Amerikanët kanë nxjerrë zbuluar ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë kohëve të fundit ai ka hyrë në një debat të fortë me presidentin kosovar Hashim Thaçi. Berisha e ka akuzuar këtë të fundit si argat të Beogradit, por në fakt faktet flasin shumë ndryshe. Gazeta po tregon sot disa shkrime të gazetës amerikanë “The New York Times” në vitin 1995, e cila ka treguar me detaje se si Berisha ka punuar për interesat serbe.
Sot ai e mohon që ka pasur lidhje me serbët, por faktet flasin ndryshe. Dihet që Berisha theu embargon e OKB ndaj Jugosllavisë dhe dërgoi miliona litra karburant. Por gazeta amerikane ka hedhur dritë mbi shumë detaje të tjera, që tregojnë favoret e Berishës ndaj Millosheviçit. “Miliona litra naftë e benzinë e zakonshme kanë kaluar muajt e fundit nga Shqipëria drejt fqinjit të saj verior.
SHBA ka shprehur shpesh shqetësimin e saj ndaj qeverisë shqiptare për këtë tregti, për të cilën monitoruesit e sanksioneve në Evrope thonë se arrin deri në gjysmë milioni litra në ditë. Administrata Clinton po merr në konsideratë një notë proteste, pasi vendi në Adriatik po kthehet në autostradën e karburantit të fqinjit të tij verior. Në pjesën e rrugës prej 20-milje që kalon përgjatë liqenit ka rreth 20 pika karburanti, cisternat e të cilave mbajnë rreth 300.000 litra, ndërsa po ndërtohen të tjera pika furnizimi.
Ky është një rajon i varfër me asgjë më shumë se fshatarë e bagëti, ku karrocat tërhiqen nga gjedhët nën zgjedhë dhe mjeti kryesor i transportit është biçikleta”, thuhet në shkrim. Gazeta shkruan më tej se Shqipëria ishte furnizuesja më e madhe e Serbisë, krahasuar me gjithë vendet bashkë të rajonit. Por aty theksohet se vetëm në 2 javë, janë dërguar 2 milionë litra karburant jo vetëm për tanket e Millosheviçit sikundër është deklaruar deri tani, por dhe për avionët që luftonin kundër kosovarëve.
“Gjatë dy javëve të para të shkurtit, rreth 2 milionë litra karburant është importuar në Shqipëri, duke përfshirë 500 milionë litra karburant avionësh Jet Fuel-1, tregojnë dokumentet shqiptare të doganave. Gjatë 10 ditëve të fundit të shkurtit, 40 000 litra karburant është transportuar drejt veriut të Shqipërisë me kamionë, llogarit policia shqiptare, por diplomatët e huaj thonë se shifra është shumë më e lartë. Shqipëria e veriut ka vetëm 1,583 automjete të regjistruara sipas institutit të statistikave”, thuhet në artikull.
Rrugët
Gazeta amerikane, ka treguar që në atë kohë rrugët që ndiqeshin për të dërguar karburantin në Jugosllavi. Ai merrej në Itali dhe më pas dërgohej nga Shkodra në Mal të Zi. Qeveria e Berishës përfitoi plot 22 milionë dollarë nga taksat që vinte për karburantin.
“Karburanti vjen në Shqipëri nga kompani italiane dhe greke, dhe hyn në Jugosllavi nga Mali i Zi. Nuk dihet me saktësi se çfarë ndodh me karburantin pas kësaj por diplomatët këtu thonë se besojnë se ai nuk qëndron në Malin e Zi, për të cilin ata thanë se ka pika kufitare ne zona të kontrolluara nga serbët në Bosnje, si dhe me vetë Serbinë… Kompanitë e naftës sjellin karburantin në portet shqiptare të Durrësit e Vlorës në detin Adriatik, ku më tej marrin kontrollin kompanitë shqiptare.
Autobotët më pas nisin rrugëtimin e gjatë e të vështirë drejt veriut, duke shpenzuar nganjëherë 20 orë në rrugët e këqija. Pasi ato arrijnë në Shkodër nafta kalohet në pikat e karburanteve, shumica e të cilave janë pika me dy pompa ku qëndron një njeri në një kasolle. Karburanti pompohet shpejt në kamionë të tjerë – residentët thonë se pikat e karburanteve janë gjithmonë hapur por punojnë më shumë gjatë natës – të cilët kryejnë rrugëtimin e shkurtër drejt liqenit të Shkodrës. Trafikantët nuk kanë frikë se shqetësohen nga autoritetet dhe shpesh veprojnë edhe ditën”, thuhet më tej.
Kliti Topalli