Dështimi për të çarë bllokadën mes Kosovës dhe Serbisë thekson dështimet e politikës së jashtme të BE-së.
Nga Matthew Karnitschnig
Emmanuel Macroni ishte pranë çmendjes.
Pas përpjekjeve (dhe dështimit) për orë të tëra për të stimuluar dhe inkurajuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj që të pranojë një kompromis për të zbutur mosmarrëveshjen e përkeqësuar të vendit të tij të vogël me Serbinë, presidenti francez u bë i drejtpërdrejtë.
“Nuk jeni në pozitën për të kërkuar asgjë”, citohet t’i ketë thënë, me zë të lartë, Haradinajt teksa grupi i liderëve nga rajoni vetëm po shikonin, sipas dy personave që kanë qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje në Berlin, raporton “Politico”.
Kaq e patën paqebërësit në ardhje të Evropës për Ballkanin
Macroni vizitoi kryeqytetin gjerman këtë javë për të qenë bashkë-nikoqir i një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor bashkë me Angela Merkelin që kishte për qëllimi rinisjen e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës.
Të frustruar me dështimin e BE-së për të arritur një marrëveshje për të qetësuar tensionet, Merkeli dhe Macroni vendosën t’i marrin gjërat në duart e tyre.
Nga koha kur samiti i shty në orët e hershme të së martës, ata sipas të gjitha gjasave shpresuan të mos e kishin marrë një vendim të tillë. Në vend se të paraqisnin një të arritur, Merkeli dhe Macroni pa dashje e vunë diplomacinë jofunksionale të Evropës në sy të popullit. Samiti theksoi ndasitë jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Parisit dhe Berlinit dhe mes shteteve anëtare të BE-së dhe aparatit të tij për politikë të jashtme në Bruksel.
Tensionet mes fqinjëve ballkanikë u ngritën sërish kohë më parë kur Kosova ngriti tarifat ndaj mallrave serbe në 100 për qind, si reagim nga përpjekjeve të Beogradit për të bllokuar njohjet ndërkombëtare për Prishtinën. Serbia menjëherë e bëri të qartë se nuk do të merrte më pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes dy palëve, pa u hequr tarifat.
Teksa po shkonin në takimin e kësaj jave, asnjëra palë nuk dukej e gatshme për t’u tërhequr, duke i bërë disa diplomatë privatisht të vënë në pikëpyetje nëse samiti të mbahej apo jo. Samite të niveleve të tilla të larta zakonisht janë çështje të koreografuara me kujdes, të përcjella me punë diplomatike gjatë të cilave zyrtarët negociojnë kornizat e marrëveshjeve, të cilat më pas u shkojnë liderëve për finesat përfundimtare. Vende të mëdha shpesh shfrytëzojnë takime të këtilla, takime që liderë të vendeve më të vogla i vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si stimuj për kompromise.
Në këtë rast, pjesëmarrësit nuk mundën të pajtoheshin madje as për “konkluzat” e gjëra të qarkulluara nga Berlini dhe Parisi ditëve të fundit para samitit.
Edhe përkundër mospërputhjes së mendimeve, si Macroni ashtu edhe Merkeli shpresuan të shfrytëzojnë momentumin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth emrit të kësaj të fundit për të arritur njëfarë lëvizjeje përpara mes Serbisë dhe Kosovës.
U dëshpëruan. Takimi – ku përfshiheshin liderët e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut dhe që kishte për qëllim të përqendrohej edhe në aspiratat e rajonit për në BE – shpejt u zhyt në kënetë mes Serbisë dhe Kosovës, duke nxitur kritika se jo vetëm që nuk u përmirësua situata, por dora e ngathtë e Berlinit dhe e Parisit vetëm sa i përkeqësoi gjërat.
“I vetmi person i lumtur ishte Mogherini”, tha një pjesëmarrës, duke iu referuar Shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Duke organizuar samitin jashtë mbështetjes së BE-së – e cila ka procesin e vet që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë – Franca dhe Gjermania në mënyrë të efektshme po ia largonin vëmendjen Brukselit. Ndonëse Mogherini, e cila arriti krejt e buzëqeshur dhe e rrezitur pas pushimeve për Pashkë, u ftua në takimin e Berlinit, ajo pati rol të vogël.
Kritikët e akuzojnë atë se për pjesën më të madhe të mandatit të saj, që nisi më 2014, italiania i kushtoi pak vëmendje Ballkanit, por me vonesë u bë më aktive kur rajoni u bë fokus i politikave të Fuqive të Mëdha, me Kinën dhe Rusinë që kërkojnë të shtrijnë ndikimin atje.
Sido që të jetë, deri më tani ajo s’ka çfarë të tregojë. Mogherini u vu në cak të kritikave pse dështoi të thyente bllokadën mes Kosovës dhe Serbisë, edhe përkundër tentimeve disa mujore. Ajo ka krijuar probleme edhe duke e përqafuar një plan që do të lejonte të ashtuquajturin shkëmbim të territoreve, shkëmbim i territoreve në vija etnike, mes dy vendeve. Ndonëse disa në Beograd dhe në Prishtinë e përkrahin këtë ide, Merkeli është thellësisht kundër me brengën se do të ishte precedent i rrezikshëm në një rajon me histori të errët të spastrimit etnik.
