Nga Alfred Peza
Sapo “Kryearkitekti” përfundoi parashtrimin e tij, katër anëtarët e tjerë të këshillit, kuptuan më në fund se ajo çfarë dëshironin të gjithë thellë thellë brenda vetes, nuk ishte thjeshtë një endërr. “Nuk duhet të ngrohemi në zjarr, ndërkohë që ka burra që po luftojnë për ne”,- kishte thënë ai, duke i bërë të gjithë gati të përballonin dimrin që po vinte.
Tashmë ata e dinin se ajo që i priste, ia vlente, pavarësisht çmimit që u duhej të paguanin. Sepse për të gjithë ata, e ardhmja kishte mare më në fund një trajtë. Një formë. Një filozofi. Një thelb. Një përmbajtje. Një shpjegim. Një fillim. Një kulminacion. Një finale. E më pas, edhe një fillim të ri. Një vijimësi të re. Një rrugë të re. Një të ardhme të re. E cila do të linte njëherë e përgjithmonë dramatikisht pas, të shkuarën e vjetër. Të errët. Të dhimshme.
Edhe ata që e dinin se do të shkonin në Parajsë, nuk kanë dëshiruar kurrë takimin me Shën Pjetrin. Aq më pak, ata që e kishin siguruar prej kohësh, biletën e klasit të parë, për në Ferr. Shumë Mbretër shqiptarë, kishin kaluar mbi male kufomash, mbi përrenj gjaku dhe mbi lumenj dhimbjesh, për të mbërritur tek “Froni I Shpatave”. Sado kishin qëndruar mbi të, nuk ia dolën të fitonin përjetësinë. Sepse të gjithë jemi të barabartë përpara vdekjes. Ajo është pika e mbërritjes. Askush nuk i ka bërë dot bisht. Askush nuk ja ka dalë që ti shmanget.
Pushteti ishte një kurth i madh. Aq më tepër për liderët e “Mbretërisë shqiptare të Perëndimit”. Pakkush kishte ditur që të ngjitej atje në mënyrën e duhur, për të bërë gjënë e duhur e për të ikur në kohën e duhur.
Tani që Edi Rama kishte firmosur paktin e madh me “Zotin tonë mbi Tokë”, për të bërë njëherë e përgjithmonë drejtësi edhe në këto troje, ata që e dinin se çkishin më parë, ishin trembur për vdekje për të ardhmen. E vetmja zgjidhje për ta, ishte të futeshin në “Luftën e Fundit”. Ose do të shkrihej Edi Rama, ose ata.
Deri atë kohë Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, u kishte funksionuar gjithmonë filozofia e zjarrit. Sepse njerëzit e oborrit të “Fronmbajtësit”, u kishin hapur gjithmonë rrugë. Kjo e kishte bërë fituese filozofinë e moralit të forcës, mbi forcën e moralit. Aq sa ajo po bëhej tashmë një kulturë mbarëkombëtare jetese. Por, këtë radhë ishte ndryshe. Me sa duket, vjen një moment, kur gjithkush e ka një ditë përballë, “hundleshin” që meritonte. “Dimri po vjen!”
“Kryearkitekti”, dinte si ti pushtonte zemrat e Këshillit të të Pestëve, ndaj vijoi: “Ne të gjithë erdhëm pas tij, sepse besojmë tek ai. Askush prej nesh, nuk do ta përballonte dot si ai, luftën e pisët që veç Mbretërit sfidantë shqiptarë dinë ta bëjnë, për “Fronin e Shpatave”.
Pasi mbajti pak frymën, duke thithur fort puron e tij legjendare, vijoi: “Ai nuk është sot Mbret, sepse është djali i një Mbreti. Ai është Mbreti që e zgjodhëm ne. Për të ka vetëm një rrugë: Ose do ta fitojë mandatin e tretë, ose do të largohet. Nëse Edi Rama e fiton luftën e 30 Qershorit, bashkë me të, e ka fituar për 4 vjet të tjera, edhe “Fronin e Shpatave”. “Mbretërit sfidues” e dijnë këtë”,- e mbylli fjalën “Kryearkitekti”.
“A mund të flas?”- e theu pas pak heshtjen “Strategu”.
“Pse jo. Ty vetëm vdekja ta mbyll gojën…”, – ia kthe kreu i Këshillit.
Mesazhi ynë për “Mbretërit sfidues” duhet te jëtë:
Pavarësisht se ju mendonit se ne nuk kishim zemër, se ne nuk mund ta hidhnim atë hap që vetëm ju e keni hedhur deri më sot kundër nesh, duhet të kuptoni se më në fund, edhe për ju: “Dimri po vjen”.
Ju mendonit se ishit të paprekshëm. Ndaj ishit të lumtur. Ishit të qetë. Por gjithë gëzimi juaj do të kthehet në hi.
Pas kësaj, ne nuk do të festojmë si triumfalistë. Ne nuk do bëjmë asnjë nga ato gabime që ju sollën ju deri këtu. Thjeshtë ne do të jemi të qetë. Sepse ne e kemi paguar borxhin!”
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
E dielë, 19 MAJ 2019, (Sezoni 2, Episodi 8)
(Vijon nga 1 maj)