Në pritje të një vote pozitive për çeljen e negociatave nga vendet anëtare të BE-së, Shqipëria ka nisur lobimin në Holandë, që është dhe një ndër vendet më skeptike për anëtarësimin e vendeve të reja.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe krerët e grupeve parlamentare socialist e demokrat, Balla dhe Hajdari, ditën e sotme kanë pasur takime të shumta me politikanë dhe njerëz me ndikim.
Nga Holanda, Taulant Balla në në intervistë u shpreh se qeveria holandeze është e bindur për rezultatet pozitive të arritura nga Shqipëria.
“Ne e dimë se kush janë detyrat e shtëpisë për Shqipërinë. Sikurse në shqiptarët presim javën e ardhshme vlerësimin pozitiv të gjithë detyrave të shtëpisë të kryera gjatë vitit të fundit. Ky rekomandim pozitiv i Komisionit Europian këtu në Holandë kalon përmes një procesi konsultativ mes qeverisë dhe Parlamentit.
Qeveria holandeze është e bindur për rezultatet konkrete, pozitive të arritura nga Shqipëria, të cilat udhëhiqen pikë së pari nga një sukses i reformës në drejtësi.
Ky komunikim i sotëm ka qenë në funksion të dy javëve të ardhshme”, tha Taulant Balla nga Haga.