Lulzim Basha, duke iu përgjigjur dy ditë më parë një letre të hapur të kryeministrit Edi Rama, i cili i propozonte një dialog pa kushte, refuzoi propozimin, me pretendimin se, në këto gjashtë vjet qeverisje, Rama duhet ta kishte dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen.
“Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit”, shkruante Basha, duke renditur “arsyet” e tij.
Shqiptarja.com provoi të bënte një ‘fact checking’ mbi akuzat kryesore të hedhura nga Basha, duke zbuluar se, në të vërtetë, gati gjithë argumentimet e tij janë thjesht ripropozimi i fushatave politike dhe mediatike të zhvilluara nga opozita në këto gjashtë vjet.
Natyrisht, opozita ka të drejtën dhe, ndoshta, edhe detyrën që të denoncojë qeverinë në detyrë, por, në rast se fjalët nuk i shoqëron edhe me prova, nuk mund të pretendojë që qeveria të dorëhiqet.
Ja 17 akuzat kryesore të paraqitura në fjalimin e tij nga ana e Lulzim Bashës:
1) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues
Ligji për dekriminalizimin është, sigurisht, një betejë, për të cilën merita i takon opozitës, edhe pse, pa votën dhe konsensusin e Partisë Socialiste në Kuvend, ligji nuk do të ishte miratuar. Gjatë zbatimit të këtij ligji, u zbulua edhe rasti i Elvis Roshit.
Gjithsesi, pikërisht ligji për dekriminalizimin tregon që, në rast se opozita bën një betejë të drejtë, ajo fiton, edhe duke mbetur si pakicë numerike. Ky është një argument më shumë, që e bën të pakuptueshëm vendimin e saj për të braktisur Kuvendin dhe që përgënjeshtron akuzat se mazhoranca socialiste ka refuzuar çdo nismë të opozitës.
2) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë
Në të vërtetë, mediat ndërkombëtare kanë filluar ta etiketojnë Shqipërinë si kryeqendër të drogës që nga koha e Lazaratit (2005-2013), një fshat që vetëm ai prodhonte më shumë marijuanë se ç’u prodhua ndonjëherë në vitet më pas në të gjithë vendin.
Lazarati ishte një bastion elektoral i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha gjatë tetë viteve në pushtet i mbrojti kultivuesit e drogës pa ndërhyrë asnjëherë. Kështu, Shqipëria u bë hambari i drogës në Evropë që në kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Pastaj e vazhdoi këtë rrugë.
3) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge.//Shqiptarja.com
Saimir Tahiri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, as në Itali, as në Shqipëri, për trafik droge. Në Itali hetimet për të u mbyllën me arkivim, pasi nuk kishte prova. Në Shqipëri procesi ende nuk ka nisur. Saimir Tahiri prej kohësh tashmë nuk është më ministër i Brendshëm, dhe Partia Socialiste, me votën e saj në Kuvend, autorizoi Prokurorinë që ta hetojë atë.
4) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë
Nuk rezulton asnjë kompani në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e lidhur me trafikun e drogës dhe nuk ekziston as edhe ndonjë hetim për të nga ana e Prokurorisë. Por janë reale marrëdhëniet mes vajzës së tij dhe anëtarit të një bande kriminale. Edhe për këtë arsye Qazim Sejdini nuk u kandidua më në zgjedhjet e 30 qershorit.
5) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant
Nuk ka asnjë provë që ish-ministri i Brenddshëm Fatmir Xhafaj të ketë mbrojtur vëllain Agron Xhafaj, të dënuar shumë vite më parë në Itali për trafik droge dhe, para së gjithash, se ai i paska lejuar atij të vazhdojë të trafikojë drogë.
Por ekziston prova që, pas denoncimeve të opozitës, Agron Xhafaj u detyrua nga vëllai i tij ministër që të dorëzohej tek autoritetet italiane për të kryer dënimin. Akuzat e bëra nga opozita ndaj Agron Xhafajt përmes një përgjimi të pretenduar, sipas Prokurorisë janë pjellë e një manipulimi, përgjegjësit për të cilin janë nën akuzë.
6) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës
Nuk ka asnjë provë dhe asnjë hetim që të lidhë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, me të ashtuquajturin “grupi i Xibrakës”, një bandë që prodhonte kokainë bashkë me elementë kolumbianë dhe përgjegjësit e tij u arrestuan dhe u gjykuan.
7) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe
Të ashtuquajturit “skandale të koncesioneve milionashe” kanë qenë në qendër të një fushate të gjatë nga ana e opozitës, krejtësisht të ligjshme nga pikëpamja politike, por një fushatë, e cila mbetet pikërisht në kufijtë e një argumenti politik që përdoret nga opozita.
Por, “skandal” duhet të quhet një aferë korruptive e zbuluar dhe e provuar nga organe të pavarura, si për shembull Prokuroria qe ne rastin e koncesioneve nuk ka patur. Po të mjaftonin akuzat e opozitës për të shtyrë një kryeministër të jepte dorëheqjen, asnjë kryeministër nuk do të ishte në pushtet në asnjë vend të botës perëndimore.
8) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco
Ngjarja e “D.H. Albania”-s, një kompani fantazmë, e cila, duke manipuluar dokumentat, arriti të fitojë dy tendera publikë me vlerë 30 milionë euro, sigurisht përbën një skandal të madh. Pas botimit të dokumentave që vërtetojnë skandalin, autoritetet shtetërore të përfshira në kontratë u vunë në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë drejtuesit e lidhur direkt apo indirekt me dy tenderat u shkarkuan, duke përfshirë ministrin Damian Gjiknuri.
Në asnjë demokraci një qeveri nuk vihet në diskutim (ose, më keq akoma, duhet të japë dorëheqjen) kur zbulohet një rast korrupsioni, qoftë edhe i rëndë, përveç rastit kur në të është përfshirë personalisht kryeministri. Kur, në vitin 2007, per shembull kreu aktual i opozitës, Lulzim Basha, u përfshi drejtpërsëdrejti në skandalin e Rrugës së Kombit, me një kosto prej më se 900 milionë eurosh dhe i cili u shpall nga Prokuroria si “person nën hetim”, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen kryeministri Sali Berisha, por nuk u dorëhoq as Lulzim Basha, i cili, madje, refuzoi të merrej në pyetje nga Prokuroria. Më pas, skandali u mbyll, pa u zhvilluar as edhe një process gjyqësor për të.
9) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit
Akuza, që u referohet zgjedhjeve të vitit 2017, bazohet mbi dy copa përgjime, të cilat përfshihen në dosjet e Prokurorisë 339 dhe 184, të cilat, në të vërtetë, sikurse e ka parë këtë kushdo, që i ka lexuar me vëmendje, nuk tregojnë asgjë. Hetimi ishte hapur në kohën kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla dhe kryetar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte Besnik Hajdarmataj. Të dy ata ishin prokurorë, qendrimet politike të të cilëve ishin haptazi kundër Partisë Socialiste e, megjithatë, as ata nuk gjetën dot asnjëherë prova të mjaftueshme për të inkriminuar ndonjë politikan socialist.
Më në fund, duhet të kujtojmë edhe një herë se zgjedhjet e vitit 2017 u konsideruan të vlefshme, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Ta quash të paligjshëm rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 dy vjet pas votimit, bën pjesë tek ato argument, që opozita është e lirë t’i përdorë për propagandën e saj, por nuk mund të pretendojë që, për shkak të kësaj propagande, një kryeministër apo një qeveri të japin dorëheqjen.
