Sulmet e Sali Berishës ndaj Hashim Thaçit kanë rritur tensionet Shqipëri-Kosovë. Ideja e korrigjimit të kufijve ka ndarë si politikën kosovare dhe atë shqiptare, duke sjellë dhe sulme e akuza nga më të rëndat. Të enjten Berisha sulmoi sërish Hashim Thaçin, ndërsa dje përveç këtij të fundit, ka reaguar dhe deputeti kosovar Milaim Zeka.
Ky i fundit ka pasur rol në luftë dhe gjithmonë ka treguar të vërteta të shumta mbi Berishën. Ai dje ka reaguar në rrjetet sociale ndaj ish-kryeministrit shqiptar, duke i renditur me pika të gjitha mëkatet që ka bërë Berisha. Zeka e ka akuzuar se i ka bërë puçe Ibrahim Rugovës, ndërsa ka deklaruar se ka dijeni dhe për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Ky i fundit ishte një personazh shumë i rëndësishëm në Kosovë, i cili në 21 shtator 1998 u vra në Tiranë.
Dyshimet janë se ishte një akt tradhtie, pasi ai kërkohej nga serbët dhe u strehua në Tiranë, por dikush e kallëzoi. Por Zeka ka deklaruar se Berisha ka dijeni për të, ndërsa flet dhe për një shumë parash të gjetura në kasafortën e ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidede.
“Fare nuk foli për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, për të cilin ai dhe Bujar Bukoshi e dinë me saktësi se kush janë vrasësit. Nuk foli për 600 mijë marka të Bujar Bukoshit që u gjetën në kasafortën e Bashkim Gazidedes”, duke ju referuar deklaratave të Berishës në emisionin “Opinion. Ai është ndalur dhe te vizita e Arkanit të Serbisë, duke thënë se ai ka qenë edhe në Pogradec, edhe në Shkodër.
“Në emisionin Opinion, të Blendi Fevziut, Sali Berisha pranoi për herë të parë se: “Arkani ka vizituar Pogradecin, po nuk tregoi që ai kishte vizituar edhe Shkodrën. Sali Berisha nuk e pranoi që krejt kjo vizite u ba në koordinim me Gazideden, shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar. E pranoi që ashtë thy embargoja e naftës, po fajin ua la fshatarëve që mbanin naftë me “maune dhe gomar”! Foli për Ibrahim Rugovën, pa tregu për puçin e madh që ja ka ba me Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafën”, tha Milaim Zeka.
Vrasja e Ali Ukës
Deputeti kosovar është ndalur dhe te vrasja e Ali Ukës. Berisha akuzon Thaçin si të përfshirë, por Zeka jep një tjetër version që fundos ish-kryeministrin Shqiptar. “Foli për Hashim Thaçin dhe vrasjen e Ali Ukës, pa tregu që atë dosje ia ka dorëzu edhe Gjykatës Speciale, edhe atij prokurorit serb, për të cilin fliste.
Nuk tregoi fare për misionin që ka pasur vajza e tij në UNMIK, bashkë me Lul Bashën dhe mos vallë pikërisht për përmbushje të këtij misioni, Luli u shpërblye me postin e të parit të PD-së”, tha ai. Ai i ka kujtuar Berishës dhe sulmet ndaj medias, apo përplasjet me Haklajt.
“Nuk foli për rastet e kidnapimeve dhe rrahjeve të gazetarëve, djegien e redaksisë të gazetës “Koha Jonë”, krime të cilat i ka shly më parë… Nuk foli për zhdukjen e familjes Haklaj në Tropojë, e shumë krime tjera”, tha ai.
Berisha kundër Kosovës
Edhe pse Berisha po mundohet kohët e fundit të tregojë se është kundër ndryshimit të kufijtë për të ndalur dajren e Kosovës, historia flet ndryshe. Akuzat se ai theu embargon për të mbushur me naftë tanket e Millosheviçit kundër Kosovës, janë konfirmuar dhe nga CIA.
“Transportuesit shqiptarë po trafikojnë sipas llogaritjeve 400-600 ton naftë (2900-4400 fuçi) në ditë drejt Maqedonisë. Me gjithë shqetësimin e Tiranës për fatin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në jug të Jugosllavisë, Shqipëria nuk ka vullnetin të reduktojë trafikimin dhe ndalimin e fitimeve të tij të paligjshme.
Shqiptarët janë të varfër, dhe fitimet e mëdha të trafikut të kontrabandës janë mjaft atraktive. Për më tepër qeveria merr taksa të larta nga paratë të kontrabandës së naftës dhe zyrtarët e korruptuar kanë fitime personale nga trafiku. Edhe nëse Tirana dëshironte një ndalim të trafikut, asaj i mungon personeli dhe burimet për ndalimin e tij”, thuhet në një dokument të deklasifikuar nga CIA. Pra kjo tregon qartë lidhjet e Berishës me serbët./Kliti Topalli