Përcaktimi i emrit për kandidatin e Partisë Socialiste për bashkinë e Urës-Vajgurore, është bërë mollë sherri mes anëtarëve socialistë, gjatë mbledhjes së asamblesë të këtij qyteti.
Mbledhja e asamblesë e kryesuar nga Blendi Klosi, në ambientet e kinemasë së qytetit të Urës-Vajgurore është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve të asamblesë, të cilët nuk kanë qenë dakort me kandidaturën e kryetares aktuale, Juljana Memaj, të përkrahur nga Klosi.
Asambleja e Partisë Socialiste të Urës-Vajgurore ka propozuar 2 emra të tjerë kandidatësh për bashkinë: Fatli Afilaj,aktualisht kryetar i këshillit të qarkut Berat dhe Isuf Baze,inspektor në DAR Berat.
Por, pak përpara se të fillonte kjo mbledhje që u shoqërua me debate të ashpra,u nxorën jashtë nga salla të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste që nuk ishin në asamble, mes tyre edhe ish/kryetari i Partisë Socialiste në Poshnje,Ramadan Baho.
Pas përfundimit të mbledhjes në një nga lokalet e qytetit të Urës-Vajgurore,2 punonjës të bashkisë kanë kërcënuar dhe goditur Ramadan Bahon, duke e bërë atë përgjegjës për konfliktin në mbledhjen e asamblesë. Pasi e kanë goditur,dy punonjësit e bashkisë së Urës-Vajgurore: Muharrem Selenica,me detyrë punonjës i shërbimit pyjor dhe Berti Memaj, shofer në bashki dhe njëkohëshisht xhaxhai i kryetares aktuale të bashkisë,janë larguar nga lokali.
Ramadani ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Urës-Vajgurore për rrahjen dhe,sipas burimeve policore të dy shtetasit e sipërpërmendur janë shoqëruar në polici,ku po deklarojnë në lidhje me rrethanat e kësaj ngjarjeje.