Zbardhen të fshehtat e planit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për anëtarët e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve.
Ditën e enjte, përmes një lëvizjeje surprizë, PD dhe LSI deklaruan se do të fusin në KZAZ anëtarët që iu takojnë. Por edhe pse në fillim u duk si një lëvizje për të hyrë në zgjedhje, në fakt është një plan i mirëmenduar për të bllokuar procesin në 30 qershor.
Por çfarë synohet realisht? Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim iu takon shumica e anëtarëve në 50% të KZAZ-ve, ku 4 anëtarë i kanë këto dy parti dhe 3 i ka mazhoranca.
Kështu që, duke qenë se janë shumicë në gjysmat e KZAZ-ve dhe në momentin që KQZ do të pranojë pjesëmarrjen e komisionerëve të PD dhe LSI edhe pa regjistrimin e kandidatëve, ata do të kenë si mision sabotimin e procesit zgjedhor nga fillimi deri në fund.
Burime shumë të sigurta nga selia blu theksuan për gazetën se qëllimi kryesor i opozitës është që përmes anëtarëve të saj në KZAZ të bllokohet shpërndarja e materialeve zgjedhore. Sipas ligjit, KZAZ e ka për detyrë që të përgjigjet për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, anëtarët e opozitës në KZAZ nuk do të lejojnë shpërndarjen në kohë të materialeve të votimit si dhe emërimin e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarët, sekretarët e qendrave të votimit.
Po ashtu, një tjetër skenar i opozitës është mos hapja e 2.750 qendrave të votimit në datë 30 qershor, në një kohë që këtë të drejtë e ka KZAZ.
Por nëse materialet zgjedhore shkojnë dhe bëhen zgjedhjet, plani i fundit është që të bllokohen qendrat e numërimit, si dhe të mos certifikohet rezultati.
KZAZ ka në dorë emërimin e numëruesve dhe po ashtu ajo vendos për rezultatin final në çdo kuti e qendër votimi. Pra, PD dhe LSI përmes anëtarëve të tyre në KZAZ kërkojnë të minojnë procesin zgjedhor që në fillim deri në mbarim të tij.
Frika e PD-LSI
Lëvizja e opozitës për të pasur anëtarë të saj në KZAZ tregon qartë se si PD, ashtu edhe LSI janë të frikësuara për atë çfarë pritet të ndodhë në 30 qershor.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paralajmëruar dhunë gjatë zgjedhjeve vendore. Por duke qenë se ky skenar është një skenar, të cilin ligji e dënon, PD dhe LSI ndihen të frikësuara.
Kështu që, përmes futjes së anëtarëve të tyre në KZAZ kërkojnë të aplikojnë planin B, duke i dhunuar zgjedhjet në rrugë procedurale.
Madje, këtë logjikë e arsyeton fare mirë edhe historia e zgjedhjeve, ku kryetarët, sekretarët apo anëtarët e KZAZ të çdo lloj force politike që kanë qenë kanë bllokuar procesin.
Ky i fundit është bllokuar, nga braktisja që i kanë bërë anëtarët e KZAZ-ve punës, deri tek marrja e vulës, shtyrja e procesit apo deri tek hezitimi për të firmosur procesverbalet.
Megjithatë, edhe kjo lëvizje e PD dhe LSI për të bllokuar zgjedhjet proceduralisht mund të rezultojë e dështuar. Kjo pasi ligji e thotë qartë që kushdo që bllokon procesin, rrëmben vulën, braktis detyrën, etj, përbën vepër penale dhe dënohet me burg.
Tani i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë nëse do e pranojë që të regjistrohen anëtarët e PD-LSI, pasi është një situatë e paprecedentë. Këto parti nuk janë subjekte zgjedhore dhe ndërkohë duan të kenë komisionerë./Sot