Nga Eugent Kllapi
Shqipëria ka pasur dhe ka shumë shumë aktorë të talentuar. Disa e kanë kaluar këtë prag dhe quhen ndryshe mjeshtërore. Ai është një nga këta mjeshtra që zë vendin e vet në historinë e kinematografisë shqiptare. Shtatlartë dhe simpatik, në tiparet e tij brune dhe të një shikimi lutës sa dhe burrëror ai të shpreh një bust të një njeriu të kultivuar gjatë në halle dhe probleme.
Është ‘’Nderi i kombit’’ dhe ‘’Artisti i Popullit’’. Këta tituj i ka marrë falë një pune të vazhdueshme në çdo hap të rrugëtimit të tij. Mbahet mend si një nga aktorët më të mirë të skenës shqiptare përkrah figurave madhështore të filmit dhe teatrit si aktorë kolegë të tij si Kadri Roshi, Timo Flloko, Bujar Lako, Viktor Zhysti, Pandi Raidhi, Roland Trebicka, Rikard Larja, Violeta Manushi, etj.,
Vazhdon të jetë akoma në skeni produktiv dhe i kudondodhur në role nëpër filma dhe teatro. Është nga ata njerëz babaxhan që shpreh fare mirë tiparet e një njeriu të urtë dhe punëtor, kokëulur sa dhe revoltues në padrejtësitë e ndryshme si në rastin e kauzës së Teatrit Kombëtar. I papërtuar sa dhe serioz, shikimngultës ashtu si dinë të jenë aktorët.
Është nderuar me Kupën për Aktorin më të mirë në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos. Kurse në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin brilant të Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Ai u nderua nga ish Presidenti Bamir Topi në 2012 me titullin “Nder i Kombit”.
Në 2015, Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” është vlerësuar edhe si aktori i vitit, çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.
Për disa vite ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.
Cila është vepra e aktorit Robert Ndrenika?
Robert ndrenika ka një prodhimtari të madhe në kinmeatografinë shqiptare. Falë përkushtimit dhe bashkëpunimit me kolegë, ekip dhe publikun që e do ai ka një karrierë të gjatë në art.
Me regjizorët dhe kineastët ai ka pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe prodhimtare. Ka mbi 30 filma në kinematografi dhe mbahet mend mirë nga artadshësit për tiparet e tij. Falë bashkëpunimeve të tyre ka nxjerrë një sërë rolesh në teatër dhe kinematografi.
Nga publiku më shumë njihet në kinematografi si një nga themeluesit e aktorëve elitarë. Ka bashkëpunuar në teatri si Kujtim Spahivogli me Pirro Mani, Kiço Londo, Gëzim Kame, Fatos Haxhiraj, Mihallaq Luarasi, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Drita Agolli, Fatos Haxhiraj, Kastriot Çipi, etj.
Të njohësh një regjizor do të njohësh më e pakta të futesh në dy kombe. Regjizorët hidhen e priten në botë dramash dhe tragjedish. Ata shprehin zërin e letrarëve të mëdhenj si dhe thurin dramat e jetës së përditshme nga vetë ata. Por pasqyra dhe shëmbëlimi i tyre është aktori. Aktori është vepruesi, pësuesi i dramave të pafund, i tragjedive të pafundme, ai kultivohet në pafundësi mendimesh nga vetë këto situata.
Robert Ndrenika di të përshtatet dykombësive të regjizorëve të ndryshëm dhe roleve të tij si artist i mrekullueshëm. Po dhe të njohësh atë është të kalosh si në të gjithë regjizorët dykombësh në rolet e tij të shumta dhe në ndërgjegjen e tij që shëmbëllen dramë.
Jeta e tij profesionale kalon në një fushë të minuar dramash ku njëra shpërthen me po atë forcë sa tjetra dhe vjen në ditët sot si aktor imun sa dhe mjeshtëror në një përvojë që do të thotë me plotë gojën, artist brilant.
