Kreu i “Bindjes Demokratike” Astrit Patozi, e ka konsideruar si provokim lëvizjen më të fundit të PD-LSI për tu përfaqësuar me komisionerë në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Edhe pse PD dhe LSI nuk do të marrin pjesë në zgjedhje dhe nuk janë më parti parlamentare, ato duan të kenë anëtarët e vet në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.
Nuk dihet nëse me këtë veprim po i hapin rrugë pjesmarrjes në zgjedhje, apo thjesht duan të bllokojnë procesin e 30 qershorit, duke çuar njerëzit e vet nëpër komisione.
“Lajmi se Partia Demokratike dhe LSI-ja do të kërkojnë të përfaqësohen me komisionerë, por me jo me popull, në zgjedhjet e 30 Qershorit është provokimi më i fundit ndaj procesit zgjedhor.
Zgjedhjet janë procesi i atyre, që marrin pjesë dhe administrohen sipas ligjit nga partitë e përfaqësuara në parlament.
Partia Demokratike dhe LSI-ja nuk janë më të përfaqësuara, as në parlament dhe, as nuk marrin pjesë në zgjedhje me vullnetin e tyre.
Përpjekja për të penguar procesin zgjedhor me komisionerë drejtohet pikë së pari kundër BINDJES DEMOKRATIKE, e cila duhet të ketë patjetër komisionerët e vet në atë proces.
Së dyti, ajo drejtohet kundër procesit zgjedhor në tërësi, tek i cili me sa duket ata duan të fusin brenda Kalin e Trojës.
Shumica në pushtet dhe ish-opozita parlamentare mund të bëjnë pazare për pronat e shqiptarëve, për ndarje pushteti apo për çfarëdo gjëje tjetër, siç kanë bërë shpesh në të shkuarën, dhe shembulli më i qartë ishte marrëveshja e dy viteve të shkuara.
Ndoshta, jo rastësisht, nesër është përvjetori i 17 majit, ditë që mesa duket e ngroh shumë marrëdhënien Rama-Basha.
Por ata duhet ta dinë se nuk mund të bëjnë kurrë pazar për të administruar edhe votën e shqiptarëve për hallin e përbashkët të ruajtjes së këtij sistemi të kalbur politik.
BINDJA DEMOKRATIKE dënon me ashpërsi këtë provokim mbi procesin zgjedhor dhe i kërkon KQZ-së që të veprojë shpejt dhe me drejtësi për t’ua lënë zgjedhjet atyre që zgjedhin dhe zgjidhen dhe jo atyre që nuk duan të bëhen zgjedhje fare në Shqipëri”, shprehet Patozi në reagimin e tij.