pozita shqiptare, pasi dogji mandatet e deputetit tashmë është në rrugë duke protestuar në forma të ndryshme.
Në fillim protestat ishin para kryeministrisë në bulevardin qëndror, dhe hap pas hapi u zhvendosen drejt Parlamentit, ndërsa tashmë po bllokon akset rrugore në 12 qarqet e vendit.
Diskuri i opozitës e cila ka dalë jashtë sistemit politik është largimi me patjetër i kryeministrit Edi Rama nga posti.
Basha dhe Kryemadhi, në të gjithë artikulimin publik si dhe në takimet me partnerët tanë ndërkombëtarë, kërkesën për largimin e Ramës nga kryeministër e kanë mbështetur në akuzat se është në atë post me votat të blera.
Ky është një pretendim që ka lindur dy vite pas daljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve, i pakontestuar gjatë kësaj periudhe nga opozita.
Për hir të së vërtetës nuk mund ta kontestonte pasi si rezultat i marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës, opozita mori postet kryesore ministrore dhe të institucioneve që kishin të bënin me zgjedhjet apo me presionin ndaj administratës, për të devijuar votën.
Basha mori ministrinë e Brendshme, të Drejtësisë, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Punës, të Financave, të Ekonomisë, zv.kryeministrin, Hipotekën, ALUIZNI-n, KESH-in, OSHEE-në, Burgjet dhe gjithçka qënë kishte të bënte me votën.
Madje Edi Rama si kryeministër që nga miratimi i qeverisë së teknikëve, pas marrëveshjes me Bashën, nuk shkeli asnjë ditë në zyrë deri sa formatoi qeverinë e re, duke e lënë praktikisht drejtimin e qeverisë në dorën e zv.ministres së Bashës.
Asnjë kontestim nuk pati për zgjedhjet e 25 qershorit nga ana e opozitës dhe rezultati ishte i tillë që Rama me 74 vota vetëm të PS mori shumicën absolute të vendeve në Kuvendin me 140 deputetë, duke qeverisur i vetëm.
Pas dy vitesh, Basha dhe Kryemadhi u kujtuan dhe bënë aktin e paprecedent duke djegur mandatet e deputetit, duke dalë jashtë sistemit dhe duke realizuar protesta të dhunshme ndaj institucioneve dhe tashmë me bllokimin e rrugëve nacionale.
Pavarësisht deklaratave të SHBA dhe BE se qeveria dhe Parlamenti janë të ligjshëm dhe opozita duhet t’u rikthehet institucioneve, Basha dhe Kryemadhi jo vetëm që nuk iu përgjigjën kësaj thirrjeje, por kaluan në aktin tjetër ekstrem: Deklaruan bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Opozita kërkon një qeveri tranzitore, pa Ramën kryeministër, duke lënë hapësirë të lirë sipas tyre për çdo qeveri tjetër socialiste me këdo emër kryeministër, vetëm Rama jo.
Basha dhe Kryemadhi e argumentojnë këtë qëndrim, që sipas tyre është i panegociiushëm, se Rama është një rrezik për zgjedhjet dhe sa të jetë ai në këtë post jo vetëm që opozita nuk merr pjesë në asnjë ballafaqim elektoral, por nuk lejon të zhvillohen as zgjedhjet e 30 qershorit.
Madje një ditë më parë, në mënyrë të habitshme, opozita organizoi një tryezë përmes të cilës bëri të ditur platformën të qeverisjes së tranzicionit, pa përcaktuar se kush do të jetë kryeministër apo në qeverisje.
Deviza e opozitës është: mjafton të mos jetë Rama kryeministër. Ndërkohë që me Edi Ramën ulen në tryezë për dialog vetëm si kryetar partie.
Duke qënë se po dëgjohet në të gjitha vaktet e ditës deklaratat se s’ka dialog, negociatë apo zgjedhje me Ramën kryeministër, teksa janë anançuar nga mediat afër opozitës emra të caktuar socialistësh për të qënë kryeministër, me argumentin se janë dhe socialistë të vërtetë, për të qënë koherentë me Bashën, Berishën, Kryemadhin apo dhe zërat e tjerë në PD dhe LSI, ka dhe një emër socialisti, por nga më të vërtetët ama.
Edi Rama e ka treguar se mund të bëjë lëvizje të befta, megjithëse këtë radhë është pak për t’u besuar se mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi ka përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë mandatuar me gati 1 milion vota për të qeverisur i vetëm për 4 vjet.
Ajo që mund të pyesim, në mënyrë të drejtëpërdrejtë Bashën dhe Kryemadhin, është se, nëse në një rast hipotetik Edi Rama pranon të largohet si kryeministër dhe të propozojë një socialist 24 karat siç dhe dhe e do opozita, e shqetësuar se në pushtet është “Rilindja”, kreun e Kuvendin Gramoz Ruçi si kryeministër i qeverisë tranzitore, do të ishte e kënaqur?
I plotëson të gjitha kushtet që ka kërkuar opozita, domethënë nuk është Edi Rama, është i pamanovrueshëm nga askush, është i prerë dhe nuk lejon shkelje ligji, madje nuk të fal as sekondin po e kalove minutazhin në podiumin e Kuvendit, si dhe i pakorruptueshëm.
E theksojmë, pasi flasim në një rast hipotetik, pasi Rama as që ka “sy” për të lëvizur nga posti, i cilësuar i ligjshëm por dhe një partner i besueshëm, nga SHBA dhe BE.
Dhe nëse opozita nuk do ta “përthithte” as Ruçin për kryeministër pas ikjes hipotetike të Ramës, postulati i Nastradin Hoxhës i cili pasi u dënua me vdekje kishte vetëm një dëshirë: “Më varni në pemën që më pëlqen mua”,(kujt i pëlqen të vdesë, qoftë dhe në pemën më të bukur në botë), do të ishte i përputhshëm me refuzimin e opozitës, e cila kërkon vetëm pushtet në tavolinë./M.Nikaj