Opozita greke pret që zgjedhjet lokale dhe ato europiane që mbahen këtë fundjavë të pasohen së shpejti nga zgjedhjet parlamentare.
Lideri konservator, Kirjakos Micotakis, apeloi të martën rivalin e tij socialist, kryeministrin Aleksis Cipras, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse partia e tij rezulton grupimi i parë politik.
Micotakis paralajmëroi zhvillime të reja nga java e ardhshme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk kanë pse të pranojnë një periudhë të tejzgjatur paraelektorale deri në muajin tetor, kur është caktuar data formale e zgjedhjeve të përgjithshme.
Në një intervistë për televizionin Alfa, ai u shpreh besimplotë se në zgjedhje do të konfirmohet rezultati i sondazheve të fundit që e nxjerrin partinë e tij “Demokracia e Re” disa pikë përpara “Sirizës” majtiste.
Ekonomisti 51-vjeçar kritikoi kryeqeveritarin Cipras për miratimin e paketave ligjore dhe financiare për qëllime elektorale vetëm pak javë nga zgjedhjet e 26 majit.
Ai tha se gjendja e vështirë e pensionistëve nuk rregullohet përmes pagesave shtesë, por me sigurimin e vendeve të punës për fëmijët dhe nipërit e tyre.
Pyetjes se si do të vepronte po të zgjidhej kryeministër, Micotakis u përgjigj se do ta riorganizonte shtetin siç bëri në vitet 2013-2015 kur shërbeu si ministër për reformën administrative, duke i kushtuar përparësi reduktimit të taksave dhe thjeshtimit të tyre, si edhe ofrimit të stimujve fiskalë për investitorët në Greqi.
Zgjedhjet e së dielës janë dominuar nga adresimi i çështjeve lokale, ndërsa opozita i ka konsideruar si referendum pro apo kundër qeverisë.