Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror e sheh akoma prezent në Partinë Demokratike ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Klosi deklaroi se të gjithë e dinë që Berisha influencon në PD, por theksoi se tentativat për të çuar vendin drejt kaosit janë të kota.
Sipas tij, dhuna e 1997 nuk mund të përsëritet më. Duke komentuar protestën e ditës së shtunë, Fatos Klosi u shpreh kategorikisht kundër akteve të dhunës. Ai tha se përmes sjelljeve të dhunshme opozita po tenton të kërcënojë qeverinë, por theksoi se përpjekjet janë të kota sepse PD-LSI gëzojnë shumë pak mbështetje në popull.
Nga ana tjetër, ish-kreu i SHISH komentoi edhe reagimet e ndërkombëtarëve për protestën e opozitës. Për Klosin, një deklaratë aq e ashpër e SHBA-BE pasditen e të hënës erdhi sepse opozitarët e kanë mbushur kupën me sjelljen e tyre. Sa i takon kërkesës së opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror deklaroi se Rama nuk duhet të dorëhiqet sepse krijon një precedent të rrezikshëm.
-PD dhe LSI protestuan sërish të shtunën para Kryeministrisë, por ndryshe nga tubimet e mëparshme, në të mbizotëruan aktet e dhunës. Si ju duket ky skenar i përzgjedhur nga opozitarët?
Unë jam kundër protestave me dhunë. Çdo protestë që shtyhet pak më tutje sesa thirrje, pankarta që mund të kenë për të dhënë opinionin e tyre pse kanë dalë në protestë, çfarë kërkojnë nëpërmjet protestës, deri këtu e quaj të pranueshme. Të gjitha protestat pastaj që përplasen me policinë, duan të futen diku, hedhin shashka, etj., janë të paarsyeshme sepse japin mesazhin që në qoftë se nuk na i plotësoni kërkesat me të mirë, ne e bëjmë edhe me pahir.
Por kjo filozofi është absolutisht e papranueshme.
Ata pretendojnë që janë popull, por në të vërtetë nuk janë popull. Janë një pjesë shumë e vogël e popullit, janë shumë pak në krahasim me popullin. Populli është në shtëpinë e vet, një pjesë i sheh në televizor, por një pjesë as nuk interesohet fare. Të flasësh në emër të popullit dhe të bësh gjëra të tilla në emër të popullit është e gënjeshtërt, është e padrejtë. Unë në parim jam kundër këtyre protestave, kështu që edhe e shtunës në këtë sërë ishte.
-Çfarë realisht po synon opozita të arrijë përmes protestave dhe a mendoni se kanë zgjedhur rrugën e duhur për ta arritur?
Protesta e të shtunës ishte pak më e ashpër se të tjerat dhe kjo është më keq akoma, më jep më shumë argumente mua që ata duan ta bëjnë me forcë këtë detyrë që kanë marrë përsipër, të përzënë Edi Ramën, por për mua është gabim. Nuk është kjo rruga. Për mua ata i humbën zgjedhjet. Deri në çastin që nuk kishte dalë rezultati ata nuk thanë asnjë fjalë, ishte një qeveri që u sajua gjoja për të pasur pluralizëm gjatë procesit zgjedhor.
Pati një qetësi të jashtëzakonshme gjithë fushate, u duk çdo gjë normale dhe të gjithë po thoshin që shyqyr që u gjet një zgjidhje për fushatat e zhurmshme me shumë llafe. Por sa doli rezultati, filluan edhe vërejtjet, sajuan këtë që thonë tani që zgjedhjet u blenë. Mua më duken të paduruar për të ardhur në pushtet, luftojnë për të ardhur në pushtet.
-Sipas jush, a ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që qëndronte pas akteve të dhunës që u panë të shtunën?
