Nga Mero Baze
Ambasadori Borchardt nuk është i rrezikuar fizikisht nga opozita, edhe pse çuditërisht i kanë gjetur shtëpinë në mesnatë, duke çuar aty një njësit guerril. Nuk është besoj as i surprizuar nga përpjekja e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për ta poshtëruar, duke i treguar çfarë është nder dhe çfarë është turp në këtë vend. Ai është i vjetër në Shqipëri dhe e ka parë nderin dhe turpin që këta politikanë i kanë bërë vetes dhe Shqipërisë.
Më parë, kur Berisha ishte në pushtet, ka qenë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, më pas në Kosovë, e tashmë prapë në Tiranë. Na njeh më mirë, ndoshta dhe më mirë se e njohim ne veten.
Ambasadori Borchardt ndoshta nuk kupton pse i shkuan tek banesa, dhe nuk e sulmuan si zakonisht në sheshe, në portale apo emisione televizive, si gjithnjë, dhe si gjithë ambasadorët e tjerë të Perëndimit, me të cilët kjo opozitë është në luftë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë përbaltur çdo përfaqësues të Perëndimit në Shqipëri këto vite.
Ambasadorin e SHBA, Donald Lu, e shpallën thuajse “non grata” dhe e akuzuan biles se po tradhtonte dhe SHBA.
Romana Vlahutinin e kompletuan si femër me dashnorë dhe të korruptuar, pasi BE kishte marrë me qira një vilë luksoze në Tiranë, nga ato që krerët e opozitës, kanë nga tre a katër. Në fund, dhe si njeri që ja kishte me hile edhe Brukselit.
Figurën më të lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini e kanë akuzuar se puthet në buzë me Edi Ramën, duke shfrenuar fantazitë seksuale dhe duke dëshmuar edhe frustrimet e tyre në këtë pikë.
Eurodeputetin Knut Fleckenstein, që përgjigjet për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, po ashtu e bënë me dashnore në Tiranë, plus të korruptuar, dhe pa harruar dhe që ai ja ka me hile Europës.
Ambasadorët pasardhës të SHBA dhe BE, janë po ashtu nën akuzë, ende pa ngrohur karriget në Tiranë.
Për kandidaten për ambasadore të SHBA, biles Basha ka paguar dhe lobistë ta diskretitojnë pa u nisur.
Ambasadorët e tjerë të Perëndimit, si ajo gjermane, italian, zvicerian, anglez etj., kanë reaguar me të njëjtin tekst, me të njëjtin ton dhe të njëjtin qëndrim, dhe po ashtu janë të sulmuar verbalisht.
Por përse i shkuan tek shtëpia ambasadorit Borchardt?
Kjo nuk ka të bëjë me specifikën e qëndrimeve të tij, por me rolin e tij për zgjedhjet. Ai i ka qëndrimet identike si gjithë kolegët e tjerë Perëndimorë në Tiranë, dhe natyrisht në sinkron dhe me aprovim të OSBE, çka u konfirmua dhe nga reagimi i zyrës qëndrore të OSBE në Vjenë.
Shkuarja tek shtëpia është një kod primitiv i Sali Berishës ndaj çdo armiku të tij në momente tërbimi. E ka bërë këtë në vitin 1998, kur ka tentuar t’i çojë njerëz natën në shtëpi Fatos Nanos, që pas vrasjes së Azemit, ta mbyllte historinë duke vrarë dhe rivalin e tij.
Është një kod primitv, i egër, hakmarrës, i një njeriu që mendon se bota jeton me kodet e tij primitive, siç është zhburrërimi kur të përdhos shtëpinë, apo kur të vjen të kërcënon tek shtëpia.
Është një përzierje e primitivizmit të tij me mafian dhe dufin hakmarrës ndaj njeriut që në një moment të caktuar, i prish më shumë punë se kushdo.
Të gjithëve ua ka çuar dikë tek shtëpia, kur ka qenë i tërbuar me ta. Fatos Nanos deshi t’i çonte falangat më 12 shtator në mbrëmje, me shpresë se do ta përcillte bashkë me Azemin, duke shpëtuar nga të dy.
Gramoz Pashkos i ka çuar banditë tek shtëpia më 1992, duke i poshtëruar dhe fëmijën.
Teodor Kekos i ka çuar banditë tek shtëpia, më 1993.
Bamir Topit i ka çuar njerëz tek shtëpia. Edi Ramës i ka çuar njerëz tek shtëpia.
Edhe mua më ka çuar banditë tek shtëpia për të djegur makinën para shtëpisë, kur mund ta digjte dhe diku tjetër.
Është kod i hakmarrjes së tij ndaj dikujt që ai e ka për momentin armikun e jetës.
Ambasadori Borchardt është përzgjedhur si armik prej tij në këto momente, jo se ka folur më shumë se të tjerët, por se ai ka në dorë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Ai ka zhbërë dhe shfryrë si tullumbace gjithë shpikjet e Sali Berishës për të prishur zgjedhjet e vitit 2017 dhe këto të radhës.
Ai ka kërkuar reformën zgjedhore hapur, ka kritikuar Partinë Demokratike po hapur, për mungesë të vullnetit për reformën zgjedhore, dhe ka qenë pjesë e atyre ndërkombëtarëve që u ka kërkuar socialistëve ta miratojnë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, edhe të vetëm.
Ai ka mbrojtur tezën se zgjedhjet e vitit 2017 janë të pakontestueshme nga këndvështrimi i sotëm, dhe ka zhbërë pretendimet e tanishme për mungesë kushtesh në zgjedhjet vendore.
Nga ana tjetër, ai është përfaqësues i lartë i trupës diplomatike profesioniste të Gjermanisë dhe që ka ndikim shumë here më tepër se lobistët e Lulzim Bashës që tentojnë të vadisin herë pas here, me deklarata, një lule artificiale në oborrin e PD, që s’ka nevojë për ujë, pasi ka lindur e tharë.
E thënë më thjeshtë, ambasadori Borchardt është pengesa përse kauza fallco e Sali Berishës, e përfaqësuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, nuk besohet dhe nuk ngjit në Perëndim.
E kanë përzgjedhur mes të tjerëve, pasi e konsiderojnë si fatkeqësi për ta. Ndaj dhe kanë shkuar aq larg, sa t’i çojnë kode mafize dhe fisnore, që mes të tjerash na turpërojnë në sytë e Europës si vend primitiv.
Është një krim që ka shumë gjurmë të ngjashme në vite në politikën shqiptare dhe që të çon tek i njëjti vrasës serial i Perëndimit në Shqipëri, tek Sali Berisha.
Nuk do që ta vrasë ambasadorin Borchardt, as të besojë se ai do të trembet, por thjesht kur ai të mos thotë atë që pret Sali Berisha për zgjedhjet, ta zhvlerësojë qëndrimin e tij dhe të OSBE, si të motivuar nga poshtërimi dhe përdhosja e banesës së tij, që Berisha në koshiencën e tij, e di fundin e botës.
Kaq banale, kaq e pështirë, dhe kaq perverse është ajo që ka bërë me vetëdije.
I vunë një kryq tek dera si nazistët hebrenjëve dikur, për ta përdorur si arsyetim, kur ta kenë përballë./ Tema