Janë disa momente të fëmijërisë, në pamje të parë të parëndësishme, që të shoqërojnë në të gjithë rrugën e mëtejshme. U rikthehesh hera-herës, sa herë bisedat të kthejnë në fëmijëri, por ndërkaq, e ardhmja që mendoje dikur është bërë e tashmë dhe të ka përfshirë në rrëmujën e një kohe që vetëm për kujtime të bukura nuk është më në gjendje.
Secili prej nesh i lidh zgjedhjet që ka bërë kur ka qenë i rritur me një episod a ndikim nga fëmijëria. Dikush e ka vendimtar, dikush tjetër vetëm sa mendon se mund të ketë lidhje me ngjarjet e së shkuarës. Ai i Redon Makashit bën pjesë në kategorinë e parë. Po! Redoni ka nisur të ëndërrojë për t’u bërë muzikant, duke dëgjuar fshehtas Françesk Radin që luante këngët italiane në kitarë.
Familja e Redonit, dy prindërit e tij, Fitim dhe Drita Makashi, kishin marrëdhënie të ngushtë me dy vëllezërit artistë, Ferdinand dhe Françesk Radi. Përveç vizitave familjare që bëheshin dikur e kohës që kaloje me njerëzit, edhe pushimet i kalonin bashkë. Redoni kujton se si zhurmonte shtëpia e Radëve nga zërat e miqve o familjarëve vetë, ndërsa nga njëra prej dhomave të pallateve “Moskat”, te Tirana e Re, dëgjoheshin gjithmonë tinguj kitare. Françesku luante vazhdimisht, i pashqetësuar që miqtë mund të “ngrinin zërin” jashtë, për tingujt e Çelentanos a Toto Cotugno-s së tij. Mes rrëmujës së fëmijëve e të rriturve bashkë, barcaletave të Ferdinandit e haresë së të gjithëve, ishte edhe një fëmijë i vogël që rrinte pas dere e ëndërronte… “Po sikur të bëhem edhe unë një ditë kështu?”…
Redoni as që e kuptonte ç’po luante miku i prindërve të tij, nuk bënte asnjë krahasim të tingujve me muzikën italiane, dinte vetëm që pas asaj dere ishte një botë e tërë për t’u zbuluar dhe ai donte të jetonte pikërisht aty! Jo shumë vite larg atij episodi kuptoi se do të ndiqte të njëjtën rrugë dhe tashmë, në derën pas së cilës fantazonte, do të trokiste për të kërkuar borxh një kitarë.
Redon, në koncertin e “Tre Musketjerëve”, ti përmende edhe Françesk Radin. E lavdërove shkurt sepse the që nuk ishte vendi për t’u zgjatur dhe se për Françeskun kishe ç’të flisje. Na i thuaj tani…
Françeskun e kam njohur ende pa njohur veten. Isha shumë i vogël dhe shkonim shpesh në shtëpinë e tyre me prindërit. Fitimi dhe Drita ishin miq të ngushtë me ta. Ata jetonim tri familje bashkë, te pallatet “Moskat” dhe shtëpia ishte gjithnjë me njerëz. Hynin e dilnin të gjithë, por Françeskun, në ato vite, e kujtoj që rrinte përgjithësisht i mbyllur në dhomë. Luante në kitarë pa u shqetësuar nga njeri. Dëgjoja atëherë që e krahasonin me Çelentanon, por as që e kuptoja se çfarë ishin duke thënë. Unë vetëm shkëputesha nga zhurma o të qeshurat që shkaktonte Ferdinandi për miqtë dhe rrija pas derës nga vinte muzika.
Mendoja: po sikur të bëhem edhe unë një ditë si ky?!
Pra, nuk e teprojmë nëse themi që Françesku ka qenë ndikimi kryesor në zgjedhjen tënde të muzikës?
