Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përgëzuar Shqipërinë për rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian. Ambasada Amerikane në postimin e saj në faqen zyrtare në Facebook, thekson se Shqipëria vijon që të bëjë përpara me reformat dhe se do të ketë gjithmonë mbështetjen e SHBA-së.
“Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe konfirmimin e saj se Shqipëria vijon të bëjë përpara në zbatimin e reformave jetike dhe të pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara që të punojnë me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfshirë edhe mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në vijim të reformave legjitime dhe kushtetuese gjyqësore” deklaron ambasada e SHBA-së.
Dje Komisioni Europian rekomandoi pa kushte hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në prezantimin e progres-raportit për ecurinë e vendit tonë në sajë të 5 prioriteteve kyçe për negociatat, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se Shqipëria ka bërë progres, dhe ka përmbushur reforma të cilat duhen shpërblyer nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federika Mogherini u shpreh se rekomandimi për çeljen e negociatave për Shqipërinë bazohet në çështje teknike të progresit të vendit dhe jo krizën politike. Mogherini tha se rekomandimi është i qartë dhe nuk ka kushte dhe për ketë arsye nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.