Nga ana profesionale ai i përshtatet të gjitha roleve por mbi të gjitha ai është mbret në komedi. Është i paharruar roli i Prefektit te Koncert në vitin 1936, Prefektit të Qazim Mulletit dhe i Vangjelit te ‘’Përrallë nga e Kaluara’’. Është i pazëvëndësueshëm në role si ‘’Shi në Plazh’’ apo në ‘’Shoqja nga fshati’’. Këto filma sjellin batuta dhe të qeshura pafund tek publiku, kanë rritur breza të tërë artdashësish dhe artistësh të rinj.
Në komedi ai është brilant, ekselent, një aktor elitar që ngelet fort në ndërgjegjen e shoqërisë.
Robert Ndrenika ka lindur më 10 janar në 1942 në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme e në gjimnazin ‘’Qemal Stafa’’ në vitet 1960-1964 studioi për aktor ne Shkollën e Lartë “Aleksander Moisiu”. Deri në vitet 1970 ësthë aktor në Teatrin “Skampa” te Elbasanit.
Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Akademisë së Arteve.
Drama te ai vjen më shumë si një njeri i drejtë dhe i rreptë, por në rreptësinë e tij të rolit ai duket sikur nuk mund të bëj dot keq, sikur me ashpërsinë e vet në rol fal mirësi dhe ëmbëlsi më shumë se brutalitet. Megjithatë rolin e dramës ai e kap po aq profesionialisht sa atë të komedisë ku ai mbretëron.
Në kinmeatografi ai ka bashkëpunuar me regjizorë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Muharrem Fejzo, Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Vladimir Prifti, etj.
Në një sërë filmash të hershëm Robert Ndrenika ka disa role të dyta. Aty shprehet më mirë ngritja e një njeriu profesional dhe të zot. Në një shumësi tjetër atij i vihet përgjegjësia e roleve kryesore dhe kjo përgjegjësi kthehet padiskutim në një profesionalizëm të pashoq.
Pavarësisht se filmat kanë pasur gjithmonë rol propagandistik për të zhvilluar sistemin komunist rolet janë luajtur profesionalisht në bazë të parametrave të artit kinematografik.
Në krahasim me ditët sot ku aktorët duken sikur kanë një ngërç në mimikë dhe në të folur, në atë kohë duket sikur fjala dhe imazhi nuk ngec, por ngec propaganda, sot sikur propagandë nuk ka, po ngec fjala dhe imazhi i shumë artistëve.
Në vitin 1966 ai luan rolin e Gjergjit si një pjesëmarrës politik në filmin ‘’Oshëtimë në bregdet’’. Ky film propagandistik i regjimit përmbledh aktorë të talentuar të asaj kohe siç janë, i madhi Ndrec Luca. Këtu Robert Ndrenika është në një rol dytësor dhe në hapat e para të karrirerës së tij të gjatë. Në 1968 me filmin ‘’Horizonte të hapura’’ai ka përkrah aktorë si Sandër Prosi, një nga më të mirët aktorë në kinematorgafinë shqiptare e Pandi Raidhin, gjithashtu nga më të mirët. Në kohën e një komunizmi prodhimtar, të shndërrimeve të mëdha industriale dhe detare, Azemi, roli i Robert Ndrenikës, punëtor i fortë kavosh që shpreh forcën rinore të sistemit, është i padallueshëm në masa për vrullin e tij.
Në 1970 ai shfaqet në rolin e Xhemali në një nga filmat më të mirë të kinematografisë dhe më të diskutuarit për propogandimin e tij. ‘’I teti në bronx’’ roli i Xhemalit përkarah aktorëve si Mevlan Shanaj, Vangjush Furxhi, Yllka Mujo, Bexhet Nelku, Sandër Prosi, Pirro Mani, Bujar Kapexhiu. Në rolin e një kovaçi punëtor fshihet një komunist i devotshëm. Oratoria dhe lëvizjet e tij të papërtuara në hijen e seriozitetit me të bijtë e doktorit tregon një njeri tashmë profesionist në të kultivuarin art. Falë një roli të djalit të një fanatiku patriarkal ‘xha Sulos’ te filmi ‘’Kapedani’’ në vitin 1972, ai përfshin një njeri të sistemit që përshtatet me kohën, modern dhe me detyra të shumta krah për krah gruas dhe roleve gjinore në barazi, një antitezë e babait të tij, një metaforë e njeriut bashkokohor e familjar. Edhe këtu ai nuk ka rol kryesor po e luan bukur atë.
