Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prishur planet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bllokuar nga brenda zgjedhjet. Teksa çdo ditë flitej për dhunë dhe përplasje në 30 qershor, Basha dhe Kryemadhi bënë një lëvizje strategjike, duke vendosur që të dërgojë anëtarë pranë Komisioneve Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Edhe pse kjo lëvizje fillimisht dukej si sinjal për të hyrë në zgjedhje, pas kësaj strategjie fshihej plani për të për të bllokuar zgjedhjet. KZAZ-të bëjnë ndarjen e materialeve të votimit, si dhe emërojnë komisionerët e qendrave të votimit dhe numërimit.
Por dje 4 anëtarët e KQZ nuk e kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë duke mos e miratuar vendimin për emërimin e komisionerëve. Anëtarët socialiste në KQZ kanë argumentuar votën kundër, me arsyetimin se PD dhe LSI i kanë bojkotuar këto zgjedhje.
“Nëse nuk je i regjistruar në zgjedhje nuk mund të kesh pjesë në administrimin dhe në menaxhimin e zgjedhjeve. Nuk mund të çosh komisionerë në strukturat e nivelit të dytë dhe të tretë. Është shumë e qartë. Nuk e di pse u bë ky provokim”, tha nënkryetari Denar Biba.
Kërkesa e PD-LSI
Fjalën e Denar Bibës e ka kundërshtuar kryetari i KQZ Klement Zguri, i cili ishte i vetëm që dha votën pro për emërimin e komisionerëve të opozitës. Sipas Zgurit, kërkesa e PD-LSI për të emëruar komisionerët, edhe pse nuk janë subjekte zgjedhore janë brenda kornizave ligjore. “Kolegët e mi fokusim më shumë moral, se sa ligjor.
Pasi kemi kaluar gjithë këto hallka ligjore. Ligji thotë se anëtarët e emëruar qëndrojnë deri në emërimin e anëtarëve nga partitë politike, sipas këtij neni zëvendësimi duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Nëse nuk janë parti politike, ti themi gjykatës të sjellë nëse këto janë parti politike apo jo.
Përveç një lloj mortaliteti nëse është apo jo qëllimi i duhur, i keq apo jo…le të ma thonë nëse kjo gjë ndalohet. Nëse ka një nen në ligj që ndalon kërkesën e partive. Partitë po zëvendësohen me qytetarë, si, ku? Ne po shkojmë një gjë më të avancuar. Po një qytetar kush do ta propozojë? Unë them se kërkesa është korrekte dhe duhet të pranohet”, u shpreh Zguri.
Reagon PD
Ndonëse mbledhja e djeshme në KQZ u shoqërua me debate të forta, PD ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Këshilltari ligjor i PD Ivi Kaso paralajmëroi anëtarët se nëse nuk udhëhiqen nga ligji do të përballen me forcën e tij. “Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.
Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve.
Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, tha Ivi Kaso. Sipas tij, vendimi i KQZ ishte me urdhër politik.
“KQZ në mënyrë të paprecedentë në mënyrë antiligjore dhe me urdhër të drejtpërdrejtë të eksponentëve të PS-së, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla iu nënshtruan presionit joligjor dhe i mohuan opozitës së bashkuar të drejtën e saj për të paraqitur komisionerë në KZAZ.
Është një e drejtë që opozitës i buron nga fryma e Kushtetutës, nga Kodi Zgjedhor”, tha Kaso.
Elisjeda Kiko