I njoftuar nga stafi i ngushtë se më në fund kryeministri Edi Rama ka dhënë dorëheqjen nga dekorata e qytetarisë së Nderit të bashkisë Dibër, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi në një konferencë urgjente për shtyp se tani ai është gati për të negociuar me Ramën.
“Siç e patë, të dashur shqiptarë, Edi Rama më në fund iu dorëzua presionit të opozitës së bashkuar,” deklaroi Basha me një buzëqeshje të përmbajtur, si për të përçuar mesazhin se ky akt nuk e gëzonte dhe aq.
Heqja dorë nga dekorata në fjalë, të cilën kryeministri i mundur e njoftoi me gjysmë zemre përmes ERTV, faktikisht e kapi të papërgatitur kreun e PD-së.
Pasi shefja e LSI-së nuk po i përgjigjej në telefon, Basha thirri një samit special bashkë me Shpëtim Idrizin dhe Vangjel Dulen për të diskutuar përshkallëzimin e protestës së opozitës.
“Ti Pëto do mobilizosh çamët e Vlorës dhe Sarandës, ndërsa ti Vangjo mblidh çamët e Igumenicës. Do ta tundim Tiranën,” po udhëzonte Basha.
“Po grekët mo Luludhi,” pyeti Dulja i mekur, “kush do i mbledhi mo?”
“Lëri se ata i sjell për një orë Nard Ndoka,” tha Basha, dhe vazhdoi: “Të shtunën do bëjmë protestën më të madhe në historinë e pluralizmit. Pastaj, të shtunën tjetër, do bëjmë më gjiganden në historinë e njerëzimit”.
Dule megjithatë mbeti skeptik:
“Shiko, qirje Luludhi… Mos ta bëjmë dhe shumë të madhe, them unë. Ne pushtetin në Shqipëri duam. Kam hall mos na ngec gjithë Ballkani në dorë pastaj…”.
Pikërisht teksa triumvirati i revolucionit po mendohej sesi ta kufizonin disi pjesëmarrjen, erdhi lajmi i shumëpritur: Më në fund, një dorëheqje nga Rama.
“E futi bishtin nën shalë mistreci, shpërndahemi çuna,” tha Basha.
Dhe para gazetarëve lideri sqaroi:
“Tani jam gati të bisedoj me Ramën. E ftoj derëziun të diskutojmë pikat e pjesëmarrjes sonë në zgjedhje. Kam vendosur t’i jap dhe njëherë dorën, se ai do jetë opozita e nesërme dhe opozita është jetike për demokracinë….”
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike në favor të protestave më gjigande në histori…