Renaldo Sula dhe Saimir Çela, janë dy nga personat e dyshuar për grabitjen në Rinas të cilët u arrestuan në të njëjtën datë, më 20 prill. Ata janë vënë në përgjim ambiental me urdhër të prokurorit, teksa ndodheshin në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, mëson ekskluzivisht bisedën e përgjuar mes tyre. Burime nga grupi hetimor, thanë se nga ‘transkriptimi i përgjimeve ambientale mbajtur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, përgjithësisht rezulton se personat nën hetim janë munduar që të tregohen të kujdesshëm në komunikimet e tyre”.
Por megjithatë, janë disa hetime, të cilët prokuroria i evidenton:
Datë 20.04. 2019
Saimir Çela: Çfarë tersi, e disha.
Renaldo. Ë… Ej, e kanë marrë vesh ata?
Datë 21.04. 2018
Renaldo: Qysh t’ia bëjmë, qysh t’ia bëjmë ëëë, do paguajnë ato k…, do e hamë keq, do e hamë keq…
Saimiri: Mos thuaj gjë…
Rezulton se ata janë të shqetësuar, ku Saimir Çela tregon se ju ndodhi ters, por e kishte parandjerë. Renaldo në bisedime nënkupton se e kanë marrë vesh ata (me shumë siguri personat e tjerë në hetim, organizatorët e kësaj ngjarje). Ai edhe i ankohet Saimir Çelës, se si t’ia bënin tani që ishin ndaluar, dhe se do të paguajnë ato k…(duke ju referuar edhe këtu me shumë mundësi organizatorëve), si dhe frikën që kishin se ata tashmë e kanë pësuar.
Renaldo Sula është djali i tezes së Klement Çalës, personit në kërkim jo vetëm i dyshuar si organizator i grabitjes së ndodhur më 9 prill në aeroportin e Rinasit, por edhe për grabitje të mëparshme, sërish në bashkëpunim me Admir Muratajn. E tillë ishte ajo e Qafë-Kasharit, në rrugën e Rinasit të autoblindave me para të bankave të nivelit të dytë. Admir Murataj nga Tropoja, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes në aeroport ku edhe pse nuk ka ende një shifër zyrtare, dyshohet të jenë vjedhur rreth 6 milionë euro.
Renaldo Sula, sipas avokatit të tij mbrojtës, Emin Saraçi, siç Shqiptarja.com mëson, ka një vit që ishte kthyer nga Gjermania. Ai është i martuar me një shtetase gjermane. Sipas mbrojtjes, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë duke përgatitur dokumentacionin për të pasur një leje qëndrimi të ligjshme në Gjermani.
“Kur ndodhi ngjarja”, – thotë avokati – “Renaldo Sula ka qenë në një market dhe për faktimin e kësaj ai thotë se ka pamje nga kamera të sigurisë”.
“Ai mund të ketë shkuar në banesën e Klement Çalës, së bashku me bashkëshorten e tij si kushëri, por nuk ka asnjë kontakt me të”, mësohet të jetë shprehur avokati.
Një tjetër person që e ka takuar Klement Çalën, i cili është arratisur nga burgjet greke prej vitit 2013, dhe gjithë këtë kohë ka qenë në arrati, është edhe kushëriri tjetër i tij, Alkond Bengasi. Ky i fundit është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë ku ka zbërthyer funksionet e grupit.
Alkond Bengasi, dyshohet të jetë personi që ka modikuar furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” me të cilën 5 grabitësit u futën në pistën e avionit ku morën paratë brenda nga aeroporti. Zbulohet se ai është marrë në pyetje edhe për vrasjen e bujshme në Elbasan të avokatit të njohur Ravik Gurra. Në dëshminë dhënë para hetuesve, tashmë që ndodhet i arrestuar si bashkëpunëtor në grabitjen e Rinasit, Alkond Bengasi ka treguar se pasi është marrë në pyetje, Klement Çala, të cilin ai e ka kushëri, i ka shkuar në banesën ku ai jeton, në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. Bengasi thotë se Klementi i shkoi bashkë me nusen dhe fëmijët dhe ju shpreh: “…ça ka policia me ty, shih mos të kanë vendos ndonjë përgjues në makinë…”. Po këtë natë kur Klementi ka qenë në shtëpinë time ai më ka thënë se “…do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë….”
Me këtë dëshmi të fortë, Klement Çala duket se ka paralajmëruar grabitjen e madhe që ndodhi më 9 prill. Por Alkond Bengasi në prokurori, është shprehur se nuk e dinte që furgoni që ai modifikoi do të përdorej për grabitje. Thotë se e ka mësuar vetëm kur pa në televizor që furgoni që ai modifikoi të dilte i përdorur nga 5 grabitësit e Rinasit.
Menjëherë pas dëshmisë së Alkondit, prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Klement Çalës, i cili vijon të jetë ende në arrati.
Në pranga janë Oltion Veseli, Elton Pikli, Saimir Çela dhe Renaldo Sula
Në kërkim janë veç Klementit, edhe vëllai i tij Eldi Çala, Talo Çela,Aleks Pepa dhe dy ish punonjës të policisë, Marenglen Hoxha dhe një grua ish-efektive me inicialet E.B.
Akuzat zyrtare të ngritura nga prokuroria për grabitjen në Rinas:
“Vraje e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Vjedhje me armë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Shpërdorimi i detyrës”.
Në dosjen e prokurorisë, grabitja e ndodhur shpjegohet me këtë dinamikë:
“Më datë 09 rreth orës 15:20, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, RInas, Tiranë, disa persona të veshur me kamuflazh me maska dhe të armatosur kanë vjedhur sasi të mëdha parash në vlerë Euro, në momentin që do të transportoheshin me avionin e linjës “Austria Airline” në itinerarin Tiranë-Vjene.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, rezulton të ketë filluar në avionin e linjës “Austria Airline” që gjendej në terminalin e Aeroportit “Nënë Tereza”, ka rezultuar se në afërsi të këtij avioni në vendin ku ngarkohen bagazhet kanë qenë dy transporter të përmasave 2.2 m që shërbejnë për të ngarkuar bagazhet e pasagjerëve.
Në vijim të veprimeve hetimore, ka rezultuar se personat e maskuar të veshur me kamuflash me anë të pincave kanë këputur drynin dhe zinxhirin e emergjencës që mbante këtë dryn ku kanë hapur portat hyrëse të anës perëndimore të emergjencës së rrethimit të aeroportit, konkretisht në afërsi të repartit të zjarrfikësit. Rezulton se personat kanë patur me vete një automjet tip furgon të makrës Volksvagen me targë AA 248KE, dhe me mbishkrimin Hetimi Tatimor. Menjëherë personat e maskuar kanë lëvizur me këtë automjet në avionin e linjës Austria Airline, kanë shkuar tek vendi ku po ngarkoheshin valixhet e pasagjerëve dhe pikërisht tek barku i avionit, nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur sasi të mëdha parash në valutë euro”.