Libri “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, i publikuar nga ish-presidenti Bamir Topin ka ngjallur debate në arenën politike. Në këtë libër, Topi ka shkruar ngjarjet kryesore të eksperiencës së tij në politike, si dhe marrëdhëniet që ai ka pasur me disa nga politikanët e vendit.
Në një pjesë të librit, Topi ka rrëfyer takimin e tij me Ramiz Alinë në vitin 2009 Ish-presidenti shprehet se me Alinë u takua në 80-vjetorin e lindjes së Alfred Moisiut.
Ai rrëfen se më ka pasur një bisedë të shkurtër me Ramiz Alinë, ku kishin folur për situatën politike të asaj kohe. Ndërkohë, sipas Topit, teksa kanë diskutuar për marrëdhëniet president-kryeministër, Alia e ka cilësuar ish-kryeministrin Sali Berisha si një lider “të ashpër dhe të pabesë”.
Bamir Topi për Ramiz Alinë
Ramiz Alia, ndonëse është njeriu më jetëgjatë, që shërbeu në komunizëm si përfaqësues i Rinisë Komuniste e deri Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, konsiderohet dhe njihet në historinë e kohës së ndryshimeve të sistemeve si Presidenti i Parë i Republikës dhe në këtë cilësi është trajtuar në marrëdhëniet protokollare të shtetit shqiptar. E kam takuar Ramiz Alinë në ceremonitë e Festës së Pavarësisë, ku komunikimi ka qenë i shkurtër dhe përshëndetës.
Një tjetër moment kur kam biseduar gjatë me Ramiz Alinë ka qenë në një darkë të organizuar nga Presidenti Moisiu në 80-vjetorin e lindjes së tij, në dhjetorin e vitit 2009. Ndonëse ishin të ftuar të gjithë presidentët, mungonte vetëm Sali Berisha. Pas një dreke që ka zgjatur rreth një orë, në largim e sipër, gjatë përshëndetjes kam pasur një bisedë të shkurtër dhe interesante me Ramizin.
Në përshëndetje e sipër filloi të japë vlerësime për situatën konfliktuale midis Presidentit dhe Kryeministrit, që korrespondonte me problemet politike të vitit 2009.
– Në këtë klimë kaq të ashpër, vlerësoj mënyrën e drejtimit të Presidencës për të qenë i baraslarguar dhe duke u bazuar thellësisht te ligji! – u shpreh Alia.
Në ikje e sipër u shpreh se “e shoh që ke një situatë të pazakontë”, duke pasur parasysh përplasjen e fortë me Berishën, të cilin e përkufizoi si një lider “të ashpër dhe të pabesë”.
Unë, natyrisht nuk u ndjeva mirë me këtë lloj komunikimi, duke evituar përgjigjen me shumë diplomaci dhe e kalova bisedën diku tjetër, pasi nuk doja që të shprehja konsideratat e mia, aq më shumë te Ramiz Alia, për një njeri që, tek e fundit, kisha bashkëpunuar në politikë dhe sot kisha marrëdhënie të detyruara institucionale.
E lashë pa përgjigje shprehjen e fortë të tij, i cili kishte pritur rastin për ta thënë. Unë jam “çliruar” ta them pas kaq kohësh, edhe pse Ramiz Alia është ndarë nga jeta, duke menduar që disa rrëfime “të sikletshme” duhen thënë në mënyrë shumë autentike, sikurse e kërkon ky lloj rrëfimi për jetën.