Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë në dorë luftën ndaj korrupsionit në vendin tonë. Reforma në drejtësi po avancon dhe shumë shpejt do të jenë gati si Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ashtu dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Shumë politikanë, si majtas, ashtu dhe djathtas nuk i duan kot organe, po ndërkombëtarët po japin sinjale se do i shkojnë deri në fund angazhimit që kanë ndërmarrë në vitin 2016. K
shilli i Lartë i Prokurorisë ka publikuar dje metodologjinë që do të ndiqet për të përzgjedhur prokurorët e Prokurorisë së Posaçme antikorrupsion. Aty tregohet se përfaqësues të OPDAT (SHBA) dhe EURLAIUS (BE) do kenë rol shumë të madh në verifikimin dhe përzgjedhjen e emrave që do të hetojnë që nga presidenti e kryeministri, deri te deputetët, ministrat dhe gjyqtarët e prokurorët.
“Ekspertë dhe vëzhgues të Euralius dhe OPDAT kanë të drejtë të marrin pjesë në çdo mbledhje të Komisionit si dhe të kërkojnë t’u vihen në dispozicion aktet që kandidatët kanë sjellë për vlerësim. Monitoruesit ndërkombëtarë mund t’i ofrojnë Komisionit ndihmën e tyre të specializuar në procesin e vlerësimit të kandidatëve”, thuhet në nenin 7. Kjo do të thotë se anëtarët e KLP nuk do zgjedhin sipas qejfit mes 25 kandidatëve.
Ekspertwt e SHBA-BE do kryejnë verifikime për secilin prej tyre dhe do japin asistencë për të bërë një renditje nga më i miri te më i dobëti. Frika më e madhe e politikës dhe e drejtësisë shqiptare ka qenë SPAK. Por ndërkombëtarët duket se po bllokojnë çdo mundësi që pushtetarët të ushtrojnë presion në KLP mbi emrat që do përzgjidhen për SPAK. Do jenë SHBA e BE shtetet që në fund do vendosin se kush do kalojë në sitë klasën e korruptuar shqiptare.
Ja si do bëhet vlerësimi
Në dokument tregohet me detaje rruga që do ndiqet për përzgjedhjen e kandidatëve. Fillimisht KLP do kërkojë nga Prokurori i Përgjithshëm dy vlerësimet e fundit të performancës së kandidatëve për të bërë vlerësimin sipas nenit 5 dhe 6 të Rregullores. Më pas, komisioni i ngritur aty për PSAK, miraton tabelat e vlerësimit të kandidatëve. Vlerësimi realizohet kryesisht mbi bazën e dokumentacionit që kandidatët kanë depozituar pranë Këshillit.
Tabelat e vlerësimit paraprak përmbajnë elementët e vlerësimit të kriterit: Aftësitë e treguara në hetim, përfshirë përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe qasjen proaktive te hetimi; në ndjekjen penale, përfshirë formulimin e akuzës dhe përfaqësimin në gjykatë; dhe në konfiskimin e produkteve të veprës penale dhe të aseteve, sipas Kodit të Procedurës Penale ose ligjit antimafia (Kriteri 1) dhe të kriterit: Vendosmëria e treguar në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integriteti i posaçëm profesional, përfshi etikën profesionale, ndershmërinë, paanësinë, sigurinë dhe konfidencialitetin e treguar nga kandidati (Kriteri 2).
Në dokument thuhet se kandidatët vlerësohen për “Kriterin 1” sipas këtyre elementeve: përdorimi i teknikave të posaçme të hetimit, qasja proaktive dhe aftësitë në ndjekjen penale, përfshirë formulimin e akuzës dhe përfaqësimin në gjykatë. Më tej theksohet se vlerësimi për çdo element bazohet në numrin e çështjeve për të cilat kandidati ka dorëzuar akte procedurale të dosjeve (vlerësim sasior) dhe veçanërisht në përmbajtjen e këtyre akteve në raport me kriteret e vendosura (vlerësim cilësor).
E gjithë kjo procedurë do ndiqet dhe do asistohet nga ndërkombëtarët, të cilët kanë premtuar se do shfarosin korrupsionin.