Hetimet e prokurorisë për aferën me CEZ duket se kanë ngecur. Prej dy vitesh në organin e akuzës janë dorëzuar dy padi ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, djalit të tij dhe disa ish ministra. Bëhet fjalë për një padi të ish juristit të OSHE Romeo Karajt dhe një padi nga komisioni hetimor parlamentar, i ngritur për të hetuar marrëveshjen e Berishës me CEZ.
Por edhe pse janë bërë dy vite nga dorëzimi i padive, nuk ka asnjë zhvillim nga prokuroria. Për këtë çështje ka folur dje Taulant Balla, i cili drejtoi komisionin hetimor për CEZ.
Pas gjyqit të zhvilluar me Shkëlzen Berishën, djalin e ish kryeministrit Sali Berisha, Balla u shpreh se me drejtësinë e re kjo çështje do zbardhet më mirë. Balla deklaroi se dosja CEZ i ka shkaktuar miliona euro humbje shqiptarëve, duke shtuar se asnjë çështje korruptive nuk do të shpëtojë pa u hetuar. Kreu i grupit socialist u shpreh se të gjithë politikanët që janë të përfshirë në këto afera duan të pengojnë reformën në drejtësi, duke theksuar se kjo reformë nuk ka kthim pas.
“Kush mendon se unë apo PS se kemi hequr dorë nga koha kur kemi qenë në opozitë e ka shumë gabim se për ne seriozitetit për gjithë këto vite ka të bëjë me angazhimin tonë për të çuar deri në fund reformën në drejtësi. Në Rumani kryetari i parlamentit u arrestua për një çështje të para 10 viteve.
Asnjë çështje korruptive nuk do ngelet pa hetuar. Lufta kundër korrupsionit dhe politikanëve të korruptuar është betejë që nuk mbaron kurrë. Prokuroria e re e reformës në drejtësi do i rimarrin të gjitha këto çështje. Dosja CEZ i ka kushtuar shqiptarëve miliona euro humbje, me të birin e Sali Berishës.
Dua t’ju them se sot në asnjë rast politikanët që kanë qenë kundër reformës në drejtësi dhe përpiqen të dëmtojnë integrimin e vendit, ta keni të qartë se kjo është një rrugë pa kthim”, u shpreh Balla.
Balla akuza Shkëlzen Berishës
Po ashtu, kreu i grupit socialist ka akuzuar Shkëlzen Berishën, duke thënë se ai është rasti ideal ku njerëzit që kanë pasur pushtet janë pasuruar. Por sipas Ballës, as pushteti dhe as pasuria që kanë vënë nuk do ti shpëtojnë drejtësisë së re, duke shtuar se me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë do të hetohen të gjitha dosjet korruptive të 28 viteve të fundit.
“Me Lulzim Bashën është një betejë që drejtësia duhet të fitojë. Basha duhet të paguaj gjobën për të cilën është gjobitur nga gjykata. Në rastin e Shkëlzen Berishës është një nga rastet më të qarta kur njerëzit e veshur me pushtet gjatë kohës që kanë qenë në qeveri, kanë paguar me shifra marramendëse nga një transaksion prej disa hektarësh tokë një individ që më pas është shërbyer me një koncesion.
Unë jam shumë i sigurt se të gjitha dosjet e korrupsionit do të zbardhen. Asnjë dosje korruptive këto 28 vite nuk do mbetet pa u hetuar”, tha Balla.
Dosja CEZ-DIA
Një tjetër patate e nxehtë në sirtarët e prokurorisë është edhe dosja CEZ-DIA. Më konkretisht, në 19 tetor 2017, juristi i OSHEE Romeo Kara bëri një padi penale pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj 7 personave, mes të cilëve ish-kryeministri Sali Berisha, Presidenti Ilir Meta dhe 5 zyrtarë të tjerë duke i akuzuar se i kanë shkaktuar shtetit 39.5 milionë euro dëm nga marrëveshja e arritur mes CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve.
Por edhe pse kanë kaluar gati 2 vjet, kjo çështje ende nuk është zbardhur. Gazeta ka mësuar se dosja vijon të jetë në shqyrtim paraprak nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Megjithatë, edhe për këtë çështje të akuzuarit duket se do t’ia hedhin paq. Sidoqoftë, edhe për këtë çështje na duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë më konkretisht gjatë ditëve në vijim.