Në mesin e prokurorëve të Krimeve të Rënda, në listën e procesit të vettingut bën pjesë edhe numri dy i këtij institucioni Gentian Osmani.
Dosja e verifikimit të ligjshmërisë së pasurisë së Osmanit i është bashkuar dosjes së 67 prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilat që vitin e kaluar, janë marrë në dorëzim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në media është raportuar se pasuria e më pak se gjysmës së 68 prokurorëve dhe gjyqtarëve ka rezultuar me probleme ligjore, të cilat janë reflektuar në dosje, shkruan CNA. Thënë ndryshe, nëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit do të konfirmojë gjetjet e konstatuara nga ILDKP, prokurorët dhe gjyqtarët të gjetur me probleme ligjore, do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë.
Ende nuk dihet, nëse dosja e prokurorit Osmani, ka rezultuar me probleme ligjore, por referuar deklaratës së pasurisë së tij, pavarësisht çudisë me çmimin e blerjes dhe shitjes së një apartamenti, është i vetmi që ka deklaruar burimin e të ardhurave.
Gentian Osmani, i cili është në verifikim apo më saktë nën hetim pasuror nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është njëri nga prokurorët që po heton ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në kohën që Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi heqjen e imunitetit të Tahirit, pranë Këshillit të Mandateve, Osmani u sulmua dhe u shënjestrua si i lidhur me ngjarjen e Gërdecit.
Kjo për shkak se babai i tij, Ahmet Osmani, ka qenë zyrtar i kompanisë shtetërore të eksportit të armëve, MEICO, në Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur shpërtheu Gërdeci.
Çudia me shitjen e shtëpisë
Prokurori Gentjan Osmani ka deklaruar në vitin 2016, një apartament 1+1 me sipërfaqe prej 72 metra, tek Komuna e Parisit me vlerë 67.680 euro, nga e cila ka paguar 63.680 euro.
Sipas tij, diferenca prej 4 mijë euro ka zbritur si penalitet kontraktor për dorëzimin me vonesë të pasurisë.
Me datë 13.10.2016 në Zyrën Vendore te Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme, është bërë rivlerësimi i pasurisë në shumën 80.000 euro.
Të njëjtën pasuri Osmani e ka deklaruar të shitur, por 13 mijë euro më shumë se e ka blerë.
Apartamentin që e ka blerë 63 mijë euro, ku gjysmën e ka ai dhe pjesën tjetër bashkëshortja, gjyqtarja Marinela Osmani, e ka shitur në datën 19.12.2016 në vlerën 80 mijë euro, duke fituar kështu 13 mijë euro.
80 mijë eurot e fituara nga shitja e apartamentit i ka depozituar në bankë.
Gjithashtu ai ka deklaruar një autoveturë mercedez benz 204, viti i prodhimit 2007, me vlerë 900.000 lekë, të cilën e ka deklaruar si pasuri të përkohshme, llogarinë bankare në shumën 353.24 euro.
Sipas tij, burimi i i krijimit të kësaj shume vjen nga një udhëtim i bashkëshortes për një trajnim në programin e organizuar nga International Financë Corporation “Word Bank Group” në Malajzi.
Gjithashtu ai ka deklaruar kursime në vlerën 1.000.000 lekë, pagën dhe shpërblimet të përfituara nga detyra si prokuror i Krimeve të Rënda, në shumën 1.696.167 lekë, shpërblimin si anëtar i këshillit të Prokurorisë për pjesëmarrje në mbledhje në shumën 76.500 lekë, pagën dhe shpërblimet e bashkëshortes të përfituara nga detyra si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në shumën 1.333.012 lekë.