Takimi i një dite më parë me ambasadorin e BE në Tiranë Luigi Soreca s’ka qënë i lehtë vetëm për Fatmir Mediun dhe krerët e tjerë të partive të vogla opozitare që kanë firmosur koalicionin me PD për të mos hyrë në zgjedhje.
Ndërsa kreu i PR ka qënë i detyruar që menjëherë pas takimit të flasë para gazetarëve, duke kërkuar nga Meta që të negociojë uljen në tryezë me kryeministrin Rama, “krisma” për Metën dhe Kryemadhin është “dëgjuar” vetëm pak orë më vonë.
Sinjali i parë u dha nga Monika në një emision televiziv, teksa refuzoi kategorikisht një tryezë me Ramën të thirrur në një rast të mundshëm nga bashkëshorti i saj President.
Një koordinim i dukshëm mes Ilirit dhe Monikës, për të deklaruar dhe njëherë atë që kanë deklaruar më parë se, Presidenti nuk e ka tagrin për të ulur në tryezë partitë politike.
Por me sa duket ish zyrtari i lartë i Antimafias italiane, aktualisht kreu i ambasadës së BE në Tiranë, Luigi Soreca nuk ka nxjerrë nga “sirtari” vetëm dosjet e krimit në ngarkim të Mediut dhe disa krerëve të tjerë të partive të vogla të opozitës, por dhe dosjen e rëndë të Metës dhe Kryemadhit.
Ndoshta si për t’ju treguar të vegjëlve se me kë po bashkohen për të dalë jashtë sistemit dhe kë po ndjekin në rrugën e bojkotit të institucioneve dhe zgjedhjeve, këto dosje kanë trembur Mediun dhe liderët e tjerë.
Për këtë arësye, ditën e djeshme, kryetarja e LSI ka mbledhur menjëherë Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, dhe në fjalën e mbajtur me këtë rast ka shpërthyer në histeri, duke kërcënuar me vrasje kreun e qeverisë Rama dhe nxitur shqiptarët ta realizojnë një gjë të tillë.
Monika, duke kërcënuar me vrasje dhe destabilizim të vendit, ka treguar shkallën më të lartë të depresionit në të cilin ndodhet bashkë me bashkëshortin e saj Ilir Meta, nga frika e përballjes me drejtësinë për të gjitha zullumet që kanë bërë tërë këto vite.
Kryetarja e LSI deklaroi para forumit më të lartë drejtues të saj dhe publikisht në media se mund të kenë mbaruar burrat, por jo gratë që do të hakmerren ndaj Edi Ramës, duke e paralajmëruar se tani e tutje ai është nën shënjestrën e armëve.
“Ia bëj të qartë Edi Ramës se bandat e tij përballë miliona shqiptarëve janë shumë të vogla.
Çdo shtëpi e ka një njeri që di të marrë shenjë aty ku duhet”, deklaroi kërcënueshëm Monika, në kulmin e acarimit të saj.
Ajo ka akuzuar Ramën se ka veshur nënat me të zeza për djemtë e humbur, ndërkohë që ka harruar me sa duket vrasjen e katër demonstruesve të 21 janarit për shkak të “bllokut” të Ilir Metës dhe jetët e shuara në mes, të katër baballarëve që lanë fëmijët jetimë.
“Kam një mesazh për Ramën nga parlamenti i LSI. Meqë ka merak të madh për LSI, po ia bëj të qartë që LSI s’është më e kohës kur kishte Ilir Metën që kishte hallin e stabilitetit e të dashurisë dhe qetësisë.
Dashuria dhe qetësia me kriminelin ka mbaruar, nuk ka me atë njeri që ka veshur me të zeza nënat e shqiptarëve. E dimë që është e vështirë, por ne nuk do ndalemi, mund të ndalen burrat, por gratë e këtij vendi jo.
Rama të mos guxojë të cënojë asgjë të shqiptarëve se nuk do ketë përballje ligjore, por personale se nuk ka për ta falur të ardhmen e fëmijëve asnjë”, kërcënoi rëndë Kryemadhi.
Duke parë këtë acarim të fortë dhe kalim në depresion të Monikës që shfaq njëherësh dhe gjendjen e rënduar të Ilirit, mbushemi me shpresë se drejtësia për këta maskarenj është afër.
Njëherësh shpresojmë se Monika dhe Meta do të tërheqin “këmbën zvarrë” edhe për Berishën, Bashën dhe Ramën, përballja e të cilëve me drejtësinë do të jetë një çlirim i dytë për Shqipërinë e shqiptarët./Pamfleti