Legjenda të ndryshme urbane rrëfejnë se shkenctari Albert Einstein vishej gjithmonë njësoj: të njëtat pantallona, xhaketë dhe këmishë… Sigurisht, kishte disa në garderobën e tij, por ishin identike me njëra tjetrën.
Bestytni apo thjesht prakticitet? Kurrë nuk do ta zbulojmë, të paktën jo si në rastin e Gabor Kiraly, portieri që bëri gjithë Hungarinë të dashurohej pas tij prej 25 marsit të vitit 1998, në “Ernst-Happel Stadion” të Vjenës, në miqësoren ndaj Austrisë së Michael Konsel.
Gabor është vetëm 22 vjeç dhe është debutimi absolut me kombëtaren. Deri në minutën e 7-të, topin nuk e kishte prekur aspak. Pikërisht në atë moment, Hungaria shkakton penallti dhe të gjithë shohin portierin teksa merr topin në dorë, nis të luajë me të dhe madje ka edhe një “bashkëbisedim”, sikur t’i fliste dhe thoshte: mos më mposht, jo sot, jo tani!
Pasi kalon 1 minutë me sferën, ia hedh kundërshtarit që e godet: pritje fantastike dhe publiku në këmbë. “Po ky personazhi me tuta gri nga doli?!”, do të kenë pyetur të gjithë… Personazhi i fundit i viteve ’90, portieri që ka mbyllur karrierën e tij dhe do të zhveshë të famshmet tuta pas plot 26 vitesh, edhe pse karriera e tij te klubi i zemrës, Haladas, do të niste kur ishte ende një fëmijë.
E të mendosh që 3 vite me parë, në Europianin e parë historik të Shqipërisë (Francë 2016), portieri i lindur në Zhnombatheli, do të vendoste rekordin si futbollisti më i vjetër që zbriste në fushë në një Europian (aty ku u përballë edhe me Cristiano Ronaldon).
Më shumë se 800 ndeshje si profesionist, 108 me kombëtaren maxhare dhe një Champions e luajtur me fanellën e Hertha Berlinit, aty ku trajneri e ndaloi që të bënte rivënien e çmendur nga shtylla e portës së tij…
Por, le të kthehemi te misteri i tutave të gjëra gri, që sot janë në dollapin personal të portierit hungarez. Thamë që Einsten vishte të njëjtat rroba por kurrë nuk do të zbulonte motivin. E pra, motivi i gardianit hungarez është i lidhur me besnytninë.
Kiraly mbante veshur tutat gri nga viti 1996. Njëerë e një kohë, përpara atij viti, mbante pantallonat e zakonshme të zeza të Haladas. Por, pas një ndeshje, ishin bërë me baltë dhe lavanderia nuk kishte pasur kohë t’i pastronte siç duhej. Atëherë, Kiraly gjeti një palë gri me masë më të gjërë.
Nga ai moment, Haladas fitoi 9 ndeshje radhazi dhe shmangu rënien nga kategoria. Nuk do t’i hiqte më kurrë… përveç se këto ditë, kur i dha lamtumirën futbollit, në mënyrë të hidhur, pasi Haladas, këtë herë, nuk shmangu dot rënien. Por, me siguri nuk ishte faji i tutave…(Telesport)