Violinisti shqiptar me famë botërore, Tedi Papavrami dhe pianisti François Frederic-Guy sollën mjeshtërisht për publikun kryeqytetas në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Orthodokse tingujt e sonatave më të njohura të Ludëig van Beethoven.
Pas koncertit, Papavrami u prit në një takim nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi talentin e violinistit shqiptar, i cili tashmë është edhe një frymëzim i jashtëzakonshëm për artistët e rinj.
“Sa herë vjen në Tiranë, kthimin tënd mijëra njerëz e shohin si një kthim tek rrënjët, si një model frymëzimi”, tha Veliaj.
Në emër të qytetarëve të Tiranës, ai i dorëzoi artistit “Medaljen e mirënjohjes” dhe e falenderoi për vëmendjen e vazhdueshme që tregon për vendin e tij.
“Të falenderoj shumë në emër të të gjithë qytetit sepse pavarësisht sa lart fluturon, gjithmonë i ke sytë, veshët, mendjen mbrapa. Faleminderit që na sjell hir në qytetin tonë, sa herë kthehesh këtu”, u shpreh Veliaj.
Mes emocioneve për këtë vlerësim, Papavrami falenderoi kryebashkiakun për nderimin që iu bë.
“E ndiej veten krenar dhe të prekur nga ky gjest. Shumë faleminderit”, tha ai.
Tedi Papavrami ka interpretuar në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogëood, A. Pappano, L. Langree, G. Varga, Z. Macal, J. C. Casadesus, etj.