Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi ditën e djeshme zëvendësimin e krerëve të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Mesditën e djeshme KLP u mblodh dhe në rend të ditës kishte emërimin e drejtuesve të rinj në prokuroritë e rretheve, të cilët kanë mbetur pa kryetarë për shkak se ata u përjashtuan me 15 vite nga sistemi i drejtësisë për shkak të shkeljeve që gjeti KPK.
Më konkretisht, KLP caktoi drejtues të përkohshëm të Prokurorisë Gjirokastër, Julian Çafkën për 3 muaj. Propozimi i Julian Çafkës u miratua me 11 vota pro.
Po ashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi me votat maksimale shtyrjen e afatit me 3 muaj, për drejtimin e Prokurorisë së Apelit Korçë nga Irena Çunoti. Të dy plotësojnë vendet vakante të krijuara pas shkarkimit të paraardhësve të tyre nga vetingu.
Arben Pasho u shkarkua nga KPK më 16 maj, ndërsa Irma Balli më 19 shkurt. Pasho qëndronte në krye të Prokurorisë së Gjirokastrës, por prej problemeve me aftësitë profesionale ai u shkarkua. Gjatë seancës dëgjimore për të, u ngritën pikëpyetje se Pasho ka patur marrëdhënie financiare me një biznesmen që ka qenë i denoncuar tri herë për pastrim parash, por Prokuroria e Gjirokastrës i kishte pushuar hetimet pa ngritur akuzë.
Sipas trupës gjykuese, Pasho kishte marrë hua në vlerën e 14 mijë eurove nga shtetasi I.M. sepse i duheshin për shkollimin e djalit në Holandë.
Por shtetasi I.M. është personi i denoncuar për pastrim parash, një herë për ndërtim pa leje, një herë për shpërdorim të tokës. Nga ana tjetër, në krye të Prokurorisë së Korçës qëndronte Irma Balli e cila u shkarkua sepse kishte probleme me pasurinë.
KPK i gjeti asaj probleme me një pikë karburanti në qytetin e Korçës. Po ashtu, KPK arriti në përfundimin se bashkëshorti i prokurores nuk ka pasur burime të ligjshme edhe për blerjen e dy apartamenteve të bashkuara në një sipërfaqe të vetme prej 179 m2 në vitin 2004, blerë për 6 milionë lekë.
Sakaq, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mbledhjen e djeshme edhe miratimin e shtyrjes së afatit të caktimit të përkohshëm të prokurorit Altin Dumani në krye të Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.