Nuk e teprojmë fare, sepse ka qenë një moment vendimtar, të cilin e kam përpara syve edhe tani. Një fëmijë aq i vogël nuk mund të kujtojë shumë gjëra nga fëmijëria, por fakti që kjo është ngulitur dhe që unë më pas bëra pikërisht atë gjë, do të thotë shumë. Nga ana tjetër, nuk është se ishte një çast i vetëm. Unë shkoja shpesh në shtëpinë e tyre dhe vazhdimisht ishte e njëjta situatë, ndaj së cilës ndihesha i tërhequr, isha kurioz, doja të mësoja më shumë. Kur u rrita aq sa për të nisur shkollën e në vazhdim, me krijimin e grupit të parë shkoja përsëri te Françesku për t’i marrë borxh kitarën. Ne sigurisht që nuk kishim instrumente sepse ishim ende të vegjël, por ai ma jepte gjithnjë.
A nuk druhej Françesku të luante muzikë të huaj në atë shtëpi të madhe, ku hynin e dilnin njerëz?
Jo, shkonin miqtë e afërt, ishte në shtëpinë e tij.
Kur u rrite dhe njohe muzikën, a mendove se krahasimet e dikurshme me Çelentanon ishin të sakta?
Po, e mendova më vonë, kur u njoha me muzikën italiane, që kishte një ngjashmëri mes zërave të tyre, por nuk ishte kjo vlera e Frankos. Ai ishte kantautor, i krijonte, shkruante tekstin e gjithçka e bënte vetë. Atë kohë ishin të rrallë ose nuk kishte fare artistë të tillë. Tekstet ndonjëherë ia bënte edhe Ferdinandi, i vëllai. Pastaj, njohja me të përtej muzikës kishte qenë e vazhdueshme edhe mjaft e ngushtë. Prindërit e mi, edhe pas vdekjes së Ferdinand Radit, vite më parë, u lidhën edhe më tepër me Frankon dhe Teftën.
Në një intervistë të pak ditëve më parë Tefta përgjigjej nga Australia, ishte zhvendosur atje. Me sa di, ishte një plan të cilin ata e kishin të dy, pak kohë përpara vdekjes së papritur të Frankos.
Po, është e vërtetë. Tefta priti të kalonte një- farë kohe për të ikur tani, por në fakt plani ka qenë të iknin të dy, të zhvendoseshin atje, tek i biri.
Cilat ishin bisedat tuaja të mëvonshme, kur tashmë ishit të dy kantautorë?
Bisedat e muzikës ishin kryesoret dhe më të shpeshtat, por nuk ishin vetëm ato. Ne dilnim, hanim, pinim, luanim futboll. Prandaj ishte kaq e pabesueshme për mua largimi i tij, për shkak të trupit prej atleti dhe formës së mirë fizike. Sa herë luanim kalçeto, ne djemtë e rinj lodheshim më parë se ai. Nuk abuzonte me asgjë, jetonte shëndetshëm, por këto nuk janë punët e zgjedhjet tona, s’kemi çfarë bëjmë. Megjithatë, ende tani që po flasim për të më duket sikur thjesht nuk është i pranishëm tani mes nesh, jo se ka ikur përgjithmonë. Nga pikëpamja muzikore jemi lidhur më tepër te “Këngët e Shekullit”, sepse zgjidhja gjithmonë këngët e tij për të kënduar. Nga kjo pikë- pamje mendoj që artistë si ai janë gjithnjë me fat, sepse këngët e tyre do të tingëllojnë gjithmonë si të freskëta, çka është e pamundur të ndodhë sot me këngëtarët e rinj që po hynë e po dalin pa lënë asnjë gjurmë. Kjo e bën atë apo të tjerë si ai, të jetë gjithnjë “gjallë”.
A të jepte këshilla, a bënte kritika?
Po, këtë e bënte, ishte kritik dhe e vlerësoj për këtë. Një artist i kompletuar, një muzikant i mirë, do ta bëjë patjetër këtë gjë. Diskutonim për materiale të ndryshme që kishte ai apo unë.
U bëmë vërtet kolegë. Ishte një natyrë shumë e dashur, nuk prishte qejf me askënd.
Në dukje pak i tërhequr, apo…?
