TROKITJE NË PORTËN E TEATRIT KOMBËTARAtje në Korçë, po binte në sy talenti i regjisorit Pirro Mani. Sa do të donte që edhe për të të çelej dera e Teatrit kombëtar, por ajo dukej se i largohej.
Dhe ai vazhdonte të punonte më me këmbëngulje. Por një ditë vjeshte të vitit 1962, regjisori Pandi Stillu, e fton të dublonte Pjetër Gjokën në rolin e Lirit tek “Mbreti Lir” i Shekspirit. Kujton Pirro: Provat zhvilloheshin në Tetarin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për shkak se Tetari Popullor po rikonstruktohej.
Në një mbrëmje të zakonshme, gjatë provave, Pjetër Gjoka, “Liri” i Shekspirit, këmbeu fjalë me regjisorin Stillu. Zënka u trash. Pjetri e braktisi skenën e provave. Drejtori i Teatrit Popullor, Xhemal Broja, i kërkoi regjisorit të vazhdonte provën me Pirro Manin.
Regjisori, i cili deri në atë çast nuk i kishte ofruar Pirros asnjë provë, e pranoi vazhdimin me dublantin. Pirroja sjell në mendje emocionet e kohës së largët: As vetë nuk e kuptova se si m’u grumbullua brenda vetes gjithë ajo energji, frymëzim i çuditshëm, një zjarrmi magjike…
Prova qe e suksesshme. Duartrokitjet zgjuan sallën.-Na befasove Pirro, i tha Loro Kovaçi, tek e shtrëngonte në përqafim. E pyeti regjisori: ”A i ke kështu edhe tablotë e tjera?” – Edhe më mirë, – ia ktheu Pirro. Liri im është në ngjitje dhe arrin kulmin në monologun: “Fryni, erëra! çajini bulçitë! Tërbohuni, fryni!’…Hipi në skenë, ia nisi monologut të Lirit: “Shtërngatë, shfryj, vill zjarr, derdh shi, gjëmo!”…
Interpretimi qe i shkëlqyer. Regjisori i entuziazmuar, e kishte harruar zemëratën e Pjetër Gjokës. Dublanti kishte qenë brilant. Kujton Pirro:-Kur mbarova, gjoksi më ulej dhe më ngrihej prej gulçimave të Mbretit Liri.
Nuk isha Pirro, isha Liri, i braktisur nga të gjithë. Ata sërish shpërthyen në duartrokitje…-Atë ditë, kujton Pirro, ishte e mërkurë. Regjisori i tha i entuziazmuar drejtorit se shfaqja do të jepej të shtunën. Sa nuk fluturoja nga gazi i brendshëm që më jepte ai sukses…Atë natë, aktori -regjisor, thuri ëndrra të bukura; do të vinte në Tiranë, por në mëngjes mësoi lajmin e keq: “Nuk të ka miratuar Ministria. Do të ikësh në Korçë, bile që sot nisu!
“Urdhrin, që s’dihet se nga cilat zgafella kishte dalë, po ia përcillte kolegu. I pezmatuar u përpoq të kërkonte ndonjë sqarim. Të paktën të kisha luajtur Lirin, pastaj le të ikja, dukej se i ishte drejtuar më shumë vetes se sa kolegut, por kundërthënia ishte e prerë: Mos e ço ndër mend, kthehu dhe sa më shpejt! I thanë se Komiteti i partisë i Korçës kishte protestuar për largimin e tij.
Nisu që të mos kesh telashe! Ç’ishte kjo këshillë, a urdhër? Pirro edhe sot pyet veten pse rrodhën në atë kahje ngjarjet. Pse pikërisht urdhri erdhi pasi ai shkëlqeu me Lirin? U përpoq të argumentojë me një ndërhyrje: Po largimi im nga Korça ka qenë korrekt. Artistit i duhej të mbijetonte; uli kokën, psherëtima i çau gjoksin, por i duhej të kthehej në periferi.
Tirana ende nuk ishte e gatshme ta pranonte. Si duket shefat e zinj ishin të gatshëm për ofensivë. Mos luaj me grerëzat, i tha vetes. Katër vite më vonë, Tirana më në fund e pranoi pas ndërhyrjeve të mjeshtërave të skenës, Kadri Roshi, Sandër Prosi e të tjerë. Ata kishin ngulur këmbë që ai të vinte si aktor. Në fakt ai shkoi si regjisor dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve. Do ta pushtonte triumfalisht Teatrin Popullor pas shtatë vjet betejash në Korçë.
