Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka finalizuar me Bashkimin Europian një marrëveshje për veprimet e FRONTEX, Agjencisë Europiane për Kufirin në territorin shqiptar, e cila ka nisur të zbatohet nga sot, duke sjellë në kufijtë shqiptarë 50 oficerë të FRONTEX.
Zëvendës Ministrja e Brnedshme Rovena Voda foli nga studio e ERTV-së mbi këtë bashkëpunim duke theksuar se marrëveshja është e të njejtit standard që vendet e BE kanë ndërmjet tyre, por e para e këtij lloji mes agjencisë dhe një vendi jo anëtar të BE si Shqipëria. Kjo sipas saj, tregon thellimin e besimit që vendet anëtare kanë ndaj Shqipërisë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe jo vetëm.
Voda sqaroi se oficerët e FRONTEX do të jenë të vendosur kryesisht në kufirin jugor të Shqipërisë, në kufirin e gjelbër që ndan Shqipërinë me Greqinë, në dy pikat më të mëdha kufitarë ne jug, Kakavija dhe Kapshtica.
Por çfarë përfiton pala shqiptare nga ky operacion i përbashkët?
“Përfitimet që sjell marrëveshja përveç menaxhimit të përbashkët të kufirit, janë mbështetja për ngritjen e kapaciteteve profesionale të Shqipërisë në një nivel të ri, si dhe mbështetje edhe logjistike. Oficerët që vijnë janë nga vendet anëtare të BE, si Republika Çeke, Gjermania, Hollanda, Austria dhe secila prej tyre sjell edhe automjete patrullimi, kamera termike, radarë, që do bëjnë një mbulim të gjerë të kufirit të Shqipërisë”, tha Voda.
Sipas zëvendës ministres, një nga qëllimet e operacionit është parandalimi i migracionit të paligjshëm në territorin shqiptar. Përqëndrimi i FRONTEX në kufijtë shqiptarë në disa zona të nxehta do të parandalojë ato flukse migratore që shpesh janë të facilituara nga individë apo grupe që merren me kontrabandimin e migrantëve.
Një tjetër fokus i marrëveshjes me BE-në janë ripranimet apo kthimet e migrantëve që kapen në territorin shqiptar në vendet e origjinës. Voda shtoi gjithashtu se së fundmi, misioni i asistencës së BE në Tiranë, PAMECA, ka vlerësuar maksimalisht profesionalizmin e oficerëve të policisë kufitare shqiptarë sa i takon aspekteve dhe praktikave të punës në menaxhimin e kufijve tanë.