Ditën e djeshme është shoqëruar në polici studentja Ana Hazizaj, e cila shkroi me bojë të zezë parullën “Boschardt, “Turp të të vijë” në banesën ku jeton ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt.
Studentja, e cila angazhohet në strukturat e të rinjve të LSI-së, bashkë me të rinj të tjerë shkruan para dy ditësh poshtë banesës së ambasadorit dhe shkruan parrullën, si shenjë revolte ndaj deklaratave të tij për dhunën e ushtruar në protestën e opozitës.
E gjithë qeveria, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, e cilësuan këtë akt si një kërcënim ndaj ambasadorit të OSBE-së.
Për këto akuza PD u shpreh se është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së.
“Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë”, theksoi PD, duke mos e marrë përsipër aktin e të rinjve që angazhoheshin në strukturat e tyre.
Pas protestës së katërt kombëtare që u zhvilluar nga opozita më 11 maj, gjatë së cilës ndaj Kryeministrisë dhe Kuvendit u hodhën edhe bomba molotov, ndërkombëtarët reaguan ashpër. Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt tha se organizatorët e protestës duhet të mbanin përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.