Po të ishte kështu, çdo opozitë në të gjithë botën demokratike do të mund të provokonte një krizë qeveritare, thjesht duke akuzuar qeverinë në detyrë se ka mbështetjen e një parlamenti të paligjshëm, duke denoncuar legjitimitetin e votimit, jo menjëherë pas zgjedhjeve, por në bazë të agjendës së saj politike. Një absurditet i tillë ka ndodhur vetëm në Shqipëri.
10)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje dhe kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor
Në planet e qeverisë së Edi Ramës ka qenë që në vitin 2013 lufta kundër informalitetit, duke përfshirë këtu luftën kundër vjedhjeve të energjisë elektrike dhe ndërtimeve pa leje. Fakti që Partia Demokratike, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe ish-kryetari i Bashkisë Lulzim Basha prej vitesh e kanë konsideruar informalitetin si një burim konsensusi elektoral, duke krijuar anarki dhe pandëshkueshmëri, nuk do të thotë që edhe qeveria e re socialiste duhej të ndiqte të njejtën rrugë.
Kush ndërton pa leje duhet të pranojë rrezikun se, një ditë, shtëpia e tij do të shembet, edhe pse, në shumë e shumë raste, qeveria u ka garantuar një shpërblim, por qe shumë banorë e kanë quajtur si të pamjaftueshëm. Kjo, sidoqoftë, nuk shmang ekzistencën e një standardi të dyfishtë, që zbatojnë gjykatat, të cilat tregohen shumë të rrepta me hajdutët e energjisë elektrike (kryesisht njerëz të varfër) dhe shumë të dobëta me trafikantët e drogës. Por, funksionimi i keq i gjykatave dhe korrupsioni i drejtësisë nuk filluan sot dhe nuk mund të akuzohet qeveria për këtë.
Ekziston një problem politik i drejtësisë, të cilin mazhoranca dhe pakica sëbashku e kanë përballuar, duke votuar bashkë reformën e drejtësisë.
11)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre
Edhe protestuesit e 21 janarit 2011 protestonin kundër korrupsionit të qeverisë, por Berisha (kryeministër) dhe Lulzim Basha (ministër i Brendshëm) u përgjigjën duke përdorur plumbat në vend të gazit lotësjellës.
Jo vetëm që nuk dhanë dorëheqjen, por, pasi kuptuan se sa e rëndë ishte ajo që kishte ndodhur (me katër protestues të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur) urdhëruan menjëherë blerjen e gazrave lotësjellës “neuroparalizues”, armë kimike, që do të kishte shkaktuar shumë viktima të tjera.
Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve i shtyu ta pajisnin Policinë me gaz lotësjellës “normal”, të njejtin gaz që sot e përdor Policia kundër protestuesve, që hedhin gurë e bomba Molotov kundër policëve. Dhuna është e tmerrshme nga secila anë të vijë.
Por, për Bashën dhe Berishën, mënyra më e mirë për të shmangur që Policia të përdorë gazrat lotësjellës është t’i urdhërojnë militantët e tyre të mos përdorin asnjë dhunë kundër institucioneve. Por të mos e bësh këtë, e më pas të akuzosh forcat e rendit pse janë mbrojtur, kjo është vetëm hipokrizi.
12)Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE
Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë e i vështirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm në Shqipëri. Por, opozita do të kishte patur të drejtë ta akuzonte qeverinë nëse, ndërkohë, ajo do ta kishte bërë detyrën e saj dhe të kishte dhënë kontributin e saj.
Për fat të keq, edhe një herë tjetër (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur palët ishin në pozita të anasjellta, pra, kur në qeveri ishte Partia Demokratike), negociatat me Bashkimin Evropian konsiderohen nga politika vetëm si një detyrë e mazhorancës, të cilën opozita ka të drejtën të tentojë ta pengojë, për t’i hequr mazhorancës meritën e një suksesi eventual.
13) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë
Emigrimi nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura është një fenomen global, i cili, sikurse tregojnë lajmet nga Evropa, nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Ata mijëra shqiptarë, që emigrojnë nga Shqipëria, e bëjnë këtë për arsye ekonomike dhe pse nuk kanë besim në të ardhmen e tyre në atdhe.
