Në 10 qershor të vitit 1878 është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila në historinë e Shqipërisë është konsideruar si një nga ngjarjet më madhore të kombit tonë. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.
Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet.
Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.
Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.
Gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, përkujtimi i kësaj ngjarje bëhej si një ngjarje e zakontë historike dhe vetëm në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të kësaj Lidhje, ajo ngjarje u përkujtua me një bujë të madhe, duke vënë në funksionim të gjithë propagandën shtetërore. Mithat Frashëri është një prej personaliteteve të letrave shqipe, të cilën ai e pati botuar në vitin 1928 në revistën “Dituria”, me rastin e 50 vjetorit të asaj Lidhje. Ideja për mëvetësinë e shqiptarëve nga Perandoria është shumë më e hershme se sa koha e Lidhjes Shqiptare. Bazat e kësaj ideje i ka hedhur së pari Ali Pashë Tepelena (1740-1822).
Ali Pasha, faktikisht ishte sundimtar, de facto, i pavarur nga Sulltani. Fuqitë evropiane si Britania, Franca, Italia etj., kishin emëruar përfaqësuesit e tyre diplomatikë, pranë oborrit të Ali Pashës dhe në të gjitha dërgesat e tyre diplomatike që dërgoheshin në Londër, Paris apo Romë thuhej; Konsullata britanike/franceze/italiane në Janinë, Shqipëri, apo Prevezë, Shqipëri. Megjithatë, përpjekja e Ali Pashës për të krijuar një mbretëri shqiptare dështoi, dhe në vend të saj u krijua shteti i Greqisë.
Luftërat për shkëputje nga Perandoria Osmane vazhduan edhe gjatë viteve 1870-1880-ta, por të gjitha këto përpjekje dështuan. Në fillim të “Krizës Lindore”, e cila filloi me Traktatin e Shën Shtefanit në janar të vitit 1878, dhe më korrigjimin e këtij traktati në Kongresin e Berlinit, i cili u mbajt më 13 qershor 1878 në Berlin, ku tokat shqiptare u ndanë dhe një pjesë e tyre iu dhanë Greqisë, e cila mori Artën dhe Prevezën; Malit të Zi iu dha Ulqini, Tivari, Hoti Gruda; ndërsa Serbisë iu dha, Leskovci, Kurshumlia, Nishi dhe Prokupla.
Si rezulltat i këtij vendimi, ushtria serbe spastroi mbi 600 fshatra shqiptare dhe shpërnguli me dhunë nga trojet e veta mbi 150.000 shqiptarë. Ky ishte një nga spastrimet e para etnike në Ballkan, që ndodhi në vitet 1878-1879.
Komiteti Qendror Shqiptar i Korfuzit
Megjithë këto dështime të herëpashershme, përpjekjet për mëvetësim nga Perandoria Osmane nuk reshtën edhe pse të gjitha rezultuan pa sukses. Komiteti Qendror Shqiptar u themelua në Korfuz rreth vitit 1883, kohë nga ku për herë të parë datojnë dhe memorandumet e para të bëra nga ky Komitet dhe ushtroi aktivitetin e tij deri në vitin 1885.
Qëllimet e Komitetit Qendror Shqiptar
Synimi i Komitetit Qendror Shqiptar të Korfuzit ishte krijimi i një Konfederate Greko-Shqiptare nën mbretin Xhorxh. Për këtë, ky Komitet i ka dërguar disa memorandume përfaqësuesve të fuqive të Mëdha si dhe shtypit grek të kohës, për të përkrahur idenë e konfederatës dhe për zbatimin e plotë të vendimeve të Traktatit të Berlinit, lidhur me çështjen e kufinjve shqiptarë. Sipas të gjitha gjasave, ekzistenca e këtij Komiteti nuk ka patur ndonjë influencë të madhe dhe nuk është marrë seriozisht as nga shqiptarët e as nga grekët, madje as edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilëve ky Komitet i është drejtuar me Memorandume. Po kështu, pa ndonjë interes të madh ka kaluar veprimtaria e këtij Komiteti edhe tek qarqet zyrtare të Perandorisë Osmane, të cilët kanë qenë në dijeni të ekzistencës së tij./Konica/