Në Tiranë nisi me dramën e Kol Jakovës, “Perkolgjinajt”. Iu desh në fillim që t’i hynte një operacioni të thellë dramës, e cila nuk qe ndonjë pjesë kushedi, por Pirro i dha jetë. I mbante në tension aktorët dhe i nxiste që të jepnin maksimumin. Spektatori e priti jo keq. Kritika dhe kolegët kanë pohuar se Pirro i dha gjithçka teatrit shqiptar.
Në Teatrin Popullor ai u ngrit mbi meskinitetin dhe xhelozitë. Vetëm punë, i tingëllonte në veshë zëri i të atit. Dhe punoi siç dinte të punonte ai. Jo rrallë censura zgjaste duart dhe ia priste me gërshërët e saj të stërmëdha krijesat e tij skenike, por ai nuk jepej, tërhiqej, gjente një detaj tjetër dhe përpiqej që të vinte paqen mes vetes dhe asaj, shtrigës censurë. Le t’i lëmë pak hapësirë penës së drejtpërdrejtë të J.Papagjonit, që e ka përcjellë në pak rreshta thelbin e përballjes së regjisorit me censurën:
I dashur Pirro! Sa të vështirë e ke pasur, mik i shtrenjtë, t’u dredhoje bishtukëve tymues të censurës me gjithfarë emrash, parimesh të ngrira, raportimesh, komisionesh, diskutimesh. Ti duhej ta dehje ciklopin dhe t’ia verboje syrin gjigand për të shpëtuar krijesën fluturake të fanatazisë, idetë e guximshme dhe flatrimin e mendjes sate pjellore nëpër paradigmat e çuditshme të artit. Duhej dinakëria, por edhe guximi.
Ti disa herë u përballe me këtë sy dhe u rrezikove, aq sa mund të të flaknin tej, të shuanin nëpër periferitë e cinizmit dhe zilisë njerëzore, të të humbnin nëpër gropat thithëse të provincës, që ata dinin t’i ujdisnin fort mirë. Dhe s’ishin pak “gojët e shqyera”, krah shtetit dhe pas shtetit. Mirëpo ti, mik i dashur, herë pas here guxoje. Dhe sfidoje.
Edhe rrezikoje. Flaka të avitej, ti në flakë futeshe, që të shuaje flakën. Pirro Mani guxoi më tepër se ç’duhej, p.sh. tek “Arturo Ui”. Gjetja e tij ishte fare e veçantë: një kornizë bosh mes portreteve të diktatorëve. Dhe ata, ustallarët e censurës, nuk ishin syleshë. Ata do ta thërrisnin dhe seanca e pyetjeve do të ishte torturuese:-
Ç’është ajo kornizë bosh? Për kë aludon? Kujt i takon ajo? Hë, fol, për kë e ke sajuar? Dhe Pirro nuk e ka harruar përgjigjen që i dha partiakut të lartë: -Atë që thotë Brehti, se barku nga lindin këto mostra ende s’është shterpëzuar! – Leri mor këto- iu hakërrye partiaku i lartë. E di unë, e di, i foli ai më nënkuptim duke i dhënë të kuptojë se e dinte për kë aludonte, por. Ai nuk ia tha, por nënteksti qe i qartë se korniza bosh ishte për diktatorin tonë, për Enverin. Ai, Pirro Mani, nuk mund ta hidhte atë gjetje metaforike skenike, mezi ia kishte pjellë truri në tallazin krijues e sipër. Ka qenë një natë e tmerrshme ajo e pas bisedës me partiakun e lartë. Dyluftimi kishte qenë me nënkuptime e aluzione se pas ideve të tilla të rrezikshme mund të vinte Spaçi a Burreli. Atë natë ai kishte hedhur ca gota për të qetësuar trurin e tallazitur. ç’të bënte? Ta hiqte kornizën?