Në 1972 në filmin Kryengritje në Pallat’’ luan rolin e babait, i shkon shumë ky rol, ‘’qyp me mjaltë të ka babi ty’’. Por në vitin 1974 ai vjen më i fortë se kurrë. Në filmin ‘’Shtigje lufte’’ film aq i dashur për publikun e kohës, ai luan rolin e Shabanit, babait të Besos, një të riu çapkën që i qan syri për një pushkë dhe për të qenë partizan. Këtu, te roli i Shabanit, krah për krah Timo Fllokos në roli ne Kananit ai tregon aftësitë e vërteta mjeshtërore në interpretim. I mrekullueshëm në rolin e Shabanit, partizanit fshatar, njeri i pagdhendur, i thjeshtë dhe i drejtë, jep gjithçka për luftën nacionalçlirimtare. Njeri pa hile dhe i rreptë me ballistët, me djalin apo me këdo që do t’i thyejë hundët në emrin e modifikuar sipas zhargonit të Shqipërisë së mesme ‘’Shabano’’ po aq sa babaxhan me tipare të njeriut fshatar.
Duket dendur propaganda e sistemit po dhe mjeshtëria e aktorëve, nuk është aq e lehtë të ngjitesh maleve, të rikthesh dubla në borë apo të kalosh lumin në janar me not, duhet guxim, mjeshtëri dhe modesti për të qenë artist, duhet dhe vullnet si Robert Ndrenika, Timo Flloko etj.
Në vitin 1979 ai vjen në dy filma, Mësonjtorja dhe ‘’Në shtëpinë tonë’’. Megjithëse në një rol dytësor të lypësit tek ‘’Mësonjtarja’’që nuk gabon për tradhëti ai shpreh nën hijen e një kapeleje të valëzuar një trishtim të një njeriu mizerje në dëshirën për të mësuar një fjalë më shumë shqip.
Kurse në filmin ‘’Në shtëpinë tonë’’ ai xhiron një tjetër karakter të babait në rolin e ‘’Stefit’’, atë të një babai punëtor sa dhe të drejtë, por kategorik në mendimet e veta, I sertë në pamje të parë, një njeri i përkushtuar për familjen sa dhe buzëvarur për prapësitë e vajzës dhe të djalit çapkën. Këtë rol në filmin ‘’Në shtëpinë tonë’’ si i thotë populli ai e qan.
Ai rikthehet rolit të fshatarit, aty ku ai ka ngjizur karrierën e vet me një lloj mirësie e drejtësie të pashoqë, në rolin e karrocierit te filmi ‘’Nëntor i dytë’’ në vitin 1982. Krah për krah Sandër Prosit, Bujar Lakos e një sërë aktorësh të tjerë profesionalë ata krijojnë një film që mbahet mend përmendësh nga publiku që e ka parë. Në vitet 1982, 1983, 1984 ai vjen në një sërë rolesh të tjera në filmat ‘’Besa e kuqe, ‘’Kohë e largët, e ‘’Nxënësit e klasës sime’’ te filmi ‘’Kohë e larget’’ ai rikthehet te roli i babait, po të një babai arketip i kohës, i butë, punëtor dhe i verbër, një baba që e di fare mirë se çfarë del nga urtësia e tij dhe shqetësimi për vajzën. Përkrah Ndriçim Xhepës ai luan bukur aty. Njëkohësisht luan rolin e babait inteletkual dhe të butë por të drejtë te filmi ‘’shirat e vjeshtës’’.
