“Kur vjen shtatori fillon shkolla, vajza të bukura, faqet e puthura/Andej-këndej kërkojnë djemtë, duan t’i joshinë, t’i rrjepinë/ Andej-këndej porsi kotele në disko ato shkojnë dhe në motele!” ishte kjo një nga paroditë e shumta të cilën Vasillaq Vangjeli e këndonte shpesh me miqtë e tij duke ngacmuar përgjumjen e tyre dhe vijuar udhëtimin me shakanë e radhës.
Me batutën e Koçit : ‘’Unë bëj zhaba. Qenër dhe kuaj me çizme meksikane’’.
Por tej këtij filtri kënaqësie, ndalemi tek edukimi që ai përcjell përmes gjithçkaje që rrëfente apo këndonte, ashtu me atë zërin e plotë të një burri luftarak. Një kredo e këtillë dekoduese ngre sot një mori pandehmash. Kontributi që ai i dha Shqipërisë është epik.
Dihet se ura lidhëse midis të vërtetës dhe realitetit është humori. Formën e pranimit, dëgjimit a mirëkuptimit ai na e mundësoi. Vaso ishte një artist i pazëvendësueshëm. Teoricien që guxoi të zbusë konfliktin thelbësor të popullit tonë duke e ndërlidhur me praktiken.
Flasim për konfliktin e shoqërisë ngecur nën llogoren e një skematizimi dhe mediokriteti ideor, të cilën ai e tejkaloi nëpërmjet gazit apo nënteksteve ironike të parodizuara aq bukur. Kodet e secilave, Vaso, si një njeri i vetëm i dha kuptim harmonik. Kishte dhunti të veçantë.
Asesi nuk flasim për një konflikt dosido. Por të një tjetër niveli. I një lloji që erdhi dhe vjen i një rëndësie studimore; nga ngjarjet e jetësuara kombëtare-historike, tek lidhja organike me subjektin e dukurive të kohës deri tek sakrifikimi i gjendjes shpirtërore të këtij mjedisi shoqëror në atë individual. Por sjellja e gjithë këtyre periudhave, ja pra që nuk u ul kurrë në banak për një gotë, të dëgjonte muzikë të trishtë Blues apo fliste me veten. Vetminë!
Vasillaqi, po. E bëri dhe nuk na e tha kurrë! U ul aty dhe në rolin e një udhëheqësi artistik, pinte dhe mendonte: Si të na bënte të lumtur? Si të falte dashuri?
Është e çuditshme se si të gjithën këtë platformë ai e pa nën vështrimin e mprehtë të një regjisori. Talenti i të cilit në fakt ndodh dhe që të shpërfillet. Kështu, Vaso preferoi të mos e bërtiste fare. Por të qeshte me këtë dhimbje! Ai e dinte: Ne një ditë do e kuptonim.
Natyrisht, preferoi ta kalonte ashtu, pa folur! Si një artist tipik rebel më një fund tragjik, i cili lejon që mesnatës të kritikohet veç nga gota apo shishja e verës apo e rakisë.
Një shishe që nuk vinte ballë tij si çdo shishe, por si nënvetëdije e një lufte të brendshme që zhvillohet veç në drama të mëdha botërore dhe luhet në skena të mëdha nga aktorë që kanë përballuar çdo lloj shantazhi psikologjik e nuk lodhen duke përcjellë në çdo shfaqje, çdo natë të njëjtin emocion. Një emocion që Vasillaqit tonë nuk iu dha mundësia ta përjetonte dhe pse donte dhe e kërkoi aq shumë: rrëpirave të fatit, poshtë tavolinës, notave të muzikës, shanseve të karaktereve apo kolegëve të teatrit.
Edhe pse me një karrierë 45-vjeçare në skenë dhe mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë, ai donte diç më tepër. Të vlerësohej për atë që ishte. Aktori tragji-komik, i cili, sikundër Chaplin, njohu të vërtetën e madhe: ‘’Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde dhe të luash me të…’’
Në rininë e hershme, shkruhet se, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Por ai kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër kur i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses.
Por, megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës, ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër, pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre.
E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit, megjithëse Estrada nuk e deshi në fillim. E për rrjedhojë ai punonte pa dëshirë. Bënte mungesa dhe kishte një mungesë të theksuar vëmendjeje. E pikërisht ky artist u lidh kaq shumë me humorin, paroditë dhe estradën sa me gjithë energjinë që e karakterizonte do të shenjonte.
Por nuk e harroi kurrë atë periudhë të errët që diktatura e asaj kohe nuk e kurseu për asgjë dhe për asnjë.
Në një artikull botuar në vitin 2012, nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, zbulohet dhe botohet lista origjinale me emrat e artistëve që do të futeshin në burg në rast rebelimi, e më pas të pushkatoheshin.
