Reforma në drejtësi duket se ka shtuar panikun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri më tani janë shkarkuar nga vetingu rreth 60 gjyqtarë dhe prokurorë dhe nga dita në ditë po jepen sinjale të qarta se kushdo që ka futur dorën në xhepat e qytetarëve do të ndëshkohet.
Përveç Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, edhe Kolegji i Pavarur i Kualifikimit po bën një punë të mirë, pasi 4 nga emrat e konfirmuar në detyrë janë shkarkuar nga ky organ.
Por të gjitha këto duket se i kanë trembur njerëzit e drejtësisë. Gazeta ka mësuar se në ditët në vijim pritet të ketë një valë dorëheqjesh nga gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë hyrë ende në procesin e vetingut, pasi 50 magjistratë kanë vendosur të bëhen avokatë. Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi ligjin, ku u vendos që gjyqtarët dhe prokurorët që ngelin gjatë procesit të vetingut të mos kenë të drejtë të bëhen avokatë.
Kështu që, përmes kësaj lëvizjeje gjyqtarët dhe prokurorët e trembur nga vetingu, po shikojnë si opsion dorëheqjen në mënyrë që të ushtrojnë të qetë profesionin e avokatit.
Sipas informacioneve, pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, mësohet se të paktën 50 magjistratë kanë aplikuar së fundmi për të ndjekur kursin e nevojshëm për të marrë licencën për të ushtruar këtë profesion. Por, gjyqtarët që e dinë se nuk e kalojnë dot sitën e vetingut, konsiderohen nga ekspertët edhe si një prej problemeve kryesore me të cilat përballet aktualisht drejtësia shqiptare. Sipas tyre, kjo kategori magjistratësh, po e shfrytëzon periudhën deri te dalja para togave të zeza të vetingut për të fituar ç’të munden.
Ja bilancet e vetingut
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar pak ditë më parë një raport përmbledhës për punën e kryer gjatë periudhës shkurt 2018-prill 2019. Në bilancin e KPK thuhet se përgjatë një viti organi i vetingut ka kaluar në “sitë” 141 gjyqtarë dhe prokurorë. Mes vendimeve të dhëna mbizotërojnë ato të konfirmimit në detyrë, plot 56 të tilla.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 30 prill 2019 ka dhënë 141 vendime. 56 vendime për konfirmimin në detyrë të 25 gjyqtarëve, 23 prokurorëve dhe 7 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 52 vendime për shkarkimin nga detyra të 31 gjyqtarëve, 19 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 10 vendime për ndërprerjen e procesit të 5 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ish-këshilltari ligjor; 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë;15 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 4 prokurorëve”, thuhet në raportin e KPK.
Në grupin e të konfirmuarve në detyrë, mbizotërojnë gjyqtarët. 25 të tillë janë konfirmuar në detyrë, ndërsa prokurorët pak më pak, 23. Shtatë të tjerët që janë rikonfirmuar janë këshilltarë ligjorë. Ndërkohë, gjyqtarët mbizotërojnë edhe tek grupi i të shkarkuarve nga detyra. Nga 52 të shkarkuar, 31 janë gjyqtarë, 19 prokurorë dhe 2 këshilltarë ligjorë./Rigels Seliman