Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit në koalicion. Mesditën e sotme sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka zhvilluar një takim, ku është firmosur marrëveshja me 24 parti aleate, si Skënder Gjinushi, Paskal Milos, Kiço Tahiri etj.
Ky koalicion do të njihet si “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, por ndryshe nga 2015, nuk do të identifikohet si “ASHE”, por “ASE”.
Ajo që bie në sy në këtë marrëveshje është se aleatët autorizojnë kreun e qeverisë Edi Rama që të zgjerojnë koalicionin pa pasur nevojë për miratimin me shkrim të partive aleate, e ndërsa theksohet se qëllimi i saj është maksimalizimi i rezultatit zgjedhor.
Nga 24 partitë që kanë nënshkruar me PS, bëhet e ditur se përveç partisë SocialDemokrate të Skënder Gjinushit, partitë e tjera nuk janë parlamentare. Që do të thotë kanë qenë pjesë e spektrit politik, por nuk kanë arritur që ta marrin mandate parlamentare në zgjedhjet e kaluara.
Në zgjedhjet 2019, PS nuk do ketë në krah aleaten e saj të zgjedhjeve të kaluara, LSI. Sot, kjo parti e drejtuar nga Monika Kryemadhi i është bashkuar opozitës.