Butësia e tij është futur tashmë si pjesë e karakterit në role sa në jetë të përditshme.
Filma të tjerë ku ai luan janë, në 1987 ‘’Botë e padukshme’’, Në 2001 ‘’Parullat Lleshi’’, Në 2002 ‘’Njerëz dhe fate’’, ‘’Betimi, i ati i Florit’’, më pas në ‘’Tifozët Dyli ‘’. Kurse në vitin në vitin 2009 luan në ‘’Kronikë provinciale’’
Ku shprehet komedia e apo mbretëria e tij?
Luan tek komedia ‘’Odiseja e tifozave’’ në rolin e një njeriu të thjeshtë, film pa zë ku shprehen aktorë të ndryshëm komikë e situata gazmore.
Filmi “Rrugë të bardha” vazhdon në vrazhdën e njeriut të sitemit, në rolin e dytë të Ganiut, ai vjen si shok i Dedës, rol që e luan Rikard Larja, njeri simbol dhe hero i sistemit që jep jetën. Në muzikën e mrekullueshme të Limos Dizdari shfaqen dhe grimca gazmore të rolit të Ganiut me seriozitetin e punëtorit dhe shokut të Dedës.
Te komedia e vitit 1974 ‘’Duke kërkuar 5-orëshin’’ Ndrenika në rolin e Zeqos futet në mbretërinë e tij, komedinë, luan aq bukur meshtësinë e një punëtori që kërkon ‘qiqra në hell’ për një jetë më komode.
Në 1977 ai luan rolin e kapterit tek filmi ‘’Shembja e idhujve’’. Futet në rolin e një karakteri dallkauk të një kapteri të regjimit të Zogut, sa dhe përshtatet në një nëndialekt të veriut në të folur, ashtu barkmadh sa rondokop, kapteri del këndshëm dhe komedik, ashtu si duhet të ishte përkrah të madhit Kadri Roshi.
Dhe vjen viti 1978 ku ai rikthehet fuqishëm në një rol kryesor, atë të Fotaqit, në filmin ‘’Koncert në vitin 1936’’. I mrekullueshëm dhe i jashtzakonshëm në rolin e një nënpunësi findëlli ku fshihet sqimja e një pseudointelektuali të formuar, po aq sa i regjjur në finesën dhe xhentilesën e tij. Në këtë rol Robert Ndrenika bëhet madhështor për sytë e publikut. Përkrah aktorëve si Mirush Kabashi, Roland Trebicka e bëjnë këtë film legjendar, e ngrejnë në mënyrë hyjnore këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço. Roli i Prefektit sqimëtar ësthë i jashtzakonshëm, siç thotë ai ‘’Debil, Prefekt e jo perfekt’’, ‘’O Zot, mes këtyre injorantëve do të më shkojë gjithë jeta.’’ Serioziteti i tij elegant dhe finok në ironinë e tij dallkauke lë mbresa komike në këtë rol.
Përsëri te mbretëria e tij, në rolin e filmit Agushi, që ‘’I thyen të gjitha me pjata e me filxhanë’’, ai në këtë rol di të kapë mjeshtërinë që i bëhet si buka që ha, si rakia që pi nga Ollga, rol i Violeta Manushit, e mrekullueshme përkrah tij. Agushi, babai i një vajze që do dhëndër sesbën në qytet sillet e përdridhet në një fshat ku kërkon autobuzë me miq dhe që merr zhgënjime të shumta.
Dhe ja në rolin e Qazim Mulltetit, rol ku shprehet maja e profesionalizmit të tij, ai jep aq bukur groteskun e një intelektuali si e do regjimi komunsit. Duket sikur është një paralelizim i rolit të prefektit të ‘’Koncert në vitin 1936’’, po këtu ai përsoset edhe më si rol, jepet më dinamikë, jepet një lloj serioziteti mondan dhe të një fshataresku intelektual, jepet si frika dhe mburrja, si forca dhe dobësia e postit. Është mrekulli të mbash mend batutat e shumta, të pafundme të këtij roli që ka mbetur në mendjen e publikut, është pak të thuash profesional, është i mrekullueshëm.
