Nga Zef Zhupa
Ndonëse ka kohë që ka hyrë në histori, Sali Berisha po e konsolidon vendin e tij atje, madje si i paprecedentë. Për të është përgatitur me kohë piedestali i “Humbësit të Madh”.
Edhe në historinë botërore nuk besoj se ka shembull të një udëheqësi, të dëbuar e të rrëzuar nga populli i tij, si Sali Berisha.
1997-a, 2013 dhe 2019 janë tre kulmet me majë poshtë të Sali Berishës.
Djaloshit që erdhi në Tiranë me një valixhe druri, fati ja solli (rrethanat janë shumë të “çuditshme”), që të vihej në krye të shtetit shqiptar, në momentin e një kthese të rëndësishme në historinë e tij.
Shpejt, Sali Berisha u kthye në njeriun kundër të cilit u drejtua gjithë urrejtja e popullit.
Si rrallëherë në historinë e tij, populli shqiptar u ngrit kundër prijësit të vet, i gatshëm ta linçonte atë.
Rrethanat (e çuditshme) e shpëtuan Sali Berishën nga dhënia llogari për gjithçka të mbrapshtë që kishte bërë kundër vendit dhe popullit të tij brenda dhe jashtë kufijve.
Si rrallë herë në histori (në rrethana të çuditshme), ndodhi që prijësit, që shpëtoi pa iu prerë koka, të bëhet përsëri prijës.
Këtë herë u kthye me gjithë familjen e tij. Bëmat nuk kish si të ishin ndryshe nga ato të sundimit të parë.
Sërish populli, këtë herë me votë, e linçoi. Në atë farë feje, sa pranoi të zbresë nga froni i partisë së familjes.
Rrëzimi i tretë është në zhvillim e sipër.
Këtë herë, në përpjekje për të shmangur atë, po tërheq pas vetes edhe ata pak përkrahës që i kanë mbetur si dhe PD, strehën e tij të latitantit e së bashku me ta, të përsërisë vitin e mbrapshtë.
Por duket se fundi është i pashmangshëm.
Djaloshi, që erdhi në Tiranë me valixhe druri, tashmë i plakur e me një barrë krimesh ndaj vendit e popullit të tij mbi supe, duket se po përgatit valixhen e tij të fundit.
Këtë herë për të shkuar pas hekurave, e më pas në piedestalin e Humbësit të Madh të historisë, që i ka përgatitur vetes.
(TemA)