Kryeministri Edi Rama tha se gjithkush ka të drejtë të mbështesë kë të dojë por jo të kërcënojë liritë dhe të drejtat e të tjerëve.
Gjatë një konference me gazetarët Rama u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të mos kërcënojnë lirinë dhe të drejtat e të tjerëve sepse do t’i heqin lirinë vetes për Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, dhe Saliun.
“Jeni ju që i ndiqni pas, ju që po më shikoni dhe po më dëgjoni mua dhe që keni gjithë të drejtën të doni dikë tjetër dhe të mbështesni dikë tjetër dhe të kërkoni diçka tjetër në formën e qeverisjes.
Sot ka një gjyq për të shtunën. Janë njerëz të zakonshëm, njerëz të manipuluar dhe të nxitur për të bërë dhunë që duhet ta pyesin me siguri veten për kë e bëra.
Të gjithë kanë të drejtën të mendojnë në mënyra të ndryshme, forma të ndryshme, por kush shkon përtej të drejtës për të pasur mendimin e qëndrimin e vet dhe kërcënon lirinë dhe të drejtat e të tjerëve është i tepërt në territorin ku lëvizin njerëzit e lirë dhe pastaj e vazhdon një pjesë të jetës ku shteti dënon ata që mbahen në heqje lirie.
Dhe për kë? Për Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, për Saliun apo të tjerët me radhë. Njerëz që s’kanë asnjë sens të historisë, asnjë sens të së ardhmes por kanë të gjithë energjinë negative që prodhon me furi dëshpërimi dhe verbëria, mungesë e plotë vizioni, mungesë e plotë idesh. Si mund të zëvendësohet vizioni me zjarrin, idetë me kapsolla.
Si mund të zëvendësohet qenia e një partie politike që është një alternativë për t’u votuar me një trup pa kokë që e marrin këmbët dhe e sjellin vërdallë nëpër tiranë për të bërë dëm dhe kërcënuar të tjerët se po nuk u hap rruga do bëjmë dhe më shumë dëm”, deklaroi Rama.