Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi kanë treguar hapur dje se duan të fusin në kaos vendin. Opozita protestoi dje në Tiranë dhe Kryeministria, Parlamenti dhe Drejtoria e Policisë u ndezën në tym e flakë. Ish-kryeministri dhe liderja e LSI duket se e arritën qëllimin e tyre, për të çuar një mesazh në SHBA dhe BE se Shqipëria është në kaos.
Përmes militantëve të tyre shkaktuan kaos nëpër rrugët e kryeqytetit, edhe pse mund të thuhet se tentativat e tyre për të marrë dhe djegur institucionet dështuan. Dhuna e protestuesve nisi te Kryeministria.
Ishte ora 19:10, kur protestës para Kryeministrisë iu bashkuan kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, të cilët ishin nisur nga selitë e tyre të shoqëruar nga mbështetës dhe militantë. Gjatë kohës që Basha po i drejtohej podiumit për të folur, disa protestues nisën të hidhnin shashka dhe tymuese para kordonit të policisë, ndërsa disa të tjerë nisën të gjuanin Kryeministrinë me bojë.
Më pas kur akrepat e orës shënuan 19:15, kryedemokrati Basha u ngjit në podiumin në mes të turmës, teksa hodhi akuza në adresë të qeverisë dhe renditur disa nga arsyet se përse opozita nuk e njeh më mazhorancën si shumicë. Por pak pasi kreu i PD kishte nisur fjalimin e tij, disa protestues mes tyre edhe persona të maskuar, kanë ndezur flakadanë, ndërsa kanë sulmuar Kryeministrinë, madje edhe Kryesinë e Kuvendit me bomba molotov.
Për pasojë dyert e Kryeministrisë u përfshinë nga flakët duke u shkrumbuar. Ndërkohë që, në ovacion e sipër, protestuesit thyen gardhin mbrojtës të godinës qeveritare, duke çarë kordonin e policisë dhe mësyrë kështu drejt saj.
Dështimi i Berishës dhe Kryemadhit
Pas Kryeministrisë turma u zhvendos te Parlamenti, ku u sulmuan forcat e policisë. Bombat molotov, kapsollet dhe fishkezjarrët ndaj tyre ishin të shumtë. Por si asnjëherë më parë, policia ju përgjigj turmës, duke nxjerrë makinat e ujit dhe forcat speciale, të cilat shpërndanë shumë kollaj turmën, duke dështuar totalisht protestën.
Kjo cilësohej si një protestë vendimtare, duke qenë se muajin tjetër janë zgjedhjet. Vetë Berisha deklaroi se Rama duhet të largohet me çdo çmim, ku u shpreh se do kemi mosbindje civile. Ish-kryeministri qëndronte afër Bashës dhe gjatë gjithë kohës i fliste në vesh, duke i dhënë udhëzime për të destabilizuar vendin.
Ndërsa Monika Kryemadhi mbeti në hije. Në podium foli vetëm Basha dhe ish-deputeti Flamur Noka, ndërsa përfaqësuesit e LSI ishin të distancuar. Por policia veproi si rrallë herë. Forcat speciale dhe blindat e ujit vunë para të gjithë protestuesit dhe detyruan Bashën të tërhiqej, duke zhvendosur protestën te drejtoria e policisë.
Pra, me pak fjalë, protesta mund të quhet një dështim total, lidhur me pritshmëritë. Kryemadhi fliste për një ’97-të të dytë, ndërsa Berisha për kaos e cunam. Asnjë nga këto nuk ndodhi. Turma nuk hyri dot në Kryeministri dhe po ashtu nuk hyri dot në Parlament. Berisha prej javësh ushtronte presion përmes njerëzve të tij në degë që Tirana të kthehet në një betejë për jetë a vdekje, por policia e neutralizoi situatën.
Kjo është protesta e katërt radhazi e madhe dhe kemi pak a shumë të njëjtën gjë. Turma mblidhet para Kryeministrisë, hidhen mjete të forta dhe më pas protesta zhvendoset te Parlamenti. Edhe pse dje Tirana ishte në tym e flakë nga dyshja Berisha-Kryemadhi, institucionet rezistuan, nga Kryeministria, te Parlamenti dhe policia.
Kliti Topalli