Po ajo përbënte thelbin, si ta flakte ashtu? Vendosi, nuk do ta hiqte! Të dilte ku të dilte. Do të mbahej pas Brehtit, barku i pashterpëzuar.– Më keq do ta kisha po ta kisha hequr, – thotë Pirro. Se po ta hiqja, do të thoshin se e kisha vënë qëllimisht dhe po e hiqja se ma tha ai, partiaku i lartë i nomenklaturës. Pra se jam trembur. Dhe e la.
Atë natën e tmerrshme të dyluftimit nuk e heq nga mendja as Pavlina Mani, e shoqja. Sapo i kishte hapur derën, ai nuk i qe përgjigjur pyetjes së saj: Ku ishe?, por e kishte urdhëruar: Shpej, përgatit valixhet! – Pse?, kishte pyetur ajo. – Sepse nuk e heq.– Kë, nuk heq Pirro? – Ai: Atë, horrin e horrave, morrin e morrave, Arturo Ui-në. Ajo:-Të lutem, ule zërin, do na dëgjojnë! Ai vazhdonte me batutën e Kadri Roshit në rolin Arturos: “Horri i horrave, morri”.
Ky detaj metaforik, korniza boshe, ka qenë një zgjidhje e veçantë, që i ka habitur edhe gjermanët, të cilët kanë ardhur për ta parë realizimin shqiptar. Shfaqja çau pas shumë peripecish. Shkrimtari Naum Prifti, në librin e tij “Teatri në kohen e krizës” shkruan: ”Ranë gjithë pjesët e huaja, me përjashtim të Arturo Ui”, për të cilën u zhvillua një diskutim i fortë brenda komisionit, ku bëja pjesë edhe unë, si inspektor i Ministrisë për teatrin.
Megjithëse drama qe thellësisht politike, sepse demaskonte mënyrën se si hypi në pushtet Hitleri, si i vrau shokët e tij atëherë kur nuk i duheshin më, si siguroi përkrahjen e Hidenbergut, edhe ndaj saj u shprehën gjykime të rrepta nga ekstremistët e komisionit. ”Brehti nuk i bie problemit në kokë, por merret me aludime. ç’ është ky trusti i lulelakrës? Pse me lulelakra do të edukohet spektatori ynë? Pse shpie vendin e veprimit në Amerikë?”. E të tjera si këto. /naishtedikur.info
Ka qëlluar që mundi i Pirros të shkojë kot, pa shkuar shfaqja tek spektatori. Atij i kujtohet p.sh. drama e Bashkim Kozelit “Si u kalitëm”. Sërish mendja krijuese e Pirro Manit kishte sjellë një gjetje metaforike: Kishte vënë në mes të skenës një lis me rrënjët e tij të ngërthyera, të nguluar fort në tokë. Përreth atij lisi vërtitej e ndërtohej mizanskena. Kur gjithçka ishte gati, shkon Manush Myftiu, i mbledh në drejtori dhe urdhëroi: ”Për një arsye, shfaqja nuk do të jepej”.
Kaq tha ai, të tjerat nuk ishin për ta. E vërteta qe mësuar ca ditë më vonë kur doli “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut dhe i “puçistëve”. Mundi iku kot, po ç’të bënte regjisori? Ishte koha kur partia po shkulte lisa të mëdhenj, si ai i skenës me rrënjë të ngulura fort, ishte koha kur ngryseshe i madh dhe gdhiheshe i vockël, ishte koha kur makinat të rrëmbenin në mesnatë e s’dihej se ku të gjente mëngjesi, në ndonjë qeli, katund të humbur për internim apo në plumb.
Kolegët e Pirros qenë bërë viktimë e lançimit të antikulturës; Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi, patën rënë viktimë e vlugut antiart. – Kujdes Pirro!- këshilloi ai në ato çaste vetveten. Po kishte raste, që drama tretej para kohe, sapo ishte bërë platforma, sapo ndaheshin rolet, mbërrinte urdhëri:
Jo, ndaleni, nuk është për moralin tonë! Tipike për këtë ishte bashkëpunimi me Petro Markon për të vënë në skenë dramën në vargje të këtij shkrimtari, që të gjithë jetën nuk iu ndanë vuajtjet. E rrëfen këtë bashkëpunim të dështuar vetë Petro Marko tek libri i tij “Retë dhe gurët”: Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë që ma kishte dhënë këtë ide.
Pas dhjetë ditësh ai më thirri dhe më përqafoi: ”I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë”. Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë ta vinte Pirro Mani nga Korça. Erdhi Pirro. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet sipas aktorëve. Aktori i madh i tetarit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut.