Berisha është prezent në PD. Për moshën që ka ai nuk merr pjesë në të gjithë protestën, ka shkëputje të herëpashershme, duket një herë në fillim, pastaj nga mesi dhe më pas nga fundi, por nuk besoj se ka njeri që beson që Berisha nuk është prezent në atë parti. Berisha influencon. Por vendi drejt një ’97 të dytë nuk shkon dot. Janë kondita të tjera komplet, situata të tjera fare, kështu që të gjitha kërcënimet apo skenarët për mua bien.
-Faktori ndërkombëtar doli kategorikisht kundër skenarëve destabilizues të ndjekur nga opozita. Për herë të parë SHBA-BE iu drejtuan me emra direkt Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Si e komentoni këtë reagim?
Ndërkombëtarët mirë bënë që reaguan ashtu sepse u mbush kupa. Ata në përgjithësi kanë patur një trupë diplomatike që linte mesazhe dhe kush donte e kuptonte. Kurse këtë radhë ishin më direkt sepse vërtet ju duken më të paarsyeshëm. Ti vendos që zgjedhjet kanë qenë kështu, ti vendos që duhet të ikë Rama, por kush je ti? Ti je pakica, ti nuk përfaqëson asgjë në të drejtën për të vendosur. Të drejtën për të vendosur e kanë të tjerët, në këto 4 vjet e ka kjo mazhorancë.
Tani ndërkombëtarët nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër. Nuk i thonë dot Ramës ore për hatër të qetësisë lëre këtë detyrë. Kështu që tani po tregojnë me gisht direkt atë që është përgjegjës për këtë situatë që është krijuar. Ndodhi edhe një sulm ndaj ambasadorit të OSBE sepse janë të pakënaqur me qëndrimin e tyre.
Kush ju del përpara është armik i tyre. Nuk kanë logjikë në vlerësimin e ngjarjeve. Nëse dikush ju thotë që e keni gabim, menjëherë vlerësojnë se është i blerë nga PS. Janë lodra fjalësh, sidomos Basha që duket sikur ka mësuar përmendësh 100 fjali dhe duket sikur iu ndërron vendet atyre. Janë absurde, për më tepër nga ai që kërkon të marrë pushtetin, thotë fjali të përgjithshme.
-Ndërkombëtarët midis të tjerash kërkuan edhe që të mbahet përgjegjësi për dhunën e ushtruar. A duhet të ndëshkohet dikush për situatën që u krijua?
Këtu tek ne nuk është mbajtur asnjëherë përgjegjësi dhe mbase duhet të ketë një herë të parë. Po bëhen shumë hera të para sepse po ndërrohet sistemi gjyqësor, po bëhet një reformë shumë e thellë, nuk janë gati të gjitha institucionet. Situata është vërtet e ngatërruar dhe mbase edhe kjo është arsyeja pse opozita ka zgjedhur këtë moment. E ka më kollaj sepse mund të justifikohet ja ai i mori të gjitha pushtetet, shiko si e mori këtë, po e vonon atë. Më duket e paarsyeshme dhe dua të them që nuk është kjo rruga.
Është gabim komplet. Ata tani po i bëjnë këto për t’u justifikuar. Shiko se ne po i bëjmë të gjitha prandaj hajdeni se do ta rrëzojmë sot, do ta rrëzojmë nesër. Thuhen gjëra të tilla të paarsyeshme. Njerëzit shkulen nga të gjitha anët e Shqipërisë, vijnë, rrinë dy orë, dhe ikin. Nuk e kuptoj. Hedhin shashka, përpiqen të bëjnë zhurmë, kërkojnë të mbajnë të karikuar njerëzit e tyre. Por qëllimi nuk arrihet.
-Opozita kërkon me ngulm largimin e kryeministrit Edi Rama ose në të kundërt kërcënon se nuk do të tërhiqet nga protestat. A duhet të dorëhiqet kryeministri?
Kryeministri nuk duhet të dorëzohet, unë jam kategorik kundër. Do të ishte një precedent shumë i rrezikshëm. Sa herë që dikush mbetet i pakënaqur nga një proces zgjedhor, të ketë të drejtë të kërkojë largimin e kryeministrit është shumë e rrezikshme.