Grupi i kundërevolucionarëve ishte grupi i cili konsiderohej si grupi kryesor që duhej të goditej; bënin pjesë mjaft figura të rëndësishme të artit si :Vace Zela, Marije Kraja, Helena Kadare, Roza Anagnosti, Petro Zheji etj., ndër ta, sigurisht, dhe Vangjeli. I cili, sigurisht, do të ndiqej dhe përgjohej nga persona të posaçëm të cilët ishin infiltruar brenda grupeve të tyre të punës.
Natyrisht, ai do të reagonte. Kush është ai që nuk e mban mend shokun Sillo në një prej skeçeve më të ndjekura ‘’Gjuetia e fundit’’? Do të ishte viti 1992 kur ai do të rikthente përmes humorit shumë të vërteta nga regjimi komunist.
Sepse siç thotë dhe Piter Bruk : ‘’Teatri është një terapi.’’
E, megjithatë ne nuk patëm kohë ta vërenim kaq thellë dramën e këtij njeriu, apo jo? Kjo është një dramë njerëzore e mëvetshme, të cilën në e kundrojmë me kujdes, na e kthen në peng çdo sjellje apo gjest të tij. Prej së cilës nuk kuptojmë vetëm dramën e tij, por dramën e një populli të shpersonalizuar e të robëruar …sikundër ishim.
A jemi me fat që nuk e kuptuam këtë trishtim ? Ndoshta.
Pasi ky thes kërkon shpatulla dhe kocka të forta për t’u mbajtur pas dhe një qëndrim në formën e një interpretimi vetëflijues, të cilin Vaso e kontrolloi dhe zotëroi deri në fund. Pa nevojën e asnjë mirënjohjeje. Pa nevojën e asnjë vëmendjeje klasike për ta kthyer në epiqendër forcën burrnore të tij.
Madje, duke i kthyer shpinën intrigave dhe gojëkeqëve, ai porosiste edhe pak raki, për ta hedhur në gotë dhimbjen. E kthyer me fund, mandej. Pa na lënë asnjë faturë!
Vetëm fuçi. Fuçi rakie e vere, të cilave ne i shmangemi me droje dhe lezet.
Sepse e dimë : Duan stomak të fortë për t’u pirë ato! Duan një Promete alla Vangjeli, i cili në ‘’Olimpin’’ e tavolinës sot mungon. Në ‘’Olimpin’’ e humorit la pas një mister të madh:
‘’Çfarë ishte, magjistar? Apo mbinjeri?’’.
Ai lindi në 19 shkurt 1948 dhe vdiq më 26 shtator 2011. Ishte vetëm 63 vjeç. Vuante nga diabeti!
KINEMATOGRAFIA: “Toka e përgjakur”, e më pas me kryerolin e Koçit në filmin “Zonja nga Qyteti”, e me radhë në filmat në “Pylli i Lirisë”, “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, “Yjet mbi Drin”, “Ëndërr për një karrige”, “Dasma e shtyrë”, “Ne vinim nga lufta “, “Rrethimi i vogël”, etj.
KINOKOMEDITË: “Gjuetia e fundit”, “Të gjalle apo të vdekur” në rolin e Sillos, një nga kryerolet e tij, “Një ditë pa punë”, “Oreksi i madh”, “Çanta e zezë”, “Përralla e Trimit” nga Koço Devole, “Qeflinjtë” nga Agron Goga, etj.
TEATËR : “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Tri ditët e qametit” , “Mimoza pyeti zemrën”, telekomedi nga T.Miloti, “Tre dhëndurët “ e D. Bubanit, “Mirela” nga L. Bungo, “Një burrë me dy gra” nga R. Kunei, “Divorci” nga Sh. Mita, “Lezeti i kolltukut dhe i krevatit” nga M. Pertgui, komedinë “Gjashtë vjet shtatzënë” dhe së fundi gjashtëdhjetëvjetorin e tij ai do të ngjitej përsëri në skenë me një rol në komedinë e regjisorit Hervin Çuli.
Aktori madh i humorit, Vasillaq Vangjeli, është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.
‘’Unë isha më shumë aktor i dramës sesa i komedisë. Aksidentalisht kalova në komedi. Më ka pëlqyer tërë jetën drama’’, -shprehej ai sa herë e pyesnin për profesionin. Në fakt, ishte dhembja e tij, por nuk e dinte askush. Ai dukej i lumtur!
Tashmë e dimë arsyen e pyetjes.
Jo të gjithë mund ta kthejnë dhimbjen në komedi.
Jo te gjithë na e tregojnë si shaka një dramë duke na bërë të qeshim aq shumë.
Tashmë e dimë arsyen…
Përtej humorit, fshihej një artist. Përtej Vasillaq Vangjelit, fshihej një britmë, brenda së cilës flinte dhe rritej një lot./Ilnisa Agolli/Konica.al/