E kisha paraqitur në konkursin e ushtrisë, më dhanë vendin e parë. U botua dhe në revistën “Nëntori”. Filloi dhe Agim Zajmi nga skenografia. Por fermani nga komiteti i partisë i Tiranës, qe i prerë:
Pezulloni përgatitjet. Drama është liberale sepse fliste për një lloj degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (të kohës së Skënderbeut). Petro Marko gëlltiti dhimbjen, por dhe Pirro Mani, nuk e pat të lehtë. Eh, psherëtinë Pirro. Sa shfaqje u censuruan, sa u qethën në skenë, sa më pas, sa mbetën në projekte. I tillë ishte edhe bashkëpunimi me Kadarenë për “Pashallëqet e mëdha”.
Pirro e pat hedhur në letër mendimin regjisorial, diskutonte me Kadarenë për filmin e ardhshëm, por edhe ai mbeti diku; censura e kishte vdekur që pa u ngritur në këmbë. Kadareja shkruan: “Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit mu në mes të qytetit, provokoi se pari idenë e censurës(I. Kadare- Unaza në kthetra). Pirro Mani do të mbijetonte falë talentit dhe mbijetesa e tij ishte fat për tetarin tonë..
Ndryshe ku do ta gjenim një “Arturo Ui” si ai i Pirros? Po”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”? Po “Fytyra e dytë”, po “Kush e solli Doruntinën”, “Epoka përpara gjyqit”, “Prefekti” , “Cuca e Maleve”, “Nata e dymbëdhjetë” , “Përmbytja e madhe”, “Furrnalta” , “Besa e madhe”. Mjeshtëria e tij, u shtri jo vetëm në teatër e film, por edhe në opera.
Vuri në skenë operën “Skënderbeu” , “Komisari” me skenar të D. Agollit, “Kavaleria Rustikana”. Atij i takon nxjerrja në pah e cilësive interpretuese të sopranos së mirënjohur Inva Mula tek opera e Nikolla Zoraqit “Paja” me tekst të arbëreshit Di Maxhio.NJOHJA ME PAVLINËNJeta rridhte, por Pirro ende kishte mbetur fillikat, ende nuk e kishte gjetur shoqen e jetës. Dhe rasti erdhi. Atë vit qe caktuar kryetar i komisionit për konkursin e pranimit të studentëve të degës për artin dramatik.
Aty gjeti shoqen e jetës. Ja si e ka përshkruar J. Papagjoni këtë moment:” Sytë i mbetën mbërthyer pas fytyrës ovale të një vajze të re, zë ëmbël, nga Lushnja. I pëlqeu natyra e saj e brishtë, delikatesa, feminiteti, një gjendje emocionale që i gufohej krahërorit. I pëlqeu bukuria, sidomos sytë. Ajo konkuronte për aktore. Kishte zë të veçantë, si të lagur, ankues, madje melankolik.
“Ky ishte momenti i parë, më pas gjithçka erdhi natyrshëm. Tregon Pavlina për më tej: “U ndodha një ditë në provat që Pirrua bënte me kursin e tretë për aktorë. Pse u ndodha atje? Ju e kuptoni vetë. Pirro vinte gjithmonë pranë meje pas çdo demonstrimi që bënte dhe bisedonte krejt lirisht me mua, jo sikur unë të isha studente.
Çuditërisht, ndjehesha shumë e çlirët në prani të tij. Këtë njeri është e pamundur të mos e duash. “U dashuruan, u martuan dhe po t’i shohësh sot ata, nuk e ke të vështirë të zbulosh se janë po aq të dashuruar, si atëherë… Familja u plotësua me dy fëmijët e tyre Bendisin dhe Vetiolën, të cilët ndjehen krenarë për prindërit e tyre, që i dhanë aq shumë skenës shqiptare.
Që të katër tashmë jetojnë në Neë York. Vetiola është kryemenaxhere, ndërsa Bendis pedagog në nje shkollë arti me emër në Nju Jork … Pirro dhe Pavlina janë gjyshër të dashur… Nipi dhe dy mbesat e urojnë : Happy Birthday Gjyshi! Gëzuar 83 vjetor
nga Dalip Greca /Telegraaf.al