Sejfulla Myftari, i njohur nga të gjithë ne me pseudonimin artistik “Ceke”, për shkak se nuk kishte flokë, aktor i madh i humorit shqiptar, lindi në qytetin e Beratit.
Erdhi në artin e aktrimit nga Lëvizja Amatore e qytetit të lindjes. Portreti dhe mimika e tij komike, përdorimi i të folurave krahinore të Shqipërisë, aftësia e shndërrimit nga roli në rol, gjetja e një larushie “maskash” nëpërmjet makiazhit, parukeve, veshjeve, etj, ishin disa nga cilësitë që e afruan shpejt atë në Estradën e Beratit si aktor profesionist, ku debutoi për rreth 30 vjet .
U bë një nga aktorët e mirënjohur të humorit në gjithë Shqipërinë, falë një morie rolesh nga më të ndryshmet, të luajtura me nur e hijeshi komike në skenë dhe në ekranin e televizorit.
Sejfulla Myftari ka shfrytëzuar me mençuri gjetje e forma shprehëse aktoriale të natyrës së groteskut, me deformime, karikaturizime dhe ekzagjerime komike, veçse duke mbetur përherë i natyrshëm dhe organik në sjelljet dhe gjestet e tij, të cilat kanë një vetjakësi të dallueshme.
Në radhën e roleve përfshirë rëndom tipa fshatarësh dembelë e hileqarë, matrapazë, burra me namuz e huqe, pijanecë, zyrtarë të korruptuar po ashtu njerëz të mprehtë e hokatarë që dinë të vënë në lojë të tjerët pa u kuptuar, sikundër janë vërejtur në materiale të tilla humoristike, si: Brigada e dalluar, Allo Llushnja, Kështu ruhet prona, Kryetari i kooperativës, Zotime për bujë, Në mal etj.
Ka qenë po aq i suksesshëm edhe në disa filma humoristikë të regjizorit Arian Çulipi si: Fundi i marrëzisë, Gjithë fajet i ka paraja, Dashuri me krisma, Borxhliu, Një baba tepër etj.
Mban titullin “Artist i Merituar”.
Aktori i madh i humorit, Sejfulla Myftari është nderuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Mjeshër i Madh”, në një ceremoni që ka mbledhur bashkë emra të njohur të artit dhe kulturës në vend./Konica.al