Debati për rolin e luftës partizane është ndezur sërish. Ditën e djeshme Parlamenti miratoi rezolutën për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ku nuk munguan akuzat, përplasjet dhe debatet.
Kreu i Institutit për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa prezantoi raportin vjetor të punës së institutit që drejton. Por pas tij e mori fjalën deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, duke mos kursyer sulmet dhe akuzat në adresë të kreut të ISKK, Agron Tufa. Nga foltorja e Parlamentit, deputeti Braho akuzoi Tufën se e ka kthyer Institutin në celulë të Ballit Kombëtar, ndërsa i tërhoqi vëmendje që të mos baltosë LANÇ.
Sipas tij, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte një luftë që i solli Shqipërisë lirinë dhe si e tillë nuk duhet të intimidohet, pasi është pasuri kombëtare. “Zoti Tufa e keni kthyer institutin në celulë të Ballit Kombëtar me plot gojën. Jo vetëm se jeni mbledhur aty me kokrra, por po luani me zjarrin duke shkelur ligjin dhe shpërdoruar LANÇ, të cilët nuk e bëtë ju as soji ju.
As Milodin Popovic e as Dushan Mogosha, siç shpreheni vetë. Luftën e bënë bijtë e këtij vendi, partizanët e partizanet edhe ata ballistë që pas 24 majit u rreshtuan në rreshtat partizane si dhe koalicioni i madh antifashist sovjeto -anglo-amerikanë që kanë varret këtu tek ne së bashku me varret e mijëra dëshmorëve partizanë.
Ngule këtu në këtë punë. LANÇ nuk ishte luftë civile por luftë patriotike dhe çlirimtare. Nuk ishte kriminel Spiro Moisiu, Memo Merto, Raman Parllaku, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Nazmi Rrushiti, Heronjtë e Vigut e mijëra të tjerë”, deklaroi ai.
Të hetohet dhe shkarkohet Tufa
Duke vijuar më tej me tone të ashpra, deputeti Braho akuzoi kreun e ISKK, Agron Tufa, duke e etiketuar si një neofashist që ka si synim deformimin e së vërtetës, sa i takon rolit të LANÇ. Në këtë kontekst, Braho u shpreh se është e papranueshme që përmes punës së Institutit, Tufa po ngre në piedestal ballistët, të cilët ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashistëve, ndërkohë që po denigron dhe helmon rolin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Madje, për t’i treguar Tufës se është kryekëput gabim, deputeti socialist i kërkoi Parlamentit që të hetojë Tufën dhe ta shkarkojë atë. “Në njërën prej botimeve të Institutit tuaj, hidhej baltë mbi LANÇ dhe konsideroheshin kriminelë 240 drejtues të luftës. Do perifrazoj kryeministrin që tha larg duart nga vitet 41-45.
Sepse neofashistët e tipit Tufa e Çela kërkonin nëpërmjet artificave të glorifikonin bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit. Kështu që, ju hileqarë keni qenë në luftë dhe hileqarë dhe tani në demokraci. Ju s’keni certifikatë sigurie. Ju zoti Tufa për shkak të shkeljes së ligjit duhet të hetoheni nga drejtoria e monitorimit të Kuvendit dhe ta lini detyrën si i papërshtatshëm”, u shpreh ai.
Braho “thumbon” kreun e ISKK
Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho i kërkoi Tufës që të mos përbaltë letërsinë dhe filmat që trajtojnë luftën partizane. “Deri më sot asnjë nuk e dinte që ekzistonte ky Institut, i miratuar nga mazhoranca e Sali Berishës në 2010. Po meqë është mirë bëhet dhe jam plotësisht dakord të ekzistojë. Ky institut drejtohet nga një letrar që ka mbaruar për letërsi në ish-Bashkimin Sovjetik. Dua t’i them këto fjalë pasi më erdhi në mend një debat që më ka ngacmuar tërë kohën që ky studiues hidhte baltë dhe kërkonte heqjen nga qarkullimi të filmave dhe letërsisë para viteve ‘90”, nënvizoi Braho. /Rigels Seliman /Agjensia e Lajmeve Sot News/