Një mesazh kritik, që duhej të alarmonte të gjithë klasën politike: atë që qeveris, por edhe ate që kandidon për të qeverisur dhe që duket se nuk arrin të përfaqësojë për askënd një shpresë të re.
14) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë
“Largimi i investitorëve të huaj” nuk konfirmohet nga asnjë statistikë zyrtare.
Duke bërë bilancin e qarkullimit të kapitaleve në Shqipëri, Banka qendrore e vendit ka pohuar pak javë më parë se, gjatë vitit 2018, është shënuar rekordi i inevstimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë, me më shumë se 1 miliard euro të investuara në 12 muaj.
Këtu përfshihen investime gjigande në energjetikë, në gazsjellës, hidrocentrale, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Po ta konsideronin si një “terren të minuar” Shqipërinë, këta investitorë të mëdhenj nga bota perëndimore do t’i kishin lënë përgjysëm investimet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi.
Kurse per sa i perket “bizneseve ruse” Lulzim Basha do të bënte mirë t’ia tregonte Prokurorisë, qe po e heton pikerisht per kete dhe lobimet e tij.
15) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë lëshuar alarmin për shtimin e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të korrupsionit në Shqipëri, duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë me masa të rrepta. Në kohën e qeverisë Berisha, për këtë fenomen nuk flitej hapur, jo pse nuk ekzistonte, por pse qeveria e PD-së i ndalonte kujtdo të fliste publikisht, duke përfshirë mediat.
Marrëdhëniet mes kriminalitetit dhe politikës ishin një tabu’ e vërtetë, për të cilën kishte censurë tek gati të gjithë gazetarët. Ndërmjet masave të kërkuara ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar, hyn edhe reforma e drejtësisë, e cila vetëm tani u pranua dhe po zbatohet.
Në të gjitha deklaratat e kohëve të fundit, që janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pohohet se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara në këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke arritur të shkatërrojë gati krejtësisht të mbjellat me drogë.
Por, është e vërtetë që të famshmit “peshqit e mëdhenj” ende nuk janë në burg, edhe pse në një demokraci moderne, në të cilën është në fuqi ndarja e pushteteve, janë fajtorë Prokuria dhe Gjykatat që lirojnë kriminelët dhe nuk është qeveria në pushtet. Problemi i krimit, për fat të keq, ekziston në të gjithë botën dhe politika, mediat e shoqëria civile kanë të drejtën dhe detyrën ta denoncojnë, por qeveritë nuk detyrohen për këtë arsye të japin dorëheqjen.
16)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private
Në të vërtetë, skandali mbi negocimin e kufijve me Greqinë ka patur të bëjë pikërisht me qeverinë Berisha, në atë pikë sa Gjykata Kushtetuese e anuloi atë marrëveshje ndërkombëtare, të nënshkruar nga Berisha dhe nga qeveria e tij me Athinen.
Kurse qeveria Rama mori përsipër ta rinegocionte atë marrëveshje, me synimin për të mbrojtur më mirë hapësirat territoriale të Shqipërisë, por deri tani Greqia ka refuzuar të pranojë kushtet e vendosura nga Tirana, pikerisht pse jane të konsideruara të dëmshme për interesat e Greqisë.
17) Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private
Historia e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e të ashtuquajturit plan “për shkëmbimin e territoreve” është në qendër të një debati të gjerë ndërkombëtar, ku janë përfshirë Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Serbia e Kosova dhe në të cilin qeveria e Tiranës dhe Shqipëria nuk kanë asnjë rol, as ligjor, as formal.
Edhe po të donte, Edi Rama nuk ka asnjë kompetencë për t’u marrë me kufijtë e një shteti tjetër (dhe aq më pak për të bërë negociata) dhe ta akuzosh atë për të kundërtën thjesht është qesharake.