Shpërthimi i radhës i Ilir Metës kundër Reformës në Drejtësi dhe ndërkombëtarëve, duke kërcënuar tashmë jo me vetëvrasje, por me rikthimin e ’97-ës, lidhet drejtpërdrejt me tmerrin e tij nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
Gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi, Ilir Meta, përmes “Zonjës së tij të dytë”, Petrit Vasili, kërkoi hartimin e ligjeve në atë mënyrë që të shpëtonte nga ndëshkimi kokat e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
Përfaqësuesit e SHBA-BE i hodhën poshtë të gjitha propozimet e Vasilit, të diktuara nga Meta, duke orientuar reformën në rrugën e ndëshkimit të kokave të krimit dhe korrupsionit.
Më tej, Ilir Meta, përmes Klajda Gjoshës, propozoi një amnisti të përgjithshme për të gjithë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Edhe ky propozim u hodh poshtë nga SHBA-BE.
Gjithashtu, Meta, përmes Vasilit dhe disa deputetëve të tjerë, kërkoi që Byroja Kombëtare e Hetimi, që është edhe makthi i tij më i madh, të mos kishte asnjë lidhje me SHBA-BE.
Ky propozim jo vetëm u rrëzua, por përfaqësuesi i amerikanëve në OPDAT kërcënoi të gjithë palët se SHBA do të prishte marrëveshjen me Shqipërinë, nëse nuk pranohej mbikëqyrja ndërkombëtare e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Tashmë, shqetësimi i Metës konsiston te roli i SHBA-BE në mbikëqyrjen dhe asistimin e Byrosë së Hetimit. Do të jetë pikërisht Byroja e Hetimit ajo që do të godasë për herë të parë “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri.
Dhe, siç dihet, Ilir Meta është një ndër “peshqit më të mëdhenj” në Shqipëri dhe si i tillë do të jetë objekt i pashmangshëm i BKH.