Më 26 shkurt 1959, Hoxha, i cili pushonte në vilën e bllokut në Plazh, kishte inspektuar rrugët dhe sheshet. Ai u revoltua së tepërmi me ambientin e qytetit bregdetar, të “mbajtur shumë keq, jo pastër, nuk duket fare dora e komunales dhe e kuadrove drejtues të Durrësit”. Ky fakt kureshtar mësohet nga një shënim në Ditarin sekret.
Ja dokumenti:
“DURRES, E ENJTE, 26 SHKURT 1959
Shkova në Durrës. Më bëri përshtypje shumë të keqe ambienti i qytetit, që është mbajtur shumë keq, jo pastër, nuk duket fare dora e komunales dhe e kuadrove drejtues të Durrësit. Kjo është me të vërtetë revoltuese. Për këtë arsye thirra në raport sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të Rrethit dhe kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Qytetit “për t’u larë kokën”, që ata “të lajnë qytetin”.
Shokët s’kishin ku të futeshin nga turpi kur u tërhoqa vëmendjen për gjendjen e keqe të qytetit të tyre. Ata më premtuan se do të marrin masa menjëherë.
I paralajmërova se do të dërgoj njerëz që të bëjnë kontroll dhe, në rast se nuk do ta gjejnë qytetin në rregull, do të kërkoj të merren masa të rrepta nga Byroja Politike dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor ndaj shokëve përgjegjës”.