preferuara, shumë prej të cilave ka arritur t’i realizojë si profesionist i vërtetë në netët e spektaklit të humorit. Me kostumet e dizenjuara nga stilisti Joni Peçi, Gazi do të jetë në stilin “haute couture”, ashtu siç meriton një natë e veçantë si ajo e dhëndërisë.
Muzika do të jetë një miks e të gjitha trevave të Shqipërisë dhe, natyrisht, që për ceremoninë do të respektohen të gjitha fazat, që nga koktejli i pritjes së të ftuarve, kulminacioni me djegien e shamisë së beqarit, momenti i tortës dhee puthjes së çiftit dhe patjetër që do të ketë dhe mbyllje ekzaltuese siç është heqja e kravatës dhe argëtimi pa frena. Nuk dihet nëse Gazi do të postojë video live apo “Story” në “Instagram” nga ceremonia, edhe pse këtë nuk e bëri as me festën e beqarisë.
Ndërkohë që, partnerja e tij Ira postoi në “Instagram” disa albume me foto nga festa e beqarisë në bregdet, Gazi preferoi ta “ngrijë” “Instagram”-in këto ditë para dasmës, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për të cilin duhet ruajtur privatësia. Aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli”, vendos t’i japë fund beqarisë në moshën 41- vjeçare.
Lajmi se do të kurorëzojë me martesë dashurinë e tij me partneren bionde doli pak javë më parë, ndërsa vetë Gazi e konfirmoi në spektaklin “Portokalli”, duke bërë batutë me veten se “është tjetri mirë e bukur në jetën e tij, e shkon e martohet!” Gazi është munduar që lidhjen e tij ta mbajë larg syrit të mediave dhe rrallëherë është shfaqur në publik me të, por duket se kjo vajzë që ai e ka përkufizuar si “e bukura e dheut”, ia mori mendjen për t’u bërë gruaja e tij.
Për miqtë e tij, ky është një lajm i madh, duke qenë se një artist sqimatar si Gaz Paja nuk ka qenë e thjeshtë që të bindet për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tij. Që shoqërohej me një vajzë të bukur kjo gjë dihej, por që e kishte shumë seriozisht lidhjen me të u zbulua në dasmën e mikut të tij Bes Kallaku, ku ai u shfaq i shoqëruar me partneren e zemrës në atë ceremoni. Ndërsa i ftuar në “Wake Up”, ai për herë të parë pranoi që ishte në një lidhje dashurie.
Tashmë, ai e kishte gjetur njeriun e zemrës, madje u shpreh se ajo e bën të ndihet shumë, shumë mirë. Ndonëse i rezervuar për jetën e tij private, ai rrëfeu, ndër të tjera, se e dashura e zemrës është njeri shumë i kuptueshëm përballë natyrës impulsive të tij. Një vit më parë, Gazi u shpreh se për momentin po jetonte lidhjen, por martesa nuk ishte ende në planet e tyre. Por duket se brenda 12 muajve gjërat ndryshuan me shpejtësi, pasi ai tashmë ndihet gati për të thënë “po” sot.
PARTNERJA E GAZ PAJËS ME FAT PRINCESHE, NJË ARTIST PËR BURRË, QË I SIGURON MARTESË ME GJITHË TË MIRAT
Një artist i mirëfilltë në Shqipëri natyrisht që nuk mund të vërë dot pasuri. Por biondja e re dhe e bukur, Ira Seferi, paska fatin e princeshës, pasi burri që po martohet ajo është artisti që po i siguron një martesë me të gjitha të mirat.
Me talentin, zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tij, Gazi, paralelisht me karrierën në televizion apo rolet në teatër, ka arritur të ngrejë dhe bizneset e tij, siç është një restorant në jug të vendit, për të cilin ai punon gjatë muajve të verës kur nuk shfaqet në ekran. I shkolluar në Greqi dhe i specializuar me master në Londër, Gazi është burri që do e dëshironte çdo vajzë, pasi është artisti që ka dhe sensin praktik.
Kështu Irën, e cila bashkë me martesën nis edhe jetën, e pret një jetë e rehatshme e plot mirëqenie. Një copëz nga realiteti, ku ata do të jetojnë çift, e pamë në rubrikën “Për drekë me mua” te “E diela Shqiptare”, ku ai kishte gatuar një drekë për Balina Bodinakun, Elhaida Danin dhe Blerina Bombaj. Publikut i ranë në sy ambientet e shtëpisë luksoze të aktorit, që ndodhet në një nga zonat e shtrenjta të Tiranës. Për herë të parë u fol për këtë lidhje të re të artistit verën e 2017- s, pasi u panë dhe u fotografuan në plazhet e jugut, ku Paja kalon muajt e verës.
Më pas, paparazzi i “Panorama Plus” e fotografoi Pajën dhe të dashurën e tij në një moment “hot” në një nga club-et e Tiranës, ku dukej që nuk përmbahen kur janë pranë njëri-tjetrit. Duke shijuar nga një gotë alkool dhe muzikën e fortë, ata u kapën duke shkëmbyer prekje e puthje në publik, gjeste që tregojnë se lidhja e tyre është shumë e fortë dhe pasionante. “Simpatike, e bukura e dheut. Është bionde, e gjatë, e buzëqeshur, elegante, pozitive, i qeshin syçkat kur shikon Gazin”, ishin përshkrimet e moderatorëve të “Wake up”, duke qenë se ata e njohin nga afër të dashurën e tij.
Pasi i dëgjoi, Gaz Paja nuk hezitoi të tregonte më shumë nga lidhja, duke u shprehur se është një romantik i vërtetë, se i dedikon asaj këngë dashurie. Sipas tij, janë çifti perfekt. “Nuk kemi akoma as bashkëjetesë, as unazë. Jemi në procesin e njohjes, mirë po shkon. Unë jam tip impulsiv, ajo është ndryshe, që është diçka shumë e mirë”. “Ndihem mirë, është një vajzë që më fal qetësi, është shumë e sjellshme, e dashur, korrekte, më bën të ndihem shumë mirë”. Le të shohim se si do të duken në altar Gazi dhe Ira, dhe nëse një fëmijë do të vijë në jetën e tyre së shpejti pas dasmës./PANORAMA PLUS