Kjo mund të jetë e vërtetë, por e bënte me vetëdije. Në kohët që jetojmë sot, shumë artistë të mirëfilltë e kanë të vështirë të përshtaten o të gjejnë veten. Janë disa ikona që duhen ruajtur sa janë gjallë e të mos lihen pas dorë. Ma do mendja që e ndiente njëfarë mungese vlerë- simi dhe kjo vetëm për rastin e tij sepse ndodh rëndom këtu te ne. Ç’rëndësi ka vlerësimi pas vdekjes?! Artistët, kudo në botë, vlerësohen sa janë të gjallë dhe s’vdesin kurrë. Asnjëherë nuk dëgjon të thuhet “I ka ikur koha këtij”. Unë po e dëgjoj edhe për veten time dhe është e tmerrshme kjo gjë. Ata që e thonë së pari nuk janë artistë dhe nuk dinë të vlerësojnë asgjë, janë sipërfaqësorë dhe kanë frikë nga arti i vërtetë. E keqja tjetër është që po shtohen në mënyrë të frikshme! Mirëpo, unë nuk jam kundër muzikës së tyre, pavarësisht mendimit që kam, siç janë ata kundër nesh. E rëndë- sishme është që dëgjuesi të ketë çfarë të zgjedh, le të pëlqejë ç’të dojë, por jo të heqë e të bëjë përcaktime se cila muzikë bën e cila jo! Sidoqoftë, përveç këtij problemi bashkëkohor, Franko ka pasur edhe vështirësitë e tjera të kohës së tij. Është detyruar të punojë në Fushë-Arrëz dhe është përpjekur të bëjë muzikë në një terren që nuk ishte i tiji.
A fliste ai për këtë pjesë të jetës… Çfarë tregonte?
Jo, ai nuk fliste për këtë gjë, asnjë histori të kësaj periudhe nuk kam dëgjuar prej tij. Asnjëherë nuk ankohej. Por është lehtësisht e përfytyrueshme se si është ndjerë dhe ç’kufizime ka pasur kjo gjë në muzikën e tij. Kam qenë i vëmendshëm për të parë nëse do të ankohej a zbrazej diku, por mllefi nuk ishte pjesë e tija. Ishte vërtet artist, ai dhe Tefta. Të dy një çift shumë i mirë e njerëz të mrekullueshëm që ishin rritur së bashku. Ka njerëz që ndoshta kanë kaluar shumë gjëra, por nuk përmbahen dot, vazhdojnë të thonë qindra herë të njëjtën gjë. Disa gjëra mund të më ketë treguar im atë, por ai vetë jo…
Çfarë të tregonte babai?
Edhe këto nuk ishin ankesa, ishin histori humori që i tregonte edhe Nandi. Një herë Franko kishte marrë një kontrabas nga Tirana për ta çuar në Fushë-Arrëz. E kishte ngarkuar në një kamion dhe rrugës të gjithë fshatarët që i merrte makina për t’i çuar në fshat uleshin mbi instrument sepse mendonin se ishte ndenjëse. Mendoni habinë e Frankos kur shihte gjithë këtë. Unë kur kam shkuar vitet e fundit për koncerte atje, këtë gjë mendoja të parën; këtu ka jetuar Franko?! Sigurisht që njerëzit përshtaten ku të jenë, por unë, si idhull rinie që e kisha, e mendoja gjithmonë.
Çfarë tregonte tjetër Ferdinandi?
Përmendte historinë e flokëve. Rastin kur e penguan Frankon të këndonte vetëm përmes fotografisë. Kur e panë në foto “vlerë- suesit” thanë se nuk mund të këndonte dikush me flokë të gjatë në skenë. Ai sigurisht që kishte problemin e veshit, flokët e gjatë nuk ishin çështje rebelimi, por këtë s’mund ta kuptonin të gjithë.
Kohët e fundit e kujton?
Kujtoj dhe nuk kam për ta harruar për një kohë të gjatë momentin e fundit, atë të përcjelljes, kur përqafova Teftën dhe më tha “Si do të jetoj unë pa Frankon”. E përjetova shumë keq sepse ata janë rritur bashkë. Sigurisht, për të gjithë, një rast i tillë është humbje e madhe, por mënyra se si ma tha, më bëri të mendoja për një dashuri të çuditshme, sikur ishin ende në muajt e parë të dashurisë. Këtë ndjeva në sytë e saj, që ende më shfaqen duke më thënë ato fjalë. Sidoqoftë, unë do të ruaj gjithmonë një kujtim shumë të mirë, qoftë nga ana artistike, qoftë nga ajo njerëzore. Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë keq për njeri dhe nuk kam ndenjur pak me të! (Panorama)