Si Bashkimi Europian po tradhton Ballkanin Perëndimor? Është ky artikulli i publikuar nga prestigjiozja “Washington Post”, në të cilët flitet për të ardhmen e vendeve kandidate, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Bashkimin Europian.
Artikulli që mban firmën e Jasmin Mujanovic, politiolog i specializuar në politikën e Europës Juglindore, thekson se BE është treguar “gënjeshtare”, duke mos i mbajtur premtimet për zgjerimin e këtij unioni me Ballkanin Perëndimor.
“Përgjatë 16 viteve të fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë edhe rajoni më vulnerabël i Kontinentit të vjetër, se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Euorpian, por gjatë vitit të fundit, Brukseli ka kryer një rrokullisje të madhe, duke vënë dyshim idenë e zgjerimit”, nis artikulli.
Në vëmendje sillet rasti i Maqedonisë së Veriut, së cilës iu premtua se po të ndryshonin emrin e shtetit të tyre, do të integroheshin më lehtë në BE.
“Nëse bashkimi europian rrëshqet nga komuniteti euro-atlantik, liderët europianë do të fajësojnë vetëm veten e tyre. Të shkëputur nga perspektiva e anëtarësimit, politika e Ballkanit shumë shpejt do të bëhet e dëshpëruar dhe e rrezikshme, sidomos për vetë Bashkimin Europian.
Bashkimi Europian mund ta kthejë sërish kursin. Duhet patjetër të nisë formalisht negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe të paktën t`i japin Bosnjës statusin kandidat. Kjo gjë, për momentin do të stabilizonte anijen”-përfundon shkrimi i Washington.