Për të siguruar një dritë jeshile nga Mbretëria e Vendeve të Ulta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci po kryen një vizitë tre ditore në Hagë, me qëllim bindjen e Holandës të votojë pro vendit tonë pas votimit për heqjen e vizave për shqiptarët. Takimet e Ruçit fillojnë të hënën e mbarojnë të mërkurën.
Axhenda nis me një takim informativ me ish-ambasadorin holandez të OSBE në Tiranë Robert Bosch, i cili ka kundërshtuar parlamentin e tij, duke thënë se shqiptarët nuk janë të gjithë kriminelë e nuk mund të futen të gjithë në një thes.
Mëngjesin e së martës, Gramoz Ruci do ta nisë me një takim me Kryetaren e Dhomës së Dytë të Parlamentit holandez, Kadija Arib. Pasditen e së martës, Ruci dhe delegacioni që e shoqëron atë, kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla dhe kryetarja e grupit demokrat në parlamenti Rudina Hajdari do të zhvillojë një seancë dëgjimore me komisionin e Çështjeve evropiane, komision i cili do të përcaktojë vendimin e Holandës ndaj Shqipërisë.
Të mërkurën, kryetari i Kuvendit do ta kohet me Kryetaren e Senatit Holandës, Ankie Brokers – Knol dhe me senatorë holandezë. Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë, Holanda nuk do ta thotë fjalën e saj të fundit përpara se të dalë Raporti i Komisionit Evropian në 29 maj dhe vendimin përfundimtar do ta shohim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendet të BE-së në 19 qershor, ku nuk përjashtohet skenari që vendimi për Shqipërinë të mos shqyrtohet fare, për tu shtyrë për në shtator ose dhjetor.