Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me shembjen me shpërthim të kontrolluar të një pallati 5 katësh në Çorovodë, për shkak se rrezikonte shembjen. Sipas Berishës shpërthimi ka sjellë dëme në banesat përreth, akuza të cilat janë hedhur poshtë me reagimin zyrtar të IKMT.
“Shperthimi i komanduar ne Poliçan qe theu xhamat dhe dritaret ne shume pallate te tjere! sb”, shkruan Berisha në videon e postuar, gjatë momentit të shpërthimit.
IKMT deklaron se në raste të tilla, specialistët lajmërojnë një javë më përpara qytetarët për masat që duhet të marrin dhe se për të shmangur dëmet perimetri pranë zonës ku ndodh shpërthimi rrethohet me thasë rëre. Në njoftim thuhet se në rastin e shpërthimit të pallatit në Corovodës nuk ka pasur asnjë dëmtim nga ato që nuk ishin parashikuar më parë.
“Në datën 19 Prill, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, prishi me shpërthim të kontrolluar një pallat pesë katësh në Çorovodë, i cili përbënte rrezik të përditshëm për jetën e banorëve. Çdo gjë e llogaritur me kujdes nga specialistët e IKMT, operacioni u cilësua me sukses dhe qytetarët shprehën falënderimet e tyre.
Por gati dhjetë ditë më pas, ish presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-deputeti, z. Sali Berisha, “ka siguruar” një video (disa të tilla i shpërndau vetë IKMT) mbi të cilën komenton në FB: Shpërthimi i komanduar në Poliçan që theu xhamat dhe dritaret në shumë pallate të tjerë! sbVetëm në respekt të qytetarëve shqiptarë, IKMT detyrohet të sqarojë me keqardhjen e thellë që nuk i plotëson dot dëshirat e fshehta të z.Berisha që nuk ndalojnë vetëm tek xhamat dhe dritaret, se: Çdo herë që ka aksione të tilla, IKMT dhe specialistët e saj lajmërojnë një javë para qytetarët për masat që duhet të marrin. Për të pasur sa më pak dëme perimetri rrethohet aty ku është e nevojshme me thasë rëre.
Policia e Shtetit gjithashtu bashkëpunon me IKMT për mbajtjen e qytetarëve larg perimetrit të rrezikut, pasi ata janë kryesorët që duhen mbrojtur. Në rastin e Çorovodës nuk ka pasur asnjë dëmtim që nuk ishte parashikuar dhe lajmëruar më parë, pavarësisht se çfarë i kanë treguar z.Berisha dhjetë ditë më pas. IKMT siguron ish-kryeministrin se herë tjetër do t’i nisë videot dhe materialet e çdo objekti që prishet me shperthim të kontrolluar duke ia bërë më të lehtë dhe më të shpejtë mundësinë për shpifje dhe nxirje të punës”, shkruhet në njoftim.