Radio “Zëri i Amerikës” zbuloi të enjten një detaj të bujshëm gjatë intervistes me kryetaren e LSI Monika Kryemadhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas informacioneve të VOA, autoritetet diplomatike amerikane ja kanë refuzuar vizën zotit Vasili.
Pas pyetjes, Kryemadhi u ndodh në vështirësi të dukshme, duke thënë se nuk beson se kjo është e vertetë, por se “nuk e ve dorën në zjarr për askënd”, as për bashkëshortin e saj pra, Ilir Metën.
Ky informacion i bujshëm i VOA vjen pas qëndrimeve të ashpra të opozitës shqiptare ndaj institucioneve, të cilat kulmuan më djegien e mandateve parlamentare dhe organizimin e protestave të dhunshme në Tiranë dhe jashtë saj.
Refuzimi i vizës së zotit Vasili shihet si një sinjal i qartë i mosaprovimit të linjës opozitare nga ana e Uashingtonit, për sa kohë që numri dy i LSI ka qenë njëri ndër frymëzuesit kryesorë të qëndrimeve aktuale të opozitës shqiptare.
Refuzimi i vizës së hyrjes për Vasilin shënon gjithashtu një sinjal të qartë paralajmërimi nga ana e amerikanëve, për të tjerë politikanë shqiptarë.
Kjo vjen në momentin kur zyrtarët nga Uashingtoni kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit dhe për vijimësinë e punës së Kuvendit të Shqipërisë.