Shqiptarja.com zbardh listën me 65 kandidatët e Partisë Socialiste për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, që do të garojë me Valbona Sakon për kryetare në zgjedhjet e 30 qershorit.
Në listën për anëtarë të Këshillit Bashkiak janë emra të njohur. Lista kryesohet nga Spartak Kovaçi, që është drejtori i Ujësjellësit, ndërsa ishte kandidat potencial edhe për të kandiduar si kryebashkiak, por në fund PS-ja vendosi Sakon.
E dyta në listë është Jolanda Mustafaraj, drejtoreshë e Rezidencave qeveritare në Durrës, i treti është Alfred Mullaraj, kryetar i Këshillit të qarkut të Durrësit, më pas vjen Ana Dhamo pedagoge, Ani Dyrmishi drejtor i Hekurudhave, Afrim Bakaj ish-drejtor i AKU-së dhe pastaj i Portit dhe shumë figura të tjera të qytetit të bregdetar.
Pjesë e listës janë edhe Jurgen Dashi dhe Adriana Hatellari, që më parë kanë qenë pjesë e LSI-së por tani kanë kaluar te listat e PS. Hatellari është aktualisht këshilltare e LSI-së në Durrës, ndërsa Jurgen Dashi ka qenë drejtor i Mjedisit kur PS dhe LSI ishin në koalicion.
Pjesë e listës është edhe Orges Liperi, emër i cili është bërë publik në kohën e hetimeve për Saimir Tahirin, pasi njihej si njeriu që i kishte dhënë skafin privat ish-ministrit. Në datën 8 gusht 2014 Tahiri sipas hetimeve kishte shkuar nga Saranda në Korfuz me një gomone ”Solemar” 12-metërshe, që doli se ishte në pronësi të sipërmarrësit të bimëve mjekësore Orges Liperi