Franca, ndërkaq, ka qenë pak a shumë e paqartë në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve. Në një deklaratë para samitit, Macroni tha se të jashtmit nuk do të synojnë të imponojnë zgjidhje në rajonin dhe tha se “nuk ka tabu”.
Zyrtarët në Pallatin Elysée nuk u përgjigjën në kërkesën për të komentuar deklarata e Macronit në samit dhe nëse ai mbështet shkëmbimin e territoreve.
Mënjanimi i samitit
Samiti nisi të dilte nga binarët pothuajse qysh në fillim.
Delegacioni i Kosovës ishte i ndarë rreth pranimit të kompromisit. Presidenti Hashim Thaçi mbështeti një formë të marrëveshjes, por taksat bien nën mandatin e Haradinajt, rivalit të tij politik.
Haradinaj, ish-komandat gueril, e bëri të qartë se qeveria e tij nuk do t’i heq taksat derisa Serbia, e cila ende e konsideron Kosovën një provincë të sajën, të njohë sovranitetin e saj.
Gjatë një pauze, derisa anëtarët e delegacioneve tjera po qëndronin në një prej ballkoneve në Kancelarinë në Berlin, Merkeli dhe Macroni e hoqën mënjanë Haradinaj.
Ata kërkuan nga ai të pezullonte taksën për gjashtë muaj që t’u jepte rast negociatave për një marrëveshje të gjerë të shkonin tutje, duke mbajtur “karotën” e udhëtimit pa viza për kosovarët në zonën Schengen të BE-së. (Edhe pse Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së për liberalizim vizash, një prioritet i madh për një vend të vogël, aprovimi final nuk është dhënë shkaku i disa vendeve anëtare).
Haradinaj nuk u tërhoq.
“Dua njohje”, tha ai, sipas personit që kishte qenë dëshmitar i shkëmbimit të fjalëve.
Haradinaj nuk është përgjigjur ndaj kërkesës për të komentuar për këtë artikull.
Shumica e vëzhguesve besojnë se nëse Serbia ndonjëherë pajtohet të njohë Kosovë, ajo mund të vijë vetëm në fund të një procesi që do t’i ofronte Beogradit një çmim të madh, siç është anëtarësimi në BE.
Merkeli foli me Haradinajn për rëndësinë e kompromisit në politikën dhe durimin evropian, duke nxjerrë shembullin e ribashkimit të Gjermanisë, për ç’gjë shumë pak menduan se mund të ndodhte në vitet para se të binte Muri i Berlinit.
“Nuk dua të pres 20 vjet”, u përgjigj Haradinaj.
Në një pikë, Macroni e kapi kosovarin, i cili flet një frëngjishte të rrjedhshme pasi ka punuar si sigurim në Zvicër në të ’90-at, dhe e veçoi për të folur privatisht me të.
Haradinaj nuk ndryshoi qëndrim, duke vazhduar të kërkojë që Serbia të njohë Kosovën fillimisht.
Merkeli dhe Macroni, duke e parë se nuk po arrinin asgjë, përfundimisht e shtynë takimin. Zyra e Merkelit lëshoi një komunikatë franko-gjermane ku thoshte se Serbia dhe Kosova janë pajtuar të punojnë “në mënyrë konstruktive” për t’i normalizuar marrëdhëniet..
Sikur të ishte kështu.
Nuk u përmend fare se dy palët në të vërtetº u pajtuan që të rinisin dialogun e tyre të ngrirë.
Një arsye e madhe për kokëfortësinë e kryeministrit kosovar është se qëndrimi i tij gëzon mbështetje të fuqishme në vend.
“E ka bërë atë të famshëm”, tha Milan Nic, një analist në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), që mbulon rajonin.
Pyetja është se sa gjatë mund të mbajë ai këtë qëndrim. Merkeli dhe Macroni duken se e kanë qëllimin të detyrojnë Haradinajn të tërhiqet. Dyshja ka planifikuar një samit tjetër me palët e hasmuara në fillim të korrikut në Paris.
Sikurse BE-ja, edhe SHBA-ja i ka bërë presion Kosovës që ta heqë taksat. Delegacioni i Kosovës u takua me Richard Grenell, ambasadorin amerikan në Gjermani, para samitit, dhe ai e përsëriti atë porosi.
Ndoshta e vetmja çështje ku politikanët grindavecë të Kosovës duket se pajtohen është se SHBA-ja, e cila udhëhoqi fushatën bombarduese të NATO-s më 1999 që shtroi rrugën për pavarësinë e Kosovës, duhet të jetë më e përfshirë në proces.
SHBA-ja e pranon më shumë idenë e shkëmbimit të territoreve, nëse dy palët pajtohen. Ideja është mbështetur nga presidenti serb, Alexander Vuçiq, dhe nga Thaçi në të kaluarën, ndonëse që nga atëherë ata e kanë errësuar kuptimin e saj. Haradinaj, që kundërshton çdo ndryshim të kufijve, tha pas samitit se kjo çështje “është hequr nga tavolina”, por pjesëmarrësit tjerë e mohuan këtë.
“Pa SHBA-në, kurrë s’mund të kemi dialog, negociata apo ndonjë marrëveshje”, i kishte thënë Thaçi Reutersit në Berlin.
“BE-ja nuk është e bashkuar në këtë proces”.