Në vitin 1984 ai kthehet fuqishëm në komedi por kësaj radhe në teatër, në komedinë‘’Shi në plazh’’, përkrah aktorëve si Viktor Zhysti, Xha Çomja, përkrah gruas së tij në rol Sandrës të luajtur aq bukur nga Vera Zheji vjen ashtu i meshtë, i drejtë, rondokop dhe i papërtuar në fjalët që thotë, në situatën e shumë skenave gazmore ai vjen në identitetin e vet si aktor profesional, në mjeshtërinë dhe mbretërinë e tij, në atë që ai di ta bëjë aq mirë, në komedinë shqiptare.
Rolet e tij vazhdojnë në çdo vit, por pjekja e tij profesionale, mjeshtëria e tij, karakteri i tij i butë e finok në sytë e tij ngulmues sa dhe një elegancë e pafshehur në veshje, vjen në komedinë e shkruar nga i madhi Andon Zako. Çajupi ‘’14 vjeç dhëndër, në filmin ‘’Përrallë nga e kaluara’’ me Vagjelin, babain e Gjinos dhe vjerrin e Marigosë të luajtur mjeshtërisht nga Elvira Diamanti. Një film ikonë në kinematografinë shqiptare. Ky film mbahet mend i gjithi përmendësh nga publiku me situata paafund humori, është nga ato arritje ku çdo aktor jep kontributin e vet në një profesionalizëm të afirmuar. Vit pas viti dhe kinematografia kishte arritur shumë suksese profesionale.
Vangjeli vjen i mrekullueshëm, i jashtzakonshëm, i duhur dhe i pastonuar në asnjë mimikë dhe asnjë frazë. Robert Ndrenika shkrihet në rolin e fshatarit të kamur dhe të bërë, të ndershëm po aq sa dhe të meshtë, të një roli që do kolosë si ai. Ky është një nga filmat më të mirë që ai është shkrirë në rol.
Ai sikur kishte lindur për këtë rol me këmishë. Por ka dhe ato role si te filmi gazmor ‘’Edhe ashtu edhe kështu’’ ku mimika dhe plastika, zgjatja e frazave sa dhe idiotësia intelektuale e shtirë dhe servilizmi, dhe sidomos servilizmi shprehet në mënyrë mbretërore në komedi. Edhe ky film i dashur për publikun ngelet i paharruar për të. ‘’Telefoni na bashkoi, telefoni na ndau’’, ‘’Mos harro koncertin, shfaqien…’’. Servilizmin në këtë film Robert Ndrenika e sjell në një karakter dy polesh, midis fuqisë dhe pafuqisë së tij, midis pushtetit dhe nënshtrimit, midis hallit dhe dëshirës, groteskut, midis një mimike që ndërron ngjyra në çdo situatë psikologjike në varësi të komshijve apo gazetarit, thjesht siç di ai në komedi, brilant.
Dramaturgjia kombëtare
Në dramaturgjinë shqiptare ka interpretuar në role të ndryshme si: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës.
Dramaturgjia e huaj
Nga dramaturgjia e huaj mund te përmendim “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.
Në vitin 2009 ka luajtur në filmat ‘’Kronikë provinciale’’, apo komedinë tifozët në vitin 2004. Ai futet në botën e një personazhi kapriçoz me huqet e krijuara nga Neil Simon përmes premierës “Djemtë gazmore”.
Tashmë te ai është portretizuar një personalitet i veçantë dhe dallues nga të tjerët që zë vendin e vet në artin shqiptar. Vazhdon te jetë aktiv në teatër dhe në shumë kauza që lidhen me teatrin.
Ai është një nga aktorët më të mirë për publikun shqiptar, dhe publiku shqiptar për të është udhëtar i përhershëm.