Izet Haxhia rikthehet në DITA tërthorazi, nëpërmjet avokatit të tij të ri Idajet Beqirit. Pavarësisht akuzave të rënda që Izeti ka lëshuar kundër ish shefit të tij, Sali Berishës, në gjysmën e parë të vitet 90, tashmë të njohur publikisht nëpërmjet librit “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” i cili do të jetë dhe një provë dokumentare në gjyqin që do të zhvillohet së shpejti për çështjen “Hajdari”, nga kjo intervistë me avokatin e tij mësohet se Izeti ka edhe shumë dëshmi të tjera kundër Berishës dhe që sjellin një tablo të re të ngjarjes.
Vrasja e Azem Hajdarit nuk ishte e rastësishme dhe, sikurse shprehet avokati, falë vetingut që po bëhet në sistemin e drejtësisë, do të zbardhet përfundimisht e vërteta dhe do të dalin se cilët janë autorët e vërtetë të krimit që tronditi politikën shqiptare 21 vite më parë. Pra kemi një optikë krejtësisht të re ku sipas Izet Haxhisë, përgjegjësi kryesor është Sali Berisha.
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Zoti Idajet, jemi të çuditur se si e pranuat detyrën e avokatit për Izet Haxhinë, ndërkohë që dimë se ju keni pasur një përplasje publike me të para dy vjetësh. Si e arritët mirëkuptimin dhe a ju ka kërkuar falje Izeti?
– Në fakt konfliktet e ashpra, deri në ekstrem, madje të dhunshme të Izet Haxhisë, kanë nisur shumë herët, qysh kur ai shkoi badigard i Sali Berishës. Herë pas here Saliu, sa herë i ikte mëndja nga shkrimet e mia kritike kundër tij në gazetën “Kombi” dhe në organe të tjera të shtypit të kohës, e vërsulte Izetin me kompani kundër meje. Kulmi i dhunës së ushtruar ndaj meje me nxitjen e drejtpërdrejtë të Saliut ishte në vitin 1998…
Mirëpo Izet Haxhia në atë kohë mendonte se po i shërbente Presidentit të Republikës së Shqipërisë, jo kryebanditit të Shqipërisë dhe shërbëtorit të Beogradit. Unë e kam njohur prej kohësh familjen “Haxhia”, atdhetarinë dhe besnikërinë e saj, burrërinë dhe karakterin në përgjithësi të saj dhe kam qenë i bindur se një ditë, bijtë e kësaj familje do ta njihnin mirë Saliun dhe do të dinin se si të distancoheshin prej tij.
Izet Haxhia më zgjodhi avokatin e tij, sikurse mw wshtw shprehur, në radhë të parë për profesionalizmin, për etikën në profesion, për karakterin, por edhe për të kërkuar një ndjesë, siç dinë të kërkojnë ndjesë malësorët e vërtetë shqiptarë, të cilët kërkimin e ndjesës e shtrijnë deri në dhënien e besimit për gjënë më të rëndësishme të jetës së tyre.
– E pra, aktualisht ju jeni zyrtarisht avokat i Izetit. Sa i bindur jeni në drejtësinë e çështjes që ju mbroni?
– Akuza që i është bërë Izet Haxhisë dhe dënimi që i është dhënë janë shumë të rënda. Izet Haxhia kurrë nuk i ka pranuar akuzat. Ai ka evidentuar një numër të konsiderueshëm provash bindëse që vërtetojnë pafajësinë e tij dhe përfshirjen në krimin e vrasjes së Azem Hajdarit të personave të tjerë, me Sali Berishën në krye. Është një çështje shumë e vështirë, e manipuluar rëndë nga persona me pushtet, të cilët kanë vepruar në emër dhe në mbrojtje të Sali Berishës… Drejtësia post vetting nuk është dhe nuk do të jetë kurrë më si “dreqësia” e dreqit të pandreqshëm Sali Berisha. Ndaj besoj se do t’ia dalim.
– Ju keni kontaktuar me Izetin gjatë kësaj kohe. A ju ka thënë ndonjë detaj të ri të panjohur nga historitë e tij me Berishën?
– Jam takuar. Në takimin e parë në Burgun 302, ku është i izoluar, donte të më kërkonte falje. Dhe sapo tha fjalët e para të ndjesës, i vura dorën te goja dhe i thashë të mos fliste asnjë fjalë për këtë anë. Imazhi i tij, fytyra e tij, flisnin pa qenë nevoja të thoshte fjalë për të provuar arsyet se përse kishte qenë i detyruar t’i shërbente deri me naivitet një të pabesi si Sali Berisha…
Izet Haxhia është njohësi më i mirë, madje perfekt i Sali Berishës, i bëmave të tij të hershme dhe të derisotëm. Ai njeh mirë familjen e Berishës. Ai provat kundër Berishës, për të qenurit e tij të pabesueshëm dhe të pavërtetë në gjërat që thotë, i ka të hershme. Ato fillojnë qysh me ditëlindjen e Saliut, pse nuk ka në realitet këtë ditëlindje që ka sot, por ka lindur në një ditë dhe muaj tjetër, di arsyet e vërteta përse e ka bërë një gjë të tillë Saliu etj. Madje ai di me hollësi marrëdhëniet e hershme të Familjes së Berishës me babain e kryekriminelit të luftës Karaxhiç etj etj…
Më i bukur ishte një detaj i përjetuar nga vet Izet Haxhia kur vizitoi Shqipërinë Sekretari Amerikan Xhejms Bejker në vitin 1992 në Tiranë. Bejker vinte nga Beogradi. Kur po ngjitej në podiumin e mitingut te Sheshi Skënderbej, pa që pas tij kishte Sali Berishën. Dhe i tha Elez Biberajt që e kishte përkthyesin e tij: Po ky Karaxhiçi ishte në Beograd, kur erdhi para nesh këtu…?! Elez Biberaj qeshi dhe e sqaroi Bejkerin se ky është Sali Berisha, por i ngjan shumë Karaxhiçit …!
-Mendoni se kupa e Sali Berishës, pas gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur prej afro 30 vitesh në Shqipëri, është e mbushur me akuzat e Izetit?
– Populli thotë një fjalë: E drejta vonon, por kurrë nuk harron. Izet Haxhia ka aq shumë prova kundër krimeve të Sali Berishës, sa minimumi 5 herë me burg të përjetshëm duhet të dënohet prej drejtësisë shqiptare ky person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore .
-A keni besim se do ta fitoni këtë gjyq, i cili mund të konsiderohet nga më të rëndësishmit e 30-viteve të fundit?
– Do të jetë një gjyq i rëndësishëm. Ndoshta gjyqi i parë pas 28 vitesh ku gjyqësori shqiptar nuk do të veprojë më sipas urdhrave politike të Saliut dhe mbushjes së xhepave me para të pista, por sipas mendësisë së drejtësisë së pastruar nga vettingu…
– Si ju duket klienti juaj Izet Haxhia aktualisht? A është optimist në një përballje të mundshme me Sali Berishën?
– Është klient interesant Izet Haxhia. Nuk ka asnjë lidhje me ata që bëhen qaramanë në burg dhe, veç avokatit, detyrohesh të bësh edhe psikologun, që t’u mbash mendjen! Ai është i qetë, me humor të mirë, me mendjen top, tepër i kthjellët, i vendosur dhe i bindur se e ka të drejtën, të vërtetën dhe provat e shumta me vete, për rrjedhojë i bindur se do